E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Arsimi sot është në batakun e politikës së vjetër

 

Kreu i socialistëve Edi Rama, në vijim të turit të tij "Dialog me Shqipërinë", ka diskutuar për herë të dytë në Fier për arsimin. Duke iu referuar situatës në të cilën ndodhet arsimi në vend, Rama ka akuzuar qeverinë Berisha se nuk arrin të kuptojë nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve dhe aq më pak të korrigjojë defektet e sistemit. Arsimi është aktualisht, sipas Ramës, në atë që ai e quan batak i politikës së vjetër. "Kjo është qeveria e turpit, për arsimin si çdo gjë tjetër të ç'orientuar në vend. Askush nuk i ka hedhur sytë tek arsimtarët. Kjo kategori e punësuar është më e diskriminuara në vend, ndërkohë duhet theksuar edhe fakti që shumë arsimtarë që e kanë përfunduar shkollën nuk janë pozicionuar, sepse janë militantët që kanë zënë çdo vend pune në të gjitha anët e Shqipërisë", tha Rama. Ai u është drejtuar arsimtarëve duke u kërkuar sugjerime për programin e PS-së për arsimin dhe për të ngritur shqetësimet e tyre. Rama ka kundërshtuar TVSH-në për universitetet private, oraret dhe sigurinë në shkolla dhe i ka mëshuar gjithashtu depolitizimit në arsim. "Nuk duhet të mbetemi peng i ngjyrimeve politike në arsim, sepse një gjë e tillë po na kushton shumë. Po na kushton deri edhe në jetën tonë. Po na kushton në jetën e fëmijëve tanë. Ata nuk mund të arsimohen siç duhet, ata nuk kanë kushte, jeta e tyre është më e pasigurt se kurrë. Ne nuk kemi një arsim të orientuar, kontemporan dhe kjo përfshin të gjithë sistemet si ata para universitar, ashtu dhe në nivelet akademike. Ne nuk kemi ende një infrastrukturë të gatshme që të presim studentët tanë në universitet, ashtu sikurse nuk kishim asgjë për t'u ofruar nxënësve që nisën shkollën në 15 shtator. Të gjithë ne duhet të jemi zëri i ndërgjegjes që ky mallkim që ka zënë shqiptarët të zhduket", ka vijuar Rama. Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm arsimtarësh të cilët japin mësim në shkolla të ndryshme të rrethit të Fierit.         m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›