E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomiku, protestë për stazhin

 

zirina llambro

Nuk kanë pranuar të hyjnë në auditorë as ditën e parë të shkollës. Rreth 1 300 studentë të Fakultetit Ekonomik në Tiranë e kanë nisur me protesta vitin e ri akademik. Me pankarta në duar ata kërkuan dje heqjen e stazhit. Pjesa dërrmuese e tyre firmosën një peticion, duke kërkuar kalimin e studentit mbetës në vitin pasardhës për të shlyer provimet gjatë vitit të ri akademik. Por në oborrin e Fakultetit Ekonomik nuk munguan as akuzat ndaj pedagogëve, të cilët i detyrojnë studentët të ndjekin kurset private, pasi ndryshe ata u shtohen listës së mbetësve."Nuk duam sot të përmendim emra pedagogësh, por të flasim për një fenomen që po ndodh rëndom me ne. Na bëhen presione duke mbetur në klasë mbi 90% të studentëve, si dhe duke na detyruar të ndjekim kurse private në shkëmbim të notës kaluese", u shprehën disa prej përfaqësuesve të studentëve. Ata paralajmërojnë se do të braktisin auditorët deri kur të kenë një përgjigje pozitive lidhur me kërkesat e parashtruara. Disa ditë më parë edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë protestuan për heqjen e stazhit. Sipas tyre, premtimi u është bërë nga kandidatët për dekanë përpara se të bëheshin zgjedhjet e drejtuesve në universitete. Sakaq rektori i UT-së, Dhori Kule, ka premtuar se do të përpiqet t'i japë zgjidhje institucionale këtij problemi.
Kuotat bosh
Janë rreth 4 000 kuota bosh në universitete, të cilat do të rishpërndahen javën që vjen. Këtë bëri me dije dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. "Kuotat e lira do të jenë për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të konkurronin deri dje, të mund të konkurrojnë përsëri gjatë javës që vjen e në vazhdim dhe të mund të shkojnë që të gjithë në universitete", tha Beja.
Ai shtoi se, kjo është një mundësi gjithmonë e bazuar në parimin "Meritë dhe Preferencë". "Mund t'ju them që do të ofrohet mundësia në të gjitha degët, minimalisht do të shtohen 5 kuota të lira për të gjitha degët që kanë qenë të mbushura 100%, edhe për ato degë që ka kuota të lira. Njëkohësisht dua të them që ka dhjetëra programe të reja, që janë krijuar pas vendimeve të fundit të qeverisë dhe është një mundësi e re, që ju ofrohet këtyre maturantëve, të cilët do të aplikojnë në ditët dhe javët e ardhshme", theksoi ministri. Ai nënvizoi se, kjo është një mundësi njëkohësisht, për të gjithë ata të cilët janë regjistruar tashmë jo në preferencën e tyre të parë, por në preferencën e dytë apo më tej, mund të aplikojnë në ato vende për të konkurruar, në mënyrë që të përmirësojnë preferencën e tyre.  "Ata që aplikojnë duhet të bëjnë me saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë. E them këtë sepse në ato fakultete, të cilat janë më të preferuara, janë vetëm 5 kuota që hapen dhe kjo krijon një mundësi jo për shumë studentë, por vetëm për ata që tashmë kanë pikët maksimale dhe për arsye, jo vetëm merite, por dhe administrative nuk kanë arritur të kualifikohen", sqaroi ministri i Arsimit. Sipas tij, bëhet fjalë edhe për rastet kur studentët kanë shkuar jashtë shtetit dhe gjenden në mes apo në fund të tabelës renditëse. "Ata tashmë kanë mundësi të konkurrojnë. Gjithashtu kam parasysh ata studentë që kanë mundur të hyjnë në sajë të meritës së tyre, por nuk janë regjistruar ende", u shpreh Beja. Gjithashtu një mundësi krijohet për të gjithë ata studentë, të cilët duan të ndryshojnë programin e studimit. Ata mund të aplikojnë për të zgjedhur ato degë, të cilat ofrohen, në këtë mënyrë korrigjohet kalkulimi jo dhe shumë i saktë që vetë kandidatët kanë bërë në preferencën e tyre.

Godo: Diplomat tona, me standarde evropiane

"Një student që edukohet në Europë ka avantazhe të dukshme nga studenti që del nga katedrat tona, por vendi ynë po shkon drejt Europës dhe do të vuajmë pasojat, nëse shkojmë duke mbartur këtë prapambetje. Ne, pedagogë e studentë, duhet të bashkojmë përpjekjet tona për një hap të ri, cilësor dhe këtë na e dikton koha më tepër se kurrë", kështu u shpreh dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Duke uruar studentët e Fakultetit të Mjekësisë ajo theksoi se, janë përvetësuar me sukses metoda më afër universiteteve europiane, kjo për faktin se në katedrat e Mjekësisë ka profesorë të nivelit evropian. Por sipas Godos, duhet bërë më tepër që këta të afirmohen si të tillë. Më tej ministrja u ndal në mungesën e bluzave të bardha në shumë fshatra e qytete të vendit. "I diplomuari ka një detyrë të qartë ndaj shoqërisë dhe shtetit që i ofron dhe i jep mundësinë të bëhet mjek. Ne s'mund të rrimë e të vështrojmë popullsinë që jeton në fshatra, të vuajë për mungesë të mjekut, që nuset sot të lindin në kushtet e gjysheve tona, për më tepër që në fshat jeton gjysma e popullsisë, ndaj mjeku që del nga ky fakultet, duhet të shërbejë së paku për pesë vjet në komunën e rrethit prej nga ka ardhur", nënvizoi Godo.

