E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha lë pa investime Beratin, fondet i kalon për dëmet në Shkodër”



Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, dje nga qyteti i Beratit ka hedhur akuza të forta mbi vendimin e fundit të qeverisë për transferimin e fondeve të Bankës Botërore të parashikuara për investimin në tregun e Beratit. Këto fonde iu transferuan Bashkisë së Shkodrës për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, dhe Braçe e ka quajtur vendimin tendencioz dhe shprehje të urrejtjes së kryeministrit ndaj qytetit të Beratit. Sipas Braçes, kjo është një arsye më shumë për t’iu bashkuar protestës së datës 10 prill në Berat. “Kjo përbën dhe aktin e fundit të agresionit të Sali Berishës dhe të qeverisë së tij kundër banorëve të Beratit. Bëhet fjalë për një projekt zhvillimi që natyrisht i mungon qytetit të Beratit dhe që hap një perspektivë të re për të gjitha marrëdhëniet tregtare në qytetin e Beratit”. Duke përshkruar se gjendja në tregjet e Beratit është skandaloze, Braçe theksoi se Berisha e urren Beratin për arsyen e vetme se ky qytet voton PS-në. “Siç e dini, gjendja e tregjeve në qytetin e Beratit është skandaloze dhe thjesht dhe vetëm ndaj fobisë që Sali Berisha ka ndaj qytetarëve të Beratit, për shkak të urrejtjes që ky njeri ka ndaj gjithë qytetarëve të qarkut të Beratit që nuk e votojnë prej 20 vitesh”, - tha Braçe. Deputeti Braçe i ftoi qytetarët të protestojnë më 10 prill në qytetin e tyre për padrejtësitë që iu bëhen nga qeveria. Një projekt i Bankës Botërore, i cili zë fill që në janar të vitit 2008 në vlerën e rreth 16 milionë dollarëve dhe që ishte orientuar drejt bashkive që qeverisen nga të majtët, do të kalonte direkt për Shkodrën. Mësohet se projekti i administrimit të tokës dhe projekti i menaxhimit ishte firmosur për t’u dhënë bashkive të majta, por kryeministri Berisha ka kërkuar që pjesë e madhe e fondeve t’i kalojnë Shkodrës pas emergjencës së përmbytjeve të janarit.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›