Vlorë, Meta: LSI garanton një Qeveri në shërbim të njerëzve
Kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një vizite të zhvilluar në Vlorë, ka bërë edhe një takim me banorët e zonës së komunës Kotë, në Lumin e Vlorës. Pasi falënderoi banorët për pjesëmarrjen në takim dhe përkrahjen që i kanë dhënë LSI, Meta deklaroi se LSI do të marrë përsipër që të përmirësojë jetën e banorëve të zonave rurale, nëpërmjet rimëkëmbjes së bujqësisë, pasi vetë bujqësia është në krizë. Sipas tij, kjo do realizohet përmes një programi, që mbështetet te zhvillimi i bujqësisë që nga subvencionimi i imputeve bujqësore në masën 25 për qind, për të vazhduar me subvencionimin e prodhimeve përmes parimit kush prodhon më shumë, të subvencionohet më shumë.
Gjithashtu, ai tha se LSI do të nxisë edhe ngritjen e qendrave të prodhimit si dhe krijimin e industrisë agropërpunuese. Duke vazhduar më tej, Meta tha se bujqësia sot është në krizë, jo vetëm për mospërkrahje nga shteti, por edhe sepse secili prodhon aq sa mundet dhe sipas ideve të tij. Edhe farërat janë të skaduara dhe nuk mund të ketë prodhim të garantuar, tha Meta. Ai deklaroi se në programin e LSI për rimëkëmbjen e bujqësisë, synohet që deri në vitin 2010 të dyfishohen investimet për bujqësinë duke krijuar perspektivë si dhe duke siguruar projekte afatgjatë që do të ndryshojë edhe raportin e importeve dhe eksporteve të produkteve bujqësore, duke synuar rritjen e prodhimit të vendit dhe si rrjedhojë rritjen e eksporteve. Është Koha për Veprim, sepse është koha për tju dhënë fund mashtrimeve të atyre që përgjatë këtyre viteve nuk kanë bërë asgjë tjetër vetëm kanë dhënë premtime boshe, u shpreh Meta. Më pas duke folur për përkrahjen e LSI ndaj individëve të moshës së tretë, Meta tha se LSI është e vetmja forcë politike, që mendoi për pensionistët në të gjithë vendin duke hartuar edhe një projektligj nëpërmjet të cilit garantohet mbështetje dhe shërbim për moshën e tretë, i cili nuk u miratua nga ky parlament dhe Qeveria Berisha. Ne garantojmë që me fitoren e LSI në 28 Qershor, ky projektligj do të kthehet në ligj, së pari për ti ofruar shërbim falas të gjithë pensionistëve dhe së dyti për rimbursimin e plotë të ilaçeve, u shpreh Meta. Lideri i LSI theksoi gjithashtu se, LSI do të garantojë që çdo i moshuar të lëvizë falas me një kartë pensionisti, pasi të gjithë e dimë që kjo kategori nuk mund të udhëtojnë me atë minimum pension që marrin. Gjithashtu në programin e saj, LSI ka si synim krijimin e Qendrave për Moshën e Tretë pranë çdo bashkie dhe komune. Unë vizitova një qendër të tillë, e cila falë përkrahjes së drejtueseve të LSI këtu në Vlorë, po tregon solidaritet dhe përkrahje ndaj pensionistëve, u shpreh Meta. Në fund Lideri i LSI garantoi se nëpërmjet programit të LSI të rinjve do tu ofrohen më shumë mundësi për shkollim dhe punësim. Sipas tij, 28 Qershori do të jetë fitorja e LSI, pasi është LSI që do të garantojë Qeveri të majtë, progresiste dhe në shërbim të njerëzve.