“Ditët e fundit, të tim ati me Bethoven e Chateubriand”
Anila Mema
Biçikletën nuk e ndan. “Benzin tim e kam parkuar këtu pranë”, thotë me të qeshur. E ka trashëgim nga i ati, që ia ka mësuar qysh të vogël. Sikurse dhe gjuhët e huaja, po aq edhe notin. Mirvjen Kokona, e bija e madhe e Vedat Kokonës, botuesja e veprave të tij, sot do të mbledhë në ambientet e piano-bar “Piazza” miqtë e shkrimtarit e përkthyesit të njohur. Janë plot dhjetë vite pa të. Dhe ka menduar të mblidhen së bashku e ta kujtojnë si shkrimtar, përkthyes, leksikograf, prind apo si njeri të mirë. Dhjetë vite më parë, në 1998, Mirvjen kujton tek i lexonte të atit, shtrirë në shtrat, “Kujtimet e përtej varrit”, të Chateaubriand-it, apo tek i mbante fjalorin e sapobotuar dhe i tregonte ç’kishte shkruar. Por si aso kohe, edhe sot pas dhjetë vitesh, veprat e tij nuk i ndan. Në çdo kohë është me to. Punon për to. I boton. Por si e kujton Mirvjena të atin, fëmijërinë e saj pranë tij, fëmijërinë e tij, të treguar, adoleshencën, vitet e rinisë e më pas sukseset e momentet e fundit të jetës. Një rrëfim i saj për “Panorama”.
Si e kujton fëmijërinë tënde, pranë babait?
Dihet që vajzat janë të lidhura shumë me babain sesa me nënën dhe unë e kam dashur jashtëzakonisht shumë. Nuk bëj ndonjë përjashtim në këtë aspekt. Ka qenë shumë i urtë si njeri, shumë i mirë, që nuk mbaj mend të ketë bërtitur ndonjëherë. Mbaj mend vetëm fjalë të mira, kjo ishte natyra e tij. Nga nëna edhe kam ngrënë të shara apo ndonjë pëllëmbë të vogël. Por në gjithë fëmijërinë time dhe më pas adoleshencës e mbaj mend njësoj, i pandryshueshëm. Një prind shumë i dashur, që na jepte vazhdimisht këshilla për të mësuar, për të lexuar. Një prind që e mbaj mend të ulur në atë skrivaninë e tij dhe që nuk lëvizte prej andej edhe kur e thërrisnin për të pirë një kafe, kjo kohë ishte shumë e shkurtër. I mbetej peng, nëse unë apo ime motër, Mimoza, (12 vite më e vogël) i thoshim se nuk kishim mësuar. Mbaj mend e vogël na merrte të dyjave përpara në biçikletë, ka pasur një të tillë, që na merrte vazhdimisht me të, më pas merrte nipërit dhe mbesat e tij deri kur ata u rritën. Ndaj dhe unë mbase e kam të trashëguar nga ai dhe vazhdoj ta kem një biçikletë që e përdor.
Gjeni ndonjë pikëlidhje në fëmijërinë tuaj dhe të tijën?
Ç’është e vërtetë gjithmonë na fliste për fëmijërinë e tij. Kur kujtoj fëmijërinë e tim ati, më duket sikur edhe unë kam qenë pjesëtare në ato kohë kur ka qenë ai. Na fliste për Izmirin, për shkollën ku shkonin bashkë me vëllain e tij, xhaxhain tim, kur shkonin me autobus në Karshiaka. Por kujtimet e tij ishin të shumta. Tregonte për vitet në Korçë, fliste me shumë dashuri për Liceun e profesorët aty, ndaj dhe donte që të bëhej si ata. Kjo ka ardhur edhe tek unë. Dhe kur dola mësuese vetë, doja dhe unë të lija përshtypje sa më të mira tek nxënësit, por nuk e di në kam arritur. Mbaj mend kur ishim në Berat, ai ishte mësues në shkollën pedagogjike aty. Unë shkoja shpeshherë me nënën time ta prisnim kur dilte nga shkolla, se shëtitja ajo ishte. Nga shtëpia deri në shkollë edhe ktheheshim. Kur e hoqën nga pedagogjikja, ndonëse isha pesë vjeçe nuk e harroj nënën, që qante dhe tim at që mundohej t’i jepte kurajë. Ishte vërtetë dëshpëruese.
Si e njeh ditëlindjen e tij?
Nuk di detaje të hollësishme për të. Por di që ka lindur në Izmir, ka qenë shumë i lidhur me të atin, ka qenë i dashur me motrat dhe vëllain. Këto mbaj mend nga ato që tregonte, ndërsa në moshën shtatë vjeçare, kthehen në Gjirokastër, në 1920. Mbaj mend dhe nga kujtimet që ka shkruar, se sa përshtypje i ka bërë ai qytet, kur shkeli për herë të parë. Kontrasti ndihej nga Izmiri, një vend plot drita, në një qytet të gurtë e pa drita.
Kur shkruante?
Kur ishte në punë, shkruante pak. Por pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtëpi, që përkthente. Aty punonte gjithë kohën, në qoshen e dhomës, ku ndodhej dhe skrivania, përkthime e vepra, që më vonë u botuan të gjitha. Por ai shkruante gjithmonë, përkthente poetët francezë në shqip dhe shqiptarët ato që ai i pëlqente pjesët më të mira, nga Gavril Dara, Migjeni, Naim Frashëri, Vaso Pasha në frëngjisht
Ç’raporte kishte me shkrimtarët e huaj. Ndonjë që e adhuronte?
