E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli merr mbështetjen e nordikëve për heqjen e vizave



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës në Oslo të Norvegjisë, ka marrë garanci se ky vend do të mbështesë Shqipërinë për liberalizimin e vizave. Gjatë takimit të veçantë me kryetarin e Kuvendit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, u theksua se jo vetëm Norvegjia, por edhe vendet e tjera nordike, do të mbështesin Shqipërinë për këtë proces. Jagland bëri të ditur se Norvegjia do të ndikojë tek vendet e tjera nordike, që janë pjesë e BE-së për të ndihmuar për heqjen e vizave. Në qershor, presidencën e BE-së e merr Suedia, një vend fqinj i Norvegjisë, ndaj Topalli e falënderoi për mbështetjen Jagland. Mes dy kryeparlamentarëve u bisedua edhe për marrëdhënie ekonomike, ndërsa Topalli vuri në dukje potencialet e vendit tonë. Jagland u shpreh se vendi ynë ka potenciale reale. “Në Shqipëri gjeta një vend me potenciale të jashtëzakonshme, një vend që po zhvillohet me dinamizëm dhe me një klimë shumë të favorshme për investime”, - tha ai. Biseda më tej u përqendrua edhe në sfidat e ardhshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në përballjen e këtyre sfidave. Jagland theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe afrimi me Bashkimin Evropian janë tregues i një zhvillimi të shpejtë të Shqipërisë dhe ndikojnë në mënyrë të dukshme edhe në stabilitetin rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›