E Diel, 1 Nëntor 2026

“Engjëlli i Vdekjes”, në formën e një agjencie funerale

22-01-2012 / Nga Redi Agolli

Dje u bëmë dëshmitarë se Rama është tërësisht jashtë konceptit të qenies njerëzore, u provua se ekziston, pasi dje pamë se ai kishte arritur fundin e tij si qenie njerëzore, i cili i zhveshur nga turpëria dhe parimet më njerëzore, i udhëhequr nga egoja dhe ambicia e tij politike shfrytëzoi të vdekurit dhe familjarët e tyre për të fituar pikë në arenën elektorale. Qenie të tilla, që e kanë humbur njerëzoren dhe që korrin fryte nga të vdekurit, deri dje, ekzistonin në “dosjet” e teologjisë dhe mitologjisë.
Në teologji, Engjëlli i Vdekjes, i njohur si Grim Reaper, i cili paraqitet si skelet që mban veshur një mantel të zi dhe në njërën dorë mban një kosë, për të ruajtur vendin e tij të punës, pra si Engjëll i Vdekjes, duhet që të trokiste në sa shumë dyer banimi, në mënyrë që të mblidhte shpirtrat e atyre personave që ndodheshin në prag të vdekjes. Në mitologjinë greke, Zoti i nën tokës apo i territ, i njohur si Hades, mbijetonte duke shpresuar që atje sipër në tokë të vdisnin sa më shumë persona, në mënyrë që të fuqizohej për t’i marrë pushtetin me dhunë vëllait të tij Zeus në Olimp.
Me këta precedent të mësipërm, dhe siç u pa dje te “homazhet” për 21 janarin, Edvini, i mbetur në ishullin e paaftësisë politike dhe të shterimit të alternativave, pa ndihmën e publikut e pa telefonatën nga miku, kërkon në mënyrë paradoksale, por njëkohësisht të neveritshme, të mbajë veten gjallë në politike te mosqenia gjallë e tjetrit, si pasojë e ngjarjes së 21 janarit. Hipokrit si gjithmonë, i veshur me maskën e nikoqirit të madh, gjasme se i vjen keq për familjarët e viktimave, të cilët për fat të keq nuk e dinë shprehjen se kush të vret të qan, i zhvendosi homazhet nga Kryeministria te salla e Akademisë së Arteve, ku demonstroi se, përveçse është i zhveshur nga parimet e një politikani, është i zhveshur edhe nga parimet më njerëzore, parime këto të cilat i kishin madje edhe neandertalët, megjithëse ishin ende në rrugën e tyre drejt konsolidimit të ndjenjave njerëzore.
Edvini i tregoi botës njerëzore se është i gatshëm të tallet, jo me të gjallët, se këtë e ka bërë gjatë gjithë jetës së tij politike, por edhe me të vdekurit. Në mendjen e Ramës këta të fundit mund të jenë më të suksesshëm se të gjallët, refleksion që Rama e nxori duke punuar me Dritan Priftin. Në Akademinë e Arteve të Bukura, Edvini na bëri të shikojmë dhe dëgjojmë Artet e Shëmtuara.
Në deklaratën e tij në Akademinë e Arteve, Edvini shpalosi edhe njëherë kuintesencën e deformimit të ngjarjeve të 21-janarit. Ai i bëri jehonë mënyrës sesi u trajtuan dhe u menaxhuan protestat e fundit në Britani, të cilën edhe këtë e deformoi. “Të gjithë ta marrin vesh njëherë e mirë, qeveria të merr ç’të dojë, shpresat, ëndrrat, shpirtin, të merr dhe jetën kur ia sjell në majë të hundës. Dhe as nuk e ndëshkon kush, pa çka se jemi në shekullin e 21. Kur në Evropë protestuesit djegin e shkatërrojnë, se u shkrepet të ngrenë krye për liritë e tyre, policia i qëllon vetëm me shkopinj gome, me plumba kauçuku në rastin më tek keq, por jetën ua ruan si gjënë më të shtrenjtë”, u shpreh Rama”.
Deformimi qëndron në faktin se protestat për të cilat flet Rama, janë zhvilluar në rrugë të disa qyteteve, jo përballë kryeministrive. Mbi të gjitha, Kushtetuta e Shqipërisë, duke qenë simotër e kushtetutave perëndimore, garanton dhe mbron zhvillimin e protestave paqësore. Neni 46 i Kushtetutës, është përgënjeshtrimi më i mirë i pretendimit të Edvinit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›