Topi: Duhet të ndryshojë ligji i Arsimit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi Fakultetin e Mjekësisë për të uruar studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri akademik. Duke përfituar nga ky rast ai deklaroi se, ligji "Për arsimin e lartë", i miratuar rreth një vit më parë, ka nevojë për ndryshim. "Ne kemi një ligj, me një amendament, por në biseda gjykohet që ligji ka nevojë të reformohet, kur diskutojmë për çështje mjaft të rëndësishme askush nuk besoj që të mos ndajë të njëjtin mendim që çdo gjë duhet bërë në mënyrë të kualifikuar, domosdoshmërisht në sajë të bashkëpunimit të politikës me katedrat dhe fakultetet", u shpreh Topi. Ai theksoi se, ka pasur mjaft debate që nuk janë bërë midis njerëzve që dinë dhe nuk dinë. "Kryesisht janë bërë debate midis rrethit të pedagogëve, rrethit të profesorëve dhe padyshim ka pasur dhe koherenca, por ka pasur dhe divergjenca", vijoi kreu i shtetit.

Berisha: Të luftojmë korrupsionin në arsim

"Duhet të luftojmë bashkë korrupsionin. Ne e nxorëm pranimin nga ndikimi tani, duhet të nxjerrim provimet nga korrupsioni", deklaroi dje kryeministri i vendit Sali Berisha. Me rastin e hapjes së vitit akademik, ai ishte në Universitetin Politeknik. Kreu i qeverisë theksoi se, shtimi i pedagogëve dhe dyfishimi i fondeve për arsimin janë masat që ndërmori qeveria për të përballuar liberalizimin e arsimit të lartë. Kryeministri foli për arsimin e lartë si një përparësi absolute e qeverisë. "Me kërkesën më miqësore dhe më të vendosur ju ftoj të kontribuoni të gjithë që të luftojmë me vendosmëri korrupsionin. Unë jam pedagog, kam dhënë mësim 23 vjet në universitet, nuk harroj kurrë ditët e pranimeve në universitete 3-4 vjet më parë. E nxorëm tërësisht jashtë çdo lloj ndikimi procesin e pranimeve në universitet. Tani bashkërisht me këta miq do të nxjerrim provimet jashtë çdo lloj ndikimi", tha Kryeministri.

Rama: Universitetet, fabrika me tri turne     

"I ashtuquajturi liberalizim universitetesh është shprehja më shembullore e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie injorantësh, që i ka braktisur të rejat e të rinjtë në mëshirën e fatit.", kështu u shpreh dje kreu i Partisë Socialiste. Ai nuk ka kursyer akuzat me rastin e hapjes së vitit akademik. "Për ç'konkurrencë e meritë mund të bëhet fjalë kur universitetet sot janë shndërruar në fabrika me tri turne të mbushura jashtë çdo kapaciteti me njerëz?! Duke shqyer dyert e universiteteve pa e vrarë asnjë  seriozisht mendjen për kushtet e mësimdhënies, për motivimin e ekipeve pedagogjike, për marrëdhëniet mes shkollimit e tregut të punës", tha Rama. Ai shtoi se, mundi, koha, paratë dhe shpresat e investuara për arsimimin e fëmijëve shqiptarë nga familjet e tyre nuk gjejnë sot mbështetje në asnjë politikë largpamëse, në asnjë plan kuptimplotë qeverisës, në asnjë lloj garancie për të nesërmen.

Studentët, specializim në Gjermani

DURRES - Studentëve të Universitetit të Durrësit do t'i jepet një shans historik, në sajë të të cilit, ata pas dy viteve studimi në Shqipëri, mund të mbyllin diplomën "bachelor", duke studiuar për një vit në Gjermani. Nuk do të ketë më asnjë pengesë vizash, pasi me nënshkrimin e marrëveshjes është atashuar në Durrës edhe një ekspert i Qendrës Ndërkombëtare të Migracionit.         o.u

Beja: Shkodra, universitet rajonal

SHKODER - Ministri i Arsimit, Fatos Beja, bëri të ditur që Universiteti i Shkodrës të shpresojë në "Masterat e nivelit të dytë". Ai u shpreh dje se, arritjet e këtij universiteti janë shumë të dukshme, të matshme si dhe me një staf akademik të kualifikuar, duke premtuar dhe kthimin e tij në një universitet rajonal.                                                                                                   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›