E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha diversion majtas: PS t‘i japë komisionarin LSI-së

Kreu i mazhorancës fton Partinë Socialiste të reflektojë mbi zgjerimin e konsensusit për Kodin Zgjedhor. Kodi elektoral sfumon një tjetër çështje të ditës për politikën, siç është ligji i dosjeve. Kryeministri Sali Berisha ka përqendruar vëmendjen te zhvillimet brenda së majtës, duke i bërë thirrje publike partisë më të madhe të opozitës që të shikojë mundësinë e mirëkuptimit për kërkesat e LSI për sa i përket reformës zgjedhore. "Kodi Zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj zotin Rama të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit", u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike. "Këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër, përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Mundësia është për reflektim, prandaj të reflektojmë. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, por vetëm përfshirjen. Ne kemi një konsensus me PS-në dhe këtë nuk e mohoj, por nëse e zgjerojmë më shumë, do të ishte mirë për vendin", u shpreh Berisha. Lidhur me grevën e urisë së dhjetë deputetëve, shefi i qeverisë theksoi se ishte shumë i lënduar nga kjo grevë. "Pavarësisht se kundërshtarë, por për vendin, për Evropën e botën, sado që askush nuk e mbështeste vendimin për të hyrë në grevë urie, por faktikisht ishte e tillë, dhjetë deputetë në grevë urie ishte një lëndim dhe përbënte një lajm aspak të favorshëm për vendin", u shpreh Berisha. Kreu i mazhorancës ka shmangur çdo lloj komenti për ish-bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka qeverisur, demokristianët.

Zgjedhjet

Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri paraqiti edhe modelet e reja të pasaportës biometrike dhe kartat e identitetit, ndërsa premtoi se ato do të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, të gjithë qytetarët shqiptarë do të votojnë në zgjedhje me kartat e identitetit. Ai ka prezantuar në mbledhjen e qeverisë dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike. Berisha u shpreh se ky proces po ecën sipas parashikimit dhe se qytetarët shqiptarë do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme me dokumentet e reja. "Sot hapen qendrat e regjistrimit të qytetarëve në qytetin e Tiranës, nga ku do të fillojë edhe lëshimi i tyre. Procesi po ecën sipas parashikimit me kompaninë dhe janë garancitë e plota që qytetarët shqiptarët do të votojnë me letërnjoftimet e reja elektronike", sqaroi Berisha. Kryeministri theksoi se pasaporta e re biometrike përmban simbolet më të arrira kombëtare, Skënderbeun dhe shqiponjën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›