E donte shumë letërsinë klasike, gati e adhuronte. Megjithatë dhe modernen po ashtu. Pëlqente poezitë e Zhak Preverit, Hugoin, Rusoin, Rablenë, e adhuronte, por jo vetëm francezët, gjithashtu pëlqente edhe klasikët evropianë si: Sheksipirin, Danten, Petrarkën. Ajo që kishte dëshirë të madhe, ishte që bashkëkombësit e tij të mësonin sa më shumë gjuhë të huaja, që të shijonin si vetë ai veprat në origjinal.
Çka lindur më parë tek ai, përkthyesi, shkrimtari, apo leksikografi?
Them shkrimtari, ndonëse në vitet e para të shkollës, pati edhe përkthimet e para, më pas leksikograf dhe përkthyes. Që në bangat e shkollës ai edhe përkthente poetët francezë, si Hygoin, Rusoin, por shkruante dhe poezi, të cilat më pas i botoi “Dritë dhe hije”. Ka shkruar njëkohësisht edhe “Nga Tirana në Stokholm”, kur ishte student, ndaj mund të them pa frikë ai ishte shkrimtar në fillim, që shkroi mandej “Valët e jetës”, dramën psikologjike, “Hijet e natës”. Ndërkohë si leksikograf dhe si përkthyes veprat e tij ishin të pafundme.
Si kanë qenë ditët e fundit të tij, si i kujtoni tani dhjetë vjet më pas?
Ka pasur një mendje të kthjellët, të jashtëzakonshme, për të cilën ishte për t’u admiruar. Dëgjonte muzikën e Bethovenit dhe lexonte “Kujtimet e përtej varrit” të François Rene Chateaubriand. Atje kishte një pjesë që shkruhej për vdekjen dhe më thoshte t’ia lexoja këtë pjesë, për të ishte e bukur. I thosha: pse ta lexoj?! Por ai e ndiente dhe vetë që nuk do të ishte për shumë kohë. Nuk donte që të ikte, thoshte të kem dhe pesë vjet jetë të mbaroj këto që kam nisur, por atij nuk do t’i mjaftonin as 50 vjet për veprat e tij. Ndërsa ditët e fundit, kur u botua fjalori shqip-frëngjisht në vitin 1998, ai nuk ishte në gjendje ta mbante fjalorin në dorë. Ishte tepër i rëndë. Por kishte dëshirë t’i lexoja pjesë nga fjalori, nga fjalët, se nuk ishte një fjalor thjeshtë përkthim fjalësh nga shqipja në frëngjisht, por kishte shumë sinonime, shumë shprehje, të cilat vërtetë mund të lexoheshin si tregim. Dhe më thoshte: çuditem me veten time si i kam bërë këto gjëra. Ka punuar shumë dhe ka bërë shumë.
La ndonjë amanet para se të ikte?
Vetëm të botonim kujtimet. Nuk i mbaroi dot dhe na e la porosi t’ia botonim. Të gjitha i la gati dhe ne me porosinë e tij i kemi botuar ashtu të pandryshuara. Nuk kemi pasur dëshirë të vëmë dorë.
Ka ndonjë vepër a shkrim të pabotuar në arkivin e tij?
Jo, janë botuar të gjitha. Nuk kemi më asgjë pabotuar. Së fundi ka dalë “Lutja e fundit”, një vepër me tregime të shkruara para çlirimit e pas tij, por kemi në plan për të botuar poezitë dhe publicistikën. Kemi menduar të bëjmë një përmbledhje të të gjithë veprës së tij, një botim të plotë.
Sot në përvjetor
Sot në orën 18:00 në ambientet e Piano-bar “Piazza”, e bija e shkrimtarit, përkthyesit të njohur Vedat Kokona, Mirvjena, do të mbledhë gjithë miqtë e tij dhe të afërmit për ta kujtuar. Një bisedë e tij e regjistruar, si dhe kujtime miqsh do të jenë programi i asaj çka ka menduar të realizojë sot në mbrëmje për dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta së të atit.
Botimet e plota
Gjithë jetën ka qenë e lidhur pas tij, po aq edhe tani që nuk jeton më. Jeton vepra, me të cilën ajo punon ccdo ditë. I ka botuar tashmë gjithccka, të pabotuara nuk i kanë mbetur më, mendon të bëj një ribotim të tyre, për të sjell të plotë kësisoj gjithë veprën. Për mirvjen kokonës, nuk ka qenë e thjeshtë në këto dhjetë vite, që vedati nuk jeton më. “Ka qenë e rëndë për mua, por për fat të mirë, unë kam qenë pothuaj përditë me të duke u marrë me botimet, përkthimet, fjalorët.... Më duket sikur është atje duke shkruar dhe unë e pyes dhe konsultohem me të për shkrimet e tij. veprat më bëjnë ta ndjej shumë afër” shton ajo. Ndërkohë një meritë të veccantë i jep nënës, e cila ka ditur të merret me ta për vite me radhë. Im at dinte vetëm të shkruante, ndëresa nëna kujdesej për gjithccka për të. Ishte ajo që i dha mundësia që babai tim të shkruante” thotë Kokona.