E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoçaj, fshati i thellë me 40 banorë që nxori 4 kandidatë për deputetë

 

BURREL - Gjoçaj është një fshat malor në komunën e Derjanit. Deri në vitin 1990 kishte afro 100 shtëpi, ndërsa sot numëron rreth 40 banorë. Toka e pakët, mungesa e vendeve të punës, gjendja e rënduar e infrastrukturës kanë bërë që banorët e fshatit të largët të largohen njëri pas tjetrit në drejtim të Tiranës dhe Durrësit. Në këtë fushatë, vetëm nga ky fshat janë në garë 4 kandidatë për deputetë, në listën e Qarkut të Dibrës. Për PD-në konkurron Dhurata Çupi, specialiste në Ministrinë e Brendshme, e cila qëndron e 6-ta në listën shumemërore. Afro 30 vjet më parë është larguar nga fshati dhe banon në kryeqytet. Për PSV‘91 kandidon ish-deputeti i PSSH-së, Halil Lalaj. Bashkimi Liberal Demokrat ka vendosur në listën e kandidatëve në vendin e dytë arkitektin Bledar Pasha. Ndërsa për të gjelbërit, po në vendin e dytë është caktuar studenti Bledar Lala. Kandidatja e PD-së Çupi ka udhëtuar drejt vendlindjes me 30-40 banorë, së bashku me drejtues të PD-së së rrethit e kandidatë të tjerë. “Dialogu” ka qenë i veçantë. Eshtë folur për Rrugën e Kukësit, për NATO-n, për vizat, duke harruar se banorët e mbetur jetojnë mes varfërisë ekstreme. Biseda ka rrjedhur e qetë, por nuk kanë munguar edhe gafat elektorale të stafit të kandidates Çupi. Duke dashur të thotë se “ky fshat do të ketë rrugë” folësi ka ngatërruar zonën e Mirditës me atë të Matit, rreth në të cilin ndodhet fshati Gjoçaj. Vajza nga fshati malor është shprehur se e kishte “për nder e krenari” që ishte përfshirë në listën e Kryeministrit Berisha dhe shprehu siguri se do të fitonte maksimumin e votave. Ndërkohë kandidatët e tjerë, Halil Lalaj, Bledar Pasha e Bledar Lala kanë preferuar të mos organizojnë takime në fshatin e vendlindjes. Po ditën e takimit të Çupit me zgjedhësit e fshatit ka udhëtuar drejt Gjoçajve edhe kandidati socialist, Qemal Minxhozi, i cili ka shkuar në çdo shtëpi, duke dëgjuar shqetësimet dhe hallet e banorëve të mbetur. Në këtë fshat, ashtu si dhe në ata fqinjë me të, banorët janë larguar prej kohësh, por fakti që nuk janë çregjistruar ka ngatërruar dhe kandidatët.                                            h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›