Zbardhet vendimi që "rrëzoi" Sollakun
Trazhgim Sokolaj
Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e saj, në të cilin procedura e shkarkimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm është konsideruar e rregullt në raport me ligjin themeltar të shtetit. Gjykata Kushtetuese me votën e shumicës së anëtarëve, që morën pjesë në gjykim, ka rrëzuar pretendimet e ish-kryeprokurorit për papajtueshmërinë e procedurave dhe dekretit të shkarkimit të tij me Kushtetutën. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të rregullta procedurat e Komisionit Hetimor Parlamentar në të gjithë veprimtarinë e tij, që nga krijimi deri tek paraqitja e raportit përfundimtar pas "hetimeve" ndaj ish-kryeprokurorit Sollaku. Në të njëjtin vendim, gjykata e konsideron të rregullt edhe dekretin e firmosur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të akuzës, si dhe gjithë procedurën e ndjekur në këtë rast. Pavarësisht vendimit të dhënë nga shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, bie në sy se tre anëtarë të saj, kanë qenë kundër vendimit duke arsyetuar se në procedurën e ndjekur për hetimin parlamentar, propozimin për shkarkim, votimin e këtij propozimi në Kuvend e më pas dekretimin e shkarkimit, ka pasur atakime të ligjeve në fuqi dhe përmbajtjes së Kushtetutës. Në vendimin e bërë dje publik nga Gjykata Kushtetuese, ku janë hedhur poshtë pretendimet e ish-prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, bie në sy fakti se më shumë se dy herë, anëtarët e gjykatës kanë përdorur ekstrakte të vendimit për shkarkimin e ish-kryeprokurorit Arben Rakipi, paraardhës i Theodhori Sollakut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe ai i shkarkuar mes debatesh dhe akuzash të shumta. Vendimi është dhënë nga nëntë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Vladimir Kristo, kryetar, Gjergj Sauli, Fehmi Abdiu, Kristofor Peçi, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi, Sokol Berberi, Kujtim Puto, anëtarë. Nga nëntë anëtarët e Gjykatës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, gjashtë prej tyre kanë qenë pro rrëzimit të kërkesës së ish-kryeprokurorit Sollaku, ndërsa tre të tjerë kanë qenë pro kërkesës së tij. Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar "shfuqizimin si antikushtetues të dekretit nr.5523, datë 22 nëntor 2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i vendimit nr.141, datë 5 nëntor 2007 të Kuvendit të Shqipërisë". Me këto vendime fillimisht Parlamenti votoi dhe më pas Presidenti dekretoi shkarkimin e ish-kryeprokurorit nga detyra. Sipas dekretit nr.5523 të firmosur nga Presidenti Bamir Topi, më 11 nëntor 2007, pasi dëgjoi komisionin e ekspertëve të thirrur prej tij për shqyrtimin e kërkesës së Parlamentit, kreu i shtetit shkarkoi ish-kryeprokurorin me motivacionin "shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksionit të tij".
Sadushi, Berberi e Abdiu pro Sollakut
TIRANE - Vendimi përfundimtar dhe në fuqi i Gjykatës Kushtetuese është kundërshtuar nga tre anëtarë të këtij institucioni që morën pjesë në gjykim. Sokol Sadushi, Sokol Berberi, Fehmi Abdiu kanë formuluar mendimin e pakicës bashkëngjitur vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata janë shprehur se ish-kryeprokurorit nuk iu dha mundësia e mbrojtjes ligjore ndaj akuzave që iu bënë qoftë në Parlament, qoftë edhe para Presidentit të Republikës. Në arsyetimin e tyre, tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi, Sokol Berberi, Fehmi Abdiu, i kanë gjetur të bazuara pjesën më të madhe të kërkesave dhe argumenteve që janë paraqitur para gjykatës Kushtetuese nga ish-prokurori i Përgjithshëm Sollaku. Sipas tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjatë procedurave të ndjekura nga komisioni hetimor parlamentar, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës për shkarkimin e kërkuesit nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pretendimet e Sollakut në Kushtetuese
• Kuvendi dhe Presidenti nuk e njohën dhe as e dëgjuan në lidhje me provat/faktet, që përligjin shkaqet kushtetuese të shkarkimit;
• Mosrespektimi i procedurave të hetimit dhe veçanërisht të atyre që lidhen me njoftimet e palëve në procese me të drejtën e mbrojtjes, i bën aktet përfundimtare të hetimit absolutisht të pavlefshme;
• Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, gjatë procedurave për shkarkim, shkelën haptazi edhe parimet e tjera të procesit të rregullt ligjor si prezumimi i pafajësisë, mosgjykimi dy herë i të njëjtës çështje, respektimi i ndarjes së pushteteve etj.
Pretendimet e Kuvendit
• Kërkuesi mund të legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, pasi t'i jetë drejtuar gjykatave të sistemit gjyqësor.
• Është Presidenti i Republikës organi kompetent për të kryer verifikimin nga pikëpamja kushtetuese, të shkaqeve e procedurave të ndjekura nga Kuvendi për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
• Kuvendi ka respektuar kërkesat e procesit të rregullt ligjor, gjatë procedurës për shkarkimin e kërkuesit.
• Prokurori i Përgjithshëm është vënë në dijeni për përmbajtjen e fakteve e dokumenteve, të dërguara edhe më parë në rrugë zyrtare.
Pretendimet e Presidentit
• Presidenti i Republikës ka vlerësuar kundërshtimet e Prokurorit të Përgjithshëm për procedurën e ndjekur.
• Presidenti verifikoi pretendimet e kërkuesit
dhe arriti në përfundimin se ai duhet shkarkuar nga detyra.