E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numri i madh i partive, KQZ-ja ndryshon fletën e votimit



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndryshojë fletën e votimit, duke rritur përmasat e saj. Regjistrimi i afërsisht 36 partive në KQZ për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit, ka detyruar KQZ-në që fleta e votimit të jetë më e madhe se ç’ishte parashikuar në fillim. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, gjatë mbledhjes së djeshme, bëri të ditur se sot ky institucion do të shqyrtojë fletën e votimit. “Duhet të rishqyrtojmë formatet e fletës së votimit, për shkak të numrit të madh të subjekteve zgjedhore”, - tha Ristani. Komisioni ka miratuar formatin e letrës në datën 5 mars dhe sipas këtij formati, fleta ishte 42 centimetra e gjatë dhe 30 centimetra e gjerë. Referuar kërkesave të Kodit Zgjedhor, fletët e votimit do të jenë të një cilësie të mirë. Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, kësaj here zgjedhësit do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të votojnë vetëm për partitë. Por ndryshe nga herët e tjera, përmasat e fletës së vetme të votimit do të jenë më të mëdha se ç’kanë qenë më parë. Në vitin 2005, fleta e votimit ishte dy herë më e shkurtër se ajo që miratoi KQZ-ja në datën 5 mars dhe me ndryshimet që pritet t’ui bëhen përmasave, fleta do të jenë ende më e gjatë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të neneve 97, pika 1, dhe 98 të Kodit Zgjedhor, duhet të miratojë modelin e fletës së votimit për partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, që konkurrojnë në zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2009. Fleta e votimit duhet të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Ajo duhet të jetë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj.

Fletët e votimit

Sipas Kodit Zgjedhor, në të gjithë vendin ka vetëm një fletë votimi, të njëjtë. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve të KQZ-së. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundërfletë. Numri i serisë shënohet vetëm në kundërfletë. Emrat e partive politike apo kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit vendosen në fletën e votimit, sipas rendit alfabetik të emrit të tyre. Përbri emrit të partisë vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Radha e renditjes së tyre përcaktohet sipas rendit alfabetik. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo partie politike anëtare të koalicionit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi.

Mbyllet afati për listat, miratohen edhe 14 parti të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje listat e kandidatëve për deputetë për 14 parti politika, të cilat do të garojnë për këto zgjedhje. Njëkohësisht, dje në orën 19:30, u mbyll edhe afati i korrigjimit të listave, ndërsa sot, KQZ-ja pritet të miratojë edhe listat e partive të mbetura, që janë rreth 8 të tilla. Në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja miratoi listat e kandidatëve të Partisë Aleanca Demokratike, Partisë Toleranca e Re, G 99, Partisë Socialdemokrate, Partisë Balli Kombëtar, Partisë Ligj dhe Drejtësi, Partisë Republikane, Partisë së Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Socialiste e Vërtetë '91, Partisë Forca Albania, Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Partisë së të Drejtave të Mohuara, Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Partia Aleanca e Re. Ndërkohë, listat e partive të mëdha janë miratuar, pasi ato u rikthyen për plotësimin e kriterit të 30-përqindëshit të gjinisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›