E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, Leskaj: Shqipëria ka nevojë për një politikë të qytetarëve

Kryetarja e grupit të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj ka qenë në mbledhjen e Bordit qytetar të PS në qytetin e Elbasanit për të prezantuar para intelektualëve të këtij qyteti Programin e ri të PS. Që nga qyteti i Elbasanit, Leskaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re që e sheh realitetin në sy, që vë në themel të interesave dhe programit qeverisës nevojat e qytetarëve, jo interesat e çastit. Gjithashtu sipas Leskajt, Shqipëria ka nevojë për një politikë, që pushtetin nuk e sheh si qëllim, por si mjet për ta nxjerrë vendin nga tranzicioni i gjatë. Duke iu referuar qëndrimit mohues të kryeministrit Sali Berisha për krizën ekonomike, Leskaj përmendi dy arsye që Kryeministri nuk e pranon krizën. Sipas saj, është shkëputja nga realiteti dhe arsyeja elektorale njësoj si në vitin 1996. Leskaj tha se programi i PS është fokusuar në përgjysmimin e varfërisë në katër vjet.  Punësimi kryqëzon  shumë çështje të zhvillimit të një vendi. Arsimi është pikënisja e zhvillimit të individit dhe vendit, u shpreh Leskaj, duke vijuar se vizioni ynë nuk është kurues i papunësisë po nxitës i punësimit. Ajo tha se PS ka programuar një reformim rrënjësor për zyrat e punës, që sot më shumë janë vend pune për ata që punojnë atje. Ne po rishikojmë modelin social për të kaluar jo në një model asistencialist pasiv shpesh parazitar dhe kurues i problemeve në një model me politika aktive prevenimi të problemeve sociale, u shpreh Leskaj. Më tej Leskaj u ndal tek arsimi, që sipas saj, mbetet prioritet në programin e PS. Arsimin është parë si amortizator social, jo si motor zhvillimi për shoqërinë, theksoi Leskaj dhe kjo sipas saj, bën diferencën nga PD. Kryetarja Leskaj, duke iu drejtuar bordit të qytetarëve vuri në dukje se Elbasani është një nga rajonet që ka më shumë nevojë për një program serioz. Sipas saj, ka më shumë nevojë, sepse Elbasani është nga Qarqet me probleme të mëdha të varfërisë. Leskaj deklaroi se niveli i varfërisë në Elbasan është 20 % mbi mesataren kombëtare, niveli i papunësisë është 10 % mbi mesataren kombëtare dhe niveli i papunësisë në qytetin e Elbasanit është 23%. Por, Leskaj nuk është ndalur vetëm tek varfëria dhe papunësia, të cilat nuk janë të vetmet probleme të Elbasanit. Ajo është ndalur edhe tek problemet sociale, probleme të mjedisit, të shëndetit etj të tëra korelative, të lidhura e të ndërvarura nga njëra-tjetra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›