E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD nis zgjedhjet, kriteret për kandidatët

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike hap zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve në strukturat e saj. Kryeministri Berisha thirri dje mbledhjen e kryesisë, e cila në 25 minuta miratoi udhëzimin e ri të Këshillit Kombëtar, që ka të bëjë me procedurat që do të ndiqen për zgjedhjet e reja në parti. Me ndryshimin e Kodit Zgjedhor për sa i përket sistemit elektoral, do të ndryshojnë edhe strukturat e PD-së, ku nuk do të ketë më 100 nëndegë në bazë të zonave zgjedhore, por seksione të cilat do të jenë në bazë të qendrave të votimit. "Njësia më e spikatur në PD ka qenë nëndega që kishte një përputhje me zonat elektorale, tani zonat elektorale nuk funksionojnë më. Tani ne për çdo qendër votimi, që është njësia bazë, do të jetë një seksion i PD-së. Kjo do të jetë njësia që lidh anëtarët e PD-së me strukturat e PD-së", theksoi dje pas mbledhjes së kryesisë, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Sipas udhëzuesit, bazë për vlerësimin e punës së strukturës dhe drejtuesve në këtë proces zgjedhor do të jenë analiza e veprimtarisë politike dhe rezultatet në dy zgjedhjet e fundit, si dhe rezultatet në qeverisjen në territorin e degës të përfaqësuesve politikë të PD-së në të gjitha nivelet. "Përveç analizës së zhvillimeve politike, vlerësimeve dhe kontributeve për mirëqeverisjen e PD-së, në mbledhjet e grupseksioneve të këmbëngulet edhe në analizën e veprimtarisë së seksionit, veçanërisht gjatë fushatës së fundit zgjedhore të vitit 2007, me synimin për të korrigjuar defektet e funksionimit të vërejtura gjatë kësaj periudhe dhe për të mbajtur qëndrimet përkatëse konform statutit", thuhet në udhëzim.
Kriteret për kandidatët
Në udhëzim janë përcaktuar edhe kriteret që do të merren parasysh për kandidatët që do të garojnë për kryetarë të degëve. Kështu do të merret parasysh fakti nëse kandidati për kryetar dege ka dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së, apo ka marrë rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues i degës. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, në degën e kryeqytetit, ku prej disa javësh ka konfirmuar kandidaturën Besnik Mustafaj, zgjedhjet do të kalojnë në disa etapa dhe do të përfundojnë brenda 3-4 muajve. "Zgjedhjet në degët e Tiranës do të kalojnë në disa etapa, ku do të zgjidhen kryetarët e seksioneve, grupseksioneve dhe më pas gradualisht në të gjithë degën. Do të jetë një kalendar pune i detajuar dhe do të përfundojë brenda një periudhe 3-4-mujore", theksoi Bode.

Kriteret për kandidatët e degëve

• Të jetë ligjërisht dhe faktikisht banor i degës përkatëse (kriter kualifikues);

• Të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv;

• Të ketë përvojë politike si anëtar i PD, apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jo politike;

• Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD;

• Të ketë pasur rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues dege.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›