E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Buxheti i LSI planifikon dyfishimin e investimeve për bujqësinë

LSI do të subvencionojë 25-50 për qind imputet bujqësore
Lideri i LSI, Ilir Meta vizitoi dje Komunën e Kasharit dhe pikërisht një vreshtari, sipërmarrje private e një fermeri. Kreu i LSI iu bëri të ditur banorëve të kësaj komune planin e LSI për të nxjerrë bujqësinë nga kriza përmes një mbështetjeje të fuqishme nga Qeveria që do të vijë pas fitores së LSI në zgjedhjet e 28 Qershorit. Ne kemi një plan për të mbështetur fuqishëm bujqësinë, agropërpunimin, vreshtarinë, pemëtarinë, të gjithë ato element të domosdoshëm që do të bëjnë të mundur të rritet më shpejt prodhimi bujqësor në vend, ti sigurohet dhe ti garantohet shitja e tij dhe të rritet në mënyrë të shpejt dhe kapaciteti agropërpunues në vend, deklaroi Meta para këtyre banorëve.Meta iu premtoi subvencionimin 25-50 për qind të çmimit të farërave, të plehrave kimike dhe pesticideve, të mekanikës dhe të përpunimit të tokës. Për të subvencionuar 20 për qind të prodhimit dhe kjo është e rëndësishme për të lehtësuar kostot dhe shpenzimet tuaja dhe për të mbështetur në mënyrë të veçantë përpunimin e këtyre produkteve bujqësore dhe blegtorale në vend, duke realizuar dy mbështetje të rëndësishme, tha Meta. Ai shprehu bindjen se LSI është e vendosur të krijojë një fond shtetëror në bashkëpunim me bankat për kreditimin e bujqësisë dhe veçanërisht në agropërpunimin. Gjithashtu, Meta shprehu vendosmërinë për të krijuar një fond për të mbështetur investimet, përsa i takon qendrave të grumbullimit, qendrave të agropërpunimit dhe gjithë infrastrukturës së domosdoshme, që të krijohet ai zinxhiri i domosdoshëm agraro- industrial. Ne mendojmë se Qeveria jonë, jo me fjalë por duke financuar do të ndërhyjë në këto elemente të rëndësishme duke filluar që nga subvencionimi i farërave, i pesticideve, të plehrave, të punimit të tokës përmes karburantit dhe mekanikës, u shpreh Meta. Plani i LSI, tha Meta është një plan që mbështetet në treguesit ekonomikë të vendit dhe që në buxhetin për vitin e ardhshëm, që do të miratohet në vitin 2010, do të jetë planifikuar dyfishimi i investimeve për bujqësinë. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për të përmirësuar jetën tuaj, por për të përmirësuar atë bilanc eksport-import që sot ka vendi, që ndikon në rritjen e varfërisë dhe në dekurajimin e njerëzve për të punuar dhe investuar, tha Meta. Meta zhvilloi një bisedë me fermerët që punonin në vreshta, dhe dëgjoi problemet që banorët e Kasharit kishin për të kultivuar vreshtarinë dhe prodhimet e tjera bujqësore. Gjatë bisedës me pronarin e vreshtarisë, me këshilltarin e Komunës Kashar Alfred Bakallin, me ekonomistin Ndoc Bushgjoka, Meta dëgjoi ankesat e tyre për pamundësinë e fermerëve për të blerë pesticide, pamundësinë për ta vaditur mjaftueshëm vreshtin, për asnjë mbështetje që nuk kanë për naftë me çmim më të ulët dhe pamundësinë për të nxjerrë produktet e tyre në treg. Fermerët përmendën faktin se problemi kryesor është pamundësia financiare për shërbimet. Sipas fermerëve, ujitja është një problem esencial, plehrat kimike lënë për të dëshiruar, pesticidet nuk janë efektive. Nga ana e tij, Lideri i LSI Meta u shpreh se ju mundoheni shumë për të realizuar diçka dhe sfida për të ecur përpara në bujqësi, vreshtari nuk është një sfidë vetëm e juaja individuale, por është një sfidë për të gjithë vendin. Është një sfidë e shtetit, e gjithë shoqërisë se nga kjo varet  shumë dhe fuqia e ekonomisë tonë kombëtare, e cila është në një gjendje katastrofike, në veçanti për shkak të prodhimit tepër të ulët bujqësor në vend, u shpreh Meta, duke shtuar se ne importojmë në mënyrë të jashtëzakonshme nga jashtë. Meta shoqërohej nga drejtues të tjerë të LSI, specialistë të bujqësisë si Prof.Edmond Panariti, Prof. Hasan Hoxha, Sekretari i Përgjithshëm i LSI së Tiranës, Elez Gjoza dhe anëtari i Kryesisë së LSI, Roland Çelmeta.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›