E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afat i ri për kalimin e tokës nga përdorim në pronësi

29/04/2009  Kuvendi miraton shtyrjen e afatit të regjistrimit të tokës së fituar nga 7501

Komisioni parlamentar i Ligjeve me kërkesë të Këshillit të Ministrave shtyu minimalisht edhe 6 muaj të tjerë afatin brenda të cilit komisionet vendore do të urdhërojnë kryetarët e komunave dhe bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore. Kjo pikërisht në rastet kur komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor të ndarjes së tokës; dhe familjet bujqësore ose individët që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore dhe janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, sipas përcaktimit të nenit 3 të këtij ligji, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi për persona të tjerë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet në KV dhe pas verifikimit i kalohet SAMT-it të qarkut. Për çdo rast të mospranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet bujqësore ose individët mbahet procesverbal për refuzim toke. Familjet bujqësore që refuzojnë të pajisjen me aktin e marrjes së tokës në pronësi, sipas këtij ligji dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve të parashikuara në kreun III të këtij ligji. Afati gjashtëmujor i parashikuar në projekt do të llogaritet që nga koha kur ky ligj do të hyjë në fuqi. Në relacionin shoqërues Ministria e Drejtësisë argumenton është arsyet pse ka kërkuar këto ndryshime ligjore në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Rastet e parashikuara më sipër përbëjnë një vëllim të madh pune, ndaj zgjatja bëhet për t’u ardhur në ndihmë fermerëve për të përmbushur kërkesat e mësipërme. Propozimi argumentohet edhe me afatet e mëvonshme të hyrjes në fuqi të vendimeve të Këshillit të Ministrave që janë hartuar dhe miratuar për zbatimin e këtij ligji. Kështu, vendimi nr. 1269, datë 17.09.2008, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” ka hyrë në fuqi më 3 tetor të vitit 2008. Ndërsa vendimi 224, datë 19.02.2009 po i Këshillit të Ministrave “për procedurat e krijimit të akteve të marres së tokës bujqësore në pronësi, që lëshohen si pasojë e korrigjimeve të bëra nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë”, ka hyrë në fuqi më 20 mars i këtij viti. Komisioni Qeveritar i Tokës për këtë shkak vendosi miratimin e këtij propozimi. Ndërsa Ministria e Drejtësisë ka parë dhe vlerësuar të nevojshme të propozojë shtyrjen e afatit “brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, siç propozon edhe ky projektligj.

7501 e shitblerjet

Udhëzim për denoncimin e shkeljeve

Veç ndryshimit të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë në pikën që i takon kalimit të tokave nga përdorimi në pronësi, qeveria ka miratuar dhe një urdhëresë, ku institucionet e shtetit kanë detyrimin të zbardhin dosjet problematike. Kjo jo vetëm për sa i përket mbivendosjeve që janë krijuar në hipoteka, por dhe verifikimit të procedurës së shitblerjes së një sipërfaqeje. Ndërsa janë dhe institucionet që do të kenë detyrimin që t’i paraqesin komisionit vendor çështjet për verifikim. Gjithsesi, ky udhëzim i jep prioritet verifikimit të blerësve të një prone. Kjo për të mos lejuar bllokimin e tyre gjatë hetimit në themel të çështjes. Në rast se shitblerja rezulton e rregullt, komisioni vendor nis hetimin e regjistrimit fillestar. Sipas ligjit, në rast se në këtë regjistrim vërehen shkelje, përfituesi i paligjshëm detyrohet të paguajë të gjithë tokën, ndërsa personi që mund ta ketë blerë prej tij këtë sipërfaqe nuk preket.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›