Krugman fitoi “Nobel”-in për Ekonomi
Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave nderoi dje me çmimin “Nobel” për ekonominë shkencëtarin amerikan, Paul Krugman. Profesor i Universitetit Princeton dhe opinionist i gazetës “The New York Times”, Paul Krugman njihet prej kohësh si një kritik i fuqishëm i politikës ekonomike dhe financiare të administratës së presidentit aktual amerikan, Xhorxh Bush. Sipas tij, politikat e dështuara të kësaj administrate e kanë çuar vendin deri te kriza aktuale financiare. Çmimi iu dha Krugman si vlerësim për punën e tij mbi efektet e tregtisë së lirë dhe globalizimin. Çmimi “Nobel” për ekonomi është i fundit nga gjashtë çmimet e përvitshme “Nobel”, që u shpallën kësaj radhe. Pjesa më e madhe e çmimeve janë fituar nga shkencëtarë dhe kërkues amerikanë, të cilët shumë herë kanë pasur bashkëpunime me shkencëtarë nga shumë vende të botës.