Berisha driblon polemikat me trajnerin
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Besart Berisha, ka shpjeguar incidentin e fundit të ndodhur pas ndeshjes kundër Hungarisë. Ai ka mohuar të ketë pasur një debat të drejtpërdrejtë me trajnerin e Kombëtares Ari Han, por nuk e ka fshehur se do të kishte pasur dëshirë të luante në atë ndeshje. “Nuk kam pasur asnjë konflikt me trajnerin. Këtu jam që të kontribuoj për fanellën e Shqipërisë, - ka thënë Berisha për “Koha Ditore”. - Unë jam dakord me të gjitha vendimet e trajnerit Han. I gëzohem secilës minutë që futem në fushë dhe kështu do të mbetet gjithmonë. Me Hungarinë shpresoja të aktivizohesha të paktën dy minuta, por këto janë vendimet e trajnerit dhe unë i respektoj plotësisht”. Berisha mund të mos jetë titullar as në ndeshjen e radhës që Shqipëria e luan të mërkurën kundër Portugalisë. Që kur Han drejton kuqezinjtë, ai asnjëherë nuk ka luajtur nga minuta e parë. “Nuk mund të paragjykoj, por nëse me jepet rasti do të isha i nderuar të luaj në një ndeshje kaq të rëndësishme, aq më tepër që përballë kemi Portugalinë me shumë yje, - ka shtuar Berisha. - Jam shumë i motivuar dhe nuk do të zhgënjeja trajnerin”.