E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, Oketa: Greqia na mbështet



Greqia i jep garanci Shqipërisë se do ta mbështesë atë në procesin e liberalizimit të vizave. Ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Meimarakis, gjatë pritjes që i bëri homologut shqiptar në Athinë, Gazmend Oketa, e siguroi se Greqia e ka zgjeruar tashmë lëvizjen e lirë të qytetarëve midis dy vendeve, ndërsa hapja e plotë e këtij procesi lidhet me Bashkimin Evropian. Kjo mbështetje, sipas Oketës, do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona, si dhe në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Gjatë vizitës dyditore që zhvilloi në Greqi, z. Oketa theksoi gjatë takimit me homologun e tij grek, z. Evangelos Meimarakis, se "objektivi tjetër madhor i Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Evropian (BE)". Ministri Oketa i kërkoi homologut të tij Meimarakis mbështetjen për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, pasi sipas tij, "kjo do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona, si dhe në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve". Oketa i shprehu homologut të tij grek falënderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen që Athina zyrtare i ka dhënë vendit tonë në rrugëtimin e tij për anëtarësimin në NATO. Nga ana e tij, ministri Meimarakis theksoi: "Greqia e përgëzon Shqipërinë për synimin dhe hapat e saj drejt BE-së dhe beson se të gjitha vendet e Evropës Juglindore duhet të integrohen në strukturat euroatlantike”. Sipas tij: "Greqia e ka zgjeruar tashmë lëvizjen e lirë të qytetarëve midis dy vendeve, ndërsa hapja e plotë e këtij procesi lidhet me Bashkimin Evropian”. Ministri i Mbrojtjes u takua edhe me kryetarin e Parlamentit grek, z. Dimitrios Sioufas, në selinë e Parlamentit. Ai i shprehu falënderimet e kryetares së Parlamentit shqiptar, të deputetëve për ratifikimin në kohë të anëtarësimit tonë në NATO. Oketa mori edhe mbështetjen e përfaqësuesit të Parlamentit grek për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë edhe në BE. Gjatë vizitës së tij në vendin fqinj, ministri i Mbrojtjes zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentët shqiptarë që arsimohen në Greqi. Në këtë takim që u zhvillua në mjediset e ambasadës shqiptare në Athinë, ministri Oketa u njoh me ecurinë e tyre gjatë studimeve. Ai u foli për perspektivat që kanë këta studentë tashmë si ushtarakë të një vendi anëtar të NATO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›