E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: "Dosjet", Berisha po mban aktiv agjentët e UDB-së

Socialistët akuzuan dje Kryeministrin Sali Berisha se me projektligjin e "dosjeve" lejon infiltrimin e agjentëve të UDB-së në administratën e shtetit shqiptar. Nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, tha se në ligjin e ‘95-ës, ‘97-ës, ‘98-ës, janë penalizuar agjentët në shërbim të shërbimeve të huaja. "UDB ka deklaruar një aktivitet të ethshëm ndaj Shqipërisë. Sali Berisha këtyre bashkëpunëtorëve të UDB-së me këtë ligj u jep shans të bëhen kryeministra, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, administratorë, nëpunës të shtetit. Berisha ka vullnet me këtë ligj të punojë me ta, të shërbejë bashkë me ta", theksoi Braçe. Ai shprehu shqetësim për mungesën totale të reflektimit nga Sali Berisha dhe të bindurit e tij, ndaj thirrjeve të opozitës, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, veçanërisht gjykatësve e prokurorëve, si dhe ndaj kërkesës së hapur, të qartë e të fortë të qeverive partnere të SHBA, BE, për nevojën jetike për një ligj evropian. "Mungesa e reflektimit nuk dëshmon vetëm kokëfortësinë folklorike të Sali Berishës, as vetëm padijen e veshur në të zeza të Jozefina Topallit, as tmerrin nga transparenca mbi errësirën e një mazhorance peng e së shkuarës, por tregon qëndresën jetike, të të gjithëve bashkë, në qëllimet antikushtetuese, kriminale, të dhunimit të ligjit dhe pengimit të drejtësisë për familjen Berisha", insistoi Braçe. Në këndvështrimin e socialistëve, seanca e turpshme deri në banalitet e së hënës provoi qartë këtë. Sali Berisha të hënën qe dëshmitari i madh i qëllimit të tij jetik, të pengimit të drejtësisë dhe shpëtimit të familjes. Braçe këmbënguli se Sali Berisha sot është varrmihësi VIP në një ceremoni luksi për gjykatës e prokurorë që ai i do të nënshtruar, pa sy, pa gojë, pa mendje të lirë juridike, pse jo dhe të vrarë, por që duhet dhe kanë detyrimin kushtetues të bëjnë drejtësi mbi korrupsionin e qeverisë së tij. "Provat që tregojnë Berishën në krim mbi drejtësinë dhe qëllimet e tij janë shumë. Berisha gënjeu kur tha që ligji i tij ishte binjak me atë çek. Në origjinalin çek nuk ka asnjë germë për prokurorë e gjykatës", u shpreh Braçe. PS konstaton se Berisha gënjeu kur tha se pastrimi i drejtësisë prej gjykatësve e prokurorëve politikë ka qenë qëndrimi i tij i hershëm. "Faktet tregojnë qartazi: në ligjin e ‘95-ës, ai flet për prokurorë e gjykatës pjesëmarrës në gjyqe politike speciale, një status i veçantë ky. Në ligjin e ‘97-ës, ai vetë përjashtoi gjykatësit e prokurorët nga qëllimet e këtij ligji", sqaroi Braçe. Tani, vijoi ai, neni për gjykatësit e prokurorët bëhet edhe më i gjerë se në ‘95-ën, me qëllim që të eliminojë cilindo prokuror e gjykatës që po heton familjen e tij të dyshuar në korrupsion, të përfshirë në aferat më të rënda korruptive që pas vitit ‘90, të përfshirë në veprat më të rënda kriminale, më të përgjakshme, me më shumë se 26 të vdekur e 300 të plagosur pas ‘90-ës. "Partia ime, tha Braçe, Partia Socialiste që në vitin ‘91 është distancuar qartë, ka dënuar prerë, e ka kërkuar falje e është përulur për krimet e regjimit komunist dhe viktimat e pafajshme të tij. "Sali Berisha nuk e ka bërë këtë. Të hënën foli qartë për krimet e udhëheqësve komunistë, i përshkroi madje me një realizëm sikur të qe pjesëmarrës në to, por asnjëherë nuk tha se ku kishte qenë, ç‘status kishte në Partinë e Punës, ç‘kishte thënë në atë kohë, si kishte reaguar, kë kishte denoncuar, si ishte nënshtruar, Sali Berisha", nënvizoi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›