Berisha dhe Thaçi më 31 maj “shpërthejnë” tunelin
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, do të “shpërthejnë” tunelin e Kalimashit, me datën 31 maj. Të dy kryeministrat shqiptarë do të bashkohen në rrugën kombëtare Durrës – Kukës, pikërisht ditën e diel. Së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të jetë i pranishëm në ceremoninë festive të përfundimit të punimeve për hapjen e tunelit të Kalimashit, në autostradën Durrës - Morinë, më 31 maj. Këtë e njoftoi dje zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit Thaçi. Me këtë rast do të organizohet edhe udhëtimi i gazetarëve të medias kosovare për të ndjekur këtë ngjarje të rëndësishme. Ndërkohë që e njëjta gjë do të bëhet edhe këtej kufirit, për gazetarët e medias shqiptare.