Lala mbush 70 kundër Portugalisë
Altin Lala i ka të gjitha gjasat të hyjë në librin e rekordeve me përfaqësuesen shqiptare. Kapiteni i Kombëtares, tashëm në kuotën e 69 ndeshjeve është vetëm 4 ndeshje larg legjendës Foto Strakosha, që me 73 ndeshjet e tij me fanellën kuqezi është dhe lojtari shqiptare me më shumë ndeshje. Nëse do të luajë kundër Portugalisë, Lala do të rrumbullakosë shifrën 70 të ndeshjeve me përfaqësuesen. Shqipëria ka dhe 7 ndeshje zyrtare për të luajtur deri në përfundim të eliminatoreve të Botërorit 2010, plus disa ndeshjeve miqësore në datat e lira të FIFA-s. Rekordin shqiptar përsa i përket numrit të golave të shënuar e mban Alban Bushi (14 gola), i ndjekur nga Altin Rraklli (11). Igli Tare e Sokol Kushta kanë shënuar nga 10 gola, ndërkohë që nga lojtarët që ende luajnë numrin më të madh të golave e kanë Erjon Bogdani e Ervin Skela, që të dy nga 9 gola.