E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu, policia incident me PS

 

Aristir Lumezi

Policia e Shtetit bllokon ndërtimin e podiumit të mitingut të sotëm të PS-së. Kanë qenë punonjësit e kompanisë që ndërtonte skenën mbi të cilën do të mbahen fjalimet e sotme të drejtuesve socialistë, të cilët janë ndaluar nga policia, për shkak të mungesës së lejes për të bërë ndërtimin e podiumit një ditë para mitingut. Ky veprim ka vënë në alarm kandidatët socialistë të Tiranës, të cilët bashkë me simpatizantë dhe mbështetës të tyre kanë mbërritur në sheshin para Piramidës ku po ngrihej podiumi. Për mëse një orë ka pasur mes përfaqësuesve të PS-së dhe Policisë së Shtetit tone të larta, ku socialistët janë justifikuar me lejen që drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë për zhvillimin e mitingut. Nga ana e saj Policia e Shtetit është shprehur se sipas lejes