E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës - Kukës, Topalli: Është një mrekulli



E shoqëruar nga dhjetëra banorë të Rrëshenit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e quajti dje një mrekulli rrugën kombëtare Durrës - Kukës, të cilën e vizitoi sërish, por kësaj here duke u ndalur dhe biseduar me inxhinierët për detajet teknike. Pasi u njoh me to, Topalli i është përgjigjur edhe kreut të PS-së, Edi Rama, duke i thënë se ai ka hedhur vetëm baltë mbi këtë rrugë, por që sipas saj, “balta në shkëmb nuk nxë”. “Në gjithë këtë bukuri, gjithë këtë kolos, ajo që të bën përshtypje, është se pavarësisht nga përpjekjet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me helmin që hedh, me llumin që përpiqet të lëshojë, me duart që i ka bërë gjithë baltë, sepse hedh vetëm baltë, çdo ditë, mbi këtë rrugë, mbi rrugën e bregut, mbi rrugët e tjera, më vjen në mend fjala se “balta në shkëmb nuk nx디, - tha Topalli.

Në takimin me menaxherin e projektit, Michael Suinford, Topalli u informua se kjo rrugë është unike në botë për sa i përket sfidës që paraqiste ajo. Suinford tha se në përvojën e tij të gjatë, ky projekt përbënte një sfidë në shumë drejtime. “Për mua është projekti më domethënës. Unë mund t’ju them se, në bazë të përvojës sime personale, ky është projekti më sfidues në të cilin unë kam punuar gjatë përvojës sime 30-vjeçare në ndërtim. Dhe puna që është bërë këtu në Shqipëri, është mahnitëse. Ky është projekti më i madh i këtij lloji, ndërmarrë në këtë vend dhe në mbarë botën”, - tha ai. Sipas menaxherit të projektit, kjo rrugë nuk do të bëhej në një kohë rekord pa ndihmën e qeverisë që është edhe financuesja e rrugës. “Së dyti, ne kemi 3 800 njerëz, nga të cilët 60 për qind janë shqiptarë, që e bëri të mundur këtë. Ata punojnë 24 orë në ditë, 30 ditë në muaj”, - tha më tej menaxheri i ndërtimit të veprës.

Duke folur me banorët e zonës, Topalli tha se rruga do të hapë një perspektivë të re ekonomike për vendin. “Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë kolos më të madh infrastrukturor. Është një gjigand që bashkon kombin tonë. Është një gjigand me një perspektivë zhvillimi ekonomik të Shqipërisë, i porteve të rajonit, për të cilin nuk gjej dot fjalë për ta përcaktuar realisht. Drejtori thotë se është projekti më i madh që ka pasur në 30 vjet të eksperiencës së tij. Thotë se për atë ka qenë sfidë profesionale, kurse për ne shqiptarët ishte një objekt që mund të mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve. Ndërkohë që është bërë në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t’u bërë e mundur që të mbyllet në qershor”, - tha Topalli për rëndësinë e rrugës. Sipas saj, përvoja që dha ndërtimi i kësaj rruge, ka qenë e paimagjinueshme dhe një shembull për të tjerët. “Ky është një shkëmb në kuptimin e veprës, zhvillimit ekonomik. Është rasti unik ku punohet me këto ritme 24 orë në 24. Është një numër disa mijëra shqiptarësh që punojnë në këtë vepër. Kjo ka sjellë zhvillim ekonomik. Rritje të ardhurash. Mbi 3 mijë punonjës punojnë këtu. Kjo është e paimagjinueshme”, - shtoi Topalli. Rruga Durrës - Kukës është 170 kilometra autostradë, me 2 tunele me nga 5.5 kilometra secili, 27 ura, më e gjata 360 metra dhe më e larta 80 metra. Punohet me ritmin maksimal, ashtu siç punohet me ritmin e ndërtimit të të gjitha rrugëve në Shqipërinë e shndërruar në një kantier gjigand ndërtimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›