E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’ka më humbje të thella për Shqipërinë”

 

Fatjon Kodra

Eduard Abazi është për të gjithë një idhull i futbollit shqiptar, një emër i njohur që ka luajtur në shumë skuadra gjatë karrierës së tij të lavdishme. Që prej 14 vjetësh ish-sulmuesi i njohur jeton në Portugali, aty ku edhe e mbylli karrierën tij si futbollist. Mjafton të përmendësh faktin se ka veshur fanellën e një klubi si Benfika, ndër më të njohurit në Portugali dhe Evropë për të kuptuar vlerat e tij si futbollist. Eduard Abazi do të jetë i pranishëm në stadiumin e Bragës për ndeshjen Portugali-Shqipëri, por thjesht si spektator, kuptohet. “Shqipëria i luajti dy ndeshjet e para në fushën e vet dhe mund të them se mori maksimumin e mundshëm. Barazoi me Suedinë dhe fitoi me Maltën, por tashmë, do të jetë akoma më e vështirë, - tha Abazi për mediat portugeze. - Këtë herë, Portugalia do të luajë kundër një mesfushe të fortë, ku bëjnë pjesë lojtarë si Lorik Cana, i cili është kapiteni i Olimpikut të Marsejës dhe nga më mesfushorët mbrojtës më të mirë në qarkullim. Më pëlqen ta shikoj Shqipërinë të luajë në Portugali dhe jam i bindur se kuqezinjtë nuk do të vijnë këtu thjesht për të qenë pjesëmarrës dhe do t’i hapë punë Portugalisë”, tha ish-futbollisti shqiptar, i cili banon në Koimbra. Eduard Abazi, i cili me përfaqësuesen shqiptare ka luajtur dy ndeshje zyrtare kundër Portugalisë, të vlefshme për Botërorin 1998: “Humbëm 3-0 në shtëpi dhe 2-0 në transfertë. Luajtëm mirë dhe shpresoj që Shqipëria të ruajë të njëjtën traditë. Portugalia është favorite, por koha e humbjeve të thella me goleada për Shqipërinë ka ikur tashmë, - vijon ish-sulmuesi. – Shqipëria ka shumë futbollistë, të cilët luajnë në kampionate të njohura evropiane dhe i kanë dhënë Kombëtares një tjetër imazh, por e dimë që është e pamundur të kualifikohemi në finalet e një kompeticioni të rëndësishëm”. Abazi, i cili banon në një zonë të Koimbrës, vazhdon të flasë për Shqipërinë, por nuk e vë në dyshim fitoren e Portugalisë. Një vend që e ka mirëpritur dhe që normalisht ai e ka për zemër. “Pavarësisht se unë jam lindur e rritur në Shqipëri, më duhet të pranoj se Portugalia është një vend shumë herë më e mirë. Jam pritur shumë mirë këtu gjatë 14 viteve dhe vazhdoj të ndihem mirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›