E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Erdogan presin shiritin e Durrës-Kukës

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan inaugurojnë përfundimin e punimeve në njërin krah të rrugës Durrës-Kukës. Tre ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit, krerët e dy qeverive kanë udhëtuar drejt Rrëshenit për të prerë shiritin e rrugës. Ajo që binte në sy ishte mungesa e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte njoftuar se nuk do të ishte i pranishëm për shkak të axhendës së ngjeshur.
Berisha
Kryeministri Berisha vlerësoi ndërtimin e kësaj rruge si fundin e ndarjes së kombit shqiptar në dy anët e saj. “Korridori i kombit është korridori, që i jep fund ndarjes në mes të trupit të kombit shqiptar. Korridori i kombit është nderimi më i madh për ata qindra e mijëra burra e gra shqiptare, që ranë për të pushuar përjetë në altarin e lirisë së kombit, që flijuan jetën e tyre, për liri dinjitet e bashkim kombëtar. Korridori i kombit është vepra më e madhe e ndërtuar nga ky komb në tërë historinë e tij”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare. Sipas tij: “Të gjithë ata, të cilët, të nisur nga shqiptarofobia bënë çdo gjë për të penguar ndërtimin e tij dua t’i siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se ky korridor do t’u shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit, maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve  dhe të gjithë të tjerëve”. Por gjatë fjalimit kryeministri Berisha shfrytëzoi pjesëmarrjen e qytetarëve, ku nuk mungonin as flamurët e PD-së, të rendiste disa nga arritjet e qeverisë në këto katër vjet. Sipas tij, në mandatin e parë qeveria rriti rrogat e 60 mijë mjekëve, infermierëve dhe mësuesve, si dhe ndërtoi 6 mijë km rrugë në gjithë vendin.
Erdogan
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, iu referua prejardhjes së fjalës së gadishullit tonë për të treguar se me gjithë pengesat, këto dy vende tashmë janë pranë njëri-tjetrit. “Ndoshta e dini se fjala Ballkan ka kuptim vargmale. Megjithëse midis vendeve tona ka male, ne mundëm që gjatë gjithë historisë të jemi afër me njëri-tjetrin, të realizojmë së bashku në vëllazëri të plotë, idealet tona, për një jetë më të mirë, gjithnjë së bashku. Ne i kapërcyem këto male dhe gjithmonë duke lënë mënjanë ndarjet fetare dhe etnike ne gjithmonë kemi qenë së bashku i kemi çarë malet dhe jemi afruar me njëri-tjetrin”, u shpreh Erdogan. Në të njëjtën kohë ai vuri theksin te turqit, që punojnë në vendet e Ballkanit dhe ata që jetojnë prej vitesh në Turqi, por që janë nga Shqipëria e Kosova, të cilët i konsideroi si ura lidhëse, që fuqizon miqësinë mes këtyre vende. “Sipërmarrësit turq po investojnë në Shqipëri, veçanërisht, në ndërtim, banka, telekomunikacion, shëndetësi, metalurgji dhe  miniera, e po tregojnë interes për sektorin e turizmit. Unë me kolegun tim të nderuar kemi bërë projekte për gazin natyror dhe shpresojmë së afërmi të realizojmë që gazi natyror të kalojë transit edhe në Shqipëri”, u shpreh Erdogan.

Qindra kuksianë dhe kosovarë inaugurojnë rrugën e re
Hapet tuneli, vetëm 60 minuta për të lidhur Kukësin me Rrëshenin

Jonuz Hallaçai / KUKES

 Qindra banorë të Kukësit dhe të Kosovës u është dukur si ëndërr kur për pak minuta pasi kanë dalë nga tuneli i Kalimashit janë gjendur pa e kuptuar në Rrëshen. Në fakt dy rrethet fqinjë kurrë nuk kishin qenë më afër dhe askush nuk kishte parë ato zona që ndanin Kukësin me Mirditën. Vetëm 6 minuta në tunel u është dashur atyre për të kaluar në rrethin fqinj, ndërsa më parë harxhonin mbi 3 orë. Prej ditës së djeshme, për të shkuar nga qyteti i Kukësit në qytetin e Rrëshenit nuk duhet më shumë se 1 orë. Mëngjesi ka qenë i ngjeshur dhe ngjante si një ditë feste, ndoshta dita më e veçantë për kuksianët. Atë që kishin parë në TV e lexuar në gazeta atë që e kishin si debatin më të madh politik në këto dy vite e shuan me një udhëtim të pabesueshëm. Pavarësisht debateve njerëzit prekin një ëndërr të kamotshme të tyre. Tashmë mali nuk ekziston. Karvanët me automjete dhe flamuj kombëtarë të Kosovës të NATO-s, BE-së, por dhe qindra të PD-së, pasi kanë lënë qytetin e Kukësit në rrugën e vjetër, për 7 km kanë hyrë në autostradën e re me dy kalime, në një gjatësi prej 8 km deri tek porta e tunelit. Aty forcat e policisë dhe sigurisë së tunelit kanë bërë grumbullimin e makinave për t’i përcjellë autokolonë të shoqëruar nga Kalimashi në Thirrë dhe më pas të tjerat nga Thirra në Kalimash me një drejtim, pasi në galerinë e vetme të hapur, me dy kalime, nuk mund të lëvizet me kahe të kundërta. Udhëtimi brenda tunelit zgjat vetëm pak minuta, duke shkurtuar me 3 orë rrugën e vjetër. Galeria është e ndriçuar, me shumicën e infrastrukturës së përfunduar. Paralel me autokolonën kanë ecur makinat shoqëruese të sigurisë në gjithë tunelin që ngjan me një gyp gjigant dhe pa kaluar shumë udhëtarët janë gjendur në portalin jugor, në Thirrë. Prej atje rrugëtimi nis sërish me dy kalime dhe gjarpëron në luginën e Fanit për t’u divijuar vetëm për pak kilometra, pasi dy ura sipër Rrëshenit janë ende në ndërtimi. Krahu tjetër me dy korsi është duke u asfaltuar. I gjithë ky udhëtim deri në Rrëshen zgjat vetëm një orë. Sipër në male duken gjurmët e rrugës së vjetër që tashmë është në harresë që nga dita e djeshme. Specialistët e tunelit thonë se janë trajnuar ekipet e sigurisë dhe emergjencës dhe nga trajnues finlandezë. Po bëhen gati reparti i zjarrfikësve i ndihmës së parë. Në galerinë tjetër shpimi pritet të përfundojë pas pak ditësh dhe të dyja janë me dy kalime dhe me gjatësi 5.5 km. Për përfundimin e gjithë korridorit Durrës-Kukës-Morinë duhen edhe disa muaj, pasi segmenti Kolsh-Kukës–Morinë, ende është i papërfunduar jo vetëm në gjurmët e rrugës, por edhe në ura.                            j.h

Pas Topallit edhe Gjana: Mos u mashtroni nga thirrjet e PR

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike i kërkon elektoratit të saj të votojë vetëm nr. 10 në fletën e votimit, pas disa rasteve të evidentuara kur aleatët kanë kërkuar votat e mbështetësve të kësaj partie, duke e justifikuar me faktin se janë pjesë e të njëjtit koalicion. Pas deklaratave të disa ditëve më parë të nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, e cila bënte thirrje që në 28 qershor të votohej vetëm për këtë forcë politike, kandidati i PD-së në Dibër, Jemin Gjana ka denoncuar përpjekjet e disa prej aleatëve, që kanë mashtruar sipas tij elektoratin demokrat. “Nisur nga shqetësimet e përcjella nga anëtarë të Partisë Demokratike që ndodhen para ofertave e presioneve të kandidatëve të veçantë të partive politike të koalicionit të përbashkët me PD, të cilët u kërkojnë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së vota për vete dhe partitë e tyre, po deklaroj para opinionit publik se ky veprim i kandidatëve të forcave politike në koalicion me PD është i dëmshëm dhe kategorikisht i papranueshëm”, tha dje Gjana gjatë një konference për shtyp. “Duhet t’i bëjmë me dije gjithë opinionit, zgjedhësve dhe sidomos anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike, që të mos bien pre e spekulimeve të asnjë lloj kandidati të asnjë force politike, që shkon dhe u deklaron njerëzve se “edhe unë jam i Sali Berishës””, tha më tej Gjana. Burime pranë shtabit elektoral të PD-së në Dibër bënë të ditur për gazetën se kandidatët e dy aleatëve të kësaj partie, PR-së dhe PAA-së, janë duke bërë fushatë duke thënë se votat për këto forca janë vota për PD-në dhe kryeministrin Berisha. Madje, burimet bënë të ditur se pjesë e kësaj fushate janë edhe posterat e Partisë Republikane të shpërndara së fundi, ku kreu i kësaj partie Fatmir Mediu është së bashku me kryeministrin Berisha. Sipas kandidatit të PD-së në Dibër Jemin Gjana, kjo forcë nuk do të lejojë manipulimin e elektoratit të saj pikërisht nga partitë aleate. “Ne kemi koalicion, e respektojmë koalicionin, partitë dhe kandidatët e tyre, por ne kërkojmë që partitë e koalicionit dhe kandidatët e tyre të kërkojnë e të marrin votat e tyre, të partive të tyre dhe të mos kërkojnë të marrin votat e anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike. Koalicion po, por në mënyrë kategorike, jo duke marrë votat e PD-së. Kjo do t’i dëmtonte rëndë edhe vetë ato parti koalicioni, por do të dëmtonte shumë rëndë dhe Partinë Demokratike”, tha më tej Gjana. Ndërkohë, të njëjtën thirrje përsëriti dje nga Fieri, Sokol Olldashi. “Ne jemi realisht në koalicion me partitë e tjera, por partitë e tjera janë të ftuara të marrin votat e tyre dhe jo votat e PD-së. Ndryshe do të dëmtonim rëndë interesin jo vetëm të Partisë Demokratike, por edhe interesat e partive të koalicionit, prandaj çdo votë vetëm tek sigla e Partisë Demokratike, vetëm tek numri 10, vetëm tek Sali Berisha”, u shpreh kandidati i PD-së në qarkun e dytë më të madh në vend.

Bashkia “shkul” posterin e Mediut
BURREL - Bashkia Burrel ka hequr mbrëmjen e së enjtes posterin e kryetarit të Partisë Republikane që ishte vendosur në dalje të qytetit, në afërsi të Muzeut Historik të rrethit. Burime të sigurta sqarojnë se aty ku ishte montuar posteri me përmasa të mëdha ku dukeshin qartë Berisha e Mediu, dega lokale e Partisë Demokratike Mat zhvillonte një takim me zgjedhësit e një qendre votimi. Mësohet gjithashtu se drejtuesit lokal të PR-së e kanë kundërshtuar urdhrin e vendorëve të Burrelit. Një tjetër incident ndodhi me zyrën elektorale të PR-së në Korçë, e cila u dëmtua gjatë orëve të natës. Policia identifikoi dhe ndaloi dy persona, të cilët i kishin kryer veprimet në gjendje të dehur. h.p/j.gj

Nedim Bej Vlora: Për çështjen kombëtare
Nipi i Ismail Qemalit mbështet çamët në Vlorë

VLORE - Nipi i Ismail Qemalit, Nedim Bej Vlora, profesor në universitetin e Barit në Itali mbërriti dje në Vlorë për të mbështetur Partinë për Drejtësi dhe Integrim në këtë fund fushate. Ai do të marrë pjesë së bashku me komunitetin çam dhe qytetarë shqiptarë në Qafë Botë të Sarandës, aty ku dhe hyri ky komunitet i përndjekur dhe masakruar nga grekët. “Ashtu si kemi ndikuar të gjithë së bashku në zgjidhjen e çështjes kosovare të ndikojmë për zgjidhjen e çështjes kombëtare çame, për ta vënë atë në axhendat ndërkombëtare për zgjidhje”, u shpreh Nedim Bej Vlora.
Cila është arsyeja që jeni sot në Vlorë?
Nuk kam mbështetur asnjëherë ndonjë parti politike në fushata, por këtë radhë për shumë arsye kam ardhur të mbështes popullin çam të Shqipërisë dhe partinë e tyre PDI, si dhe kandidatin për deputet z.Dashamir Tahiri, si djalë çam. Tashmë dihet se populli çam u ndoq dhe u masakrua nga grekët 65 vjet më parë në mënyra më çnjerëzore. Duke u përfaqësuar në parlament, çështja çame merr rrugë nga parlamenti shqiptar drejt Komitetit Evropian ku trajtohet dhe merr zgjidhje. Dihet se Komiteti Evropian shkeljen e të drejtave të njeriut e ka çështje parësore.
Ju mendoni se me përfaqësimin në parlament të këtij komuniteti do të marrë zgjidhje të shpejtë çështja çame?
Jam i mendimit se çështja çame do të marrë zgjidhje në një afat të mesëm. Fillimisht duhet të flitet në parlament për këtë zgjidhje dhe më pas në Parlamentin Evropian dhe në organizmat e tjera ndërkombëtare. Çamët kërkojnë të drejtat e tyre të mohuara për 65 vite me radhë.
Cili është mendimi juaj për kandidatin për deputet z.Tahiri?
Në 1-vjetorin e pavarësisë së Kosovës takova Dashamir Tahirin me shumë vlonjatë të tjerë, që festonin bashkë me kosovarët. Ai kishte sponsorizuar për gjithçka. Mora vesh se ka sponsorizuar disa aktivitete në Kosovë dhe Shqipëri. Pra, ai i kalon interesat personale, ai ka në plan të parë çështjet kombëtare. Arsyeja e dytë që unë mbështes Tahirin është sepse gjyshi i tij z.Veli Gërra, ka ndihmuar gjyshin tim Ismail Qemalin dhe ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, në shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Pra, kemi dhe një traditë bashkëpunimi dhe ndihme farefisnore në zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Jam i bindur se Tahiri do të mbajë ndezur zjarrin, i cili sapo është ndezur. Çështja çame është çështje kombëtare dhe duhet të kontribuojmë të gjithë shqiptarët deri në përfundim të zgjidhjes të saj, ashtu si u zgjidh edhe çështja kombëtare kosovare. q.b

Poli i Lirisë fushatë në Sauk e Kurbin
Meksi: Kemi program konkret

Poli i Lirisë ka vijuar fushatën në Sauk të Tiranës dhe në Kurbin. Kreu i këtij koalicioni, Aleksandër Meksi u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që të votojnë numrin 17 në fletën e votimit në 28 qershor. “Poli i Lirisë ka një program alternative që është konkret i cili përfaqëson të gjitha fushat jetësore të shqiptarëve si drejtësia, pronat, shëndetësia etj. Kjo forcë mund ti sjellë shqiptarëve ndryshim real për të cilin aq shumë flitet”, tha Meksi. Nga Kurbini kreu i PDK-së, Nard Ndoka i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha ti japë fund diversioneve brenda demokristianëve. “Kryeministri Berisha, të ndalë sulmet dhe diversionet ndaj demokristianëve. Një kryeministër serioz, një doktor dhe një qytetar human kur vritet një kundërshtar politik i shpreh ngushëllime, Berisha nuk e bëri këtë sepse nuk është i tillë”, tha Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›