E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Ftesa për Ramën, pres përgjigje zyrtare

Bashkimi i votave mes PD dhe LSI sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mbetet pa përgjigje të qartë. Dje në komunikimin me median, ish-kryeministri Ilir Meta shmangu një përgjigje direkte, duke insistuar te dëshira për reflektim të Partisë Socialiste. "Unë mendoj se duhet të kemi një vullnet politik nga të gjithë aktorët, për të realizuar standarde, që vërtet garantojnë zgjedhje të ndershme dhe të lira dhe jo për të vënë interesat e ngushta të tyre apo të grupeve të caktuara mbi cilësinë dhe garancinë që kërkojnë zgjedhjet e ardhshme", theksoi Meta. Ai u shpreh se nuk beson që Berishës i qan zemra vërtet për zgjedhje të lira apo për LSI-në. "Unë jam i bindur që Berisha, së pari e ndjen kontestimin e gjerë brenda vendit, jo vetëm të faktorëve politikë, por edhe të shoqërisë civile, që duket qartë se ky debat veçse dëmton procesin e ardhshëm zgjedhor, ende pa nisur akoma, ende pa hyrë Kodi në fuqi", u shpreh Meta. Kuptohet, vijoi ai, që Berisha në fund të fundit si Kryeministër ka përgjegjësinë më të madhe nga të gjithë aktorët e tjerë në vend dhe synon përmes qëndrimeve të tij të fundit, së pari t‘u bëj të ditur partnerëve ndërkombëtarë që nuk është ai problemi, nëse nuk arrihen standardet e zgjedhjeve. Në rast se do të ketë probleme me zgjedhjet, vijoi ai, synon që përgjegjësinë t‘ia faturojë lidershipit të Partisë Socialiste, ose t‘i trajtojë si probleme të brendshme të opozitës. Megjithatë, ngulmoi Meta, në çdo rast Berisha nuk e shpëton dot veten e tij nga përgjegjësia e zgjedhjeve, për aq kohë sa ai do të jetë në detyrën e Kryeministrit. "Ju besoj se i keni ndjekur të gjitha mesazhet që kanë ardhur dhe që vijnë për gjithëpërfshirje dhe në këtë drejtim, unë shpresoj që edhe kryetari i Partisë Socialiste të reflektojë dhe të kontribuojë që të arrihen standardet e zgjedhjeve përmes kohës, që kemi të gjithë në dispozicion për të reflektuar këto ndryshime në Kod", insistoi Meta. Meta tha se lidershipi i Partisë Socialiste nuk duhet të marrë mbi vete një faturë shumë të rëndë të cenimit të standardeve të zgjedhjeve, gjë që do të ishte në kundërshtim edhe me kontributin që kjo forcë politike ka dhënë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. "Kështu, që ftesa ime ndaj zotit Rama, u shpreh Meta, e cila ka qenë zyrtare dhe nuk ka qenë për mediat, por ka qenë për të, si kryetar i Partisë Socialiste mbetet e hapur". "Sepse ende nuk kam marrë një përgjigje zyrtare dhe besoj në reflektimin e tij, se i jam përgjigjur të gjitha ftesave të tij, sikurse ju e dini", kujtoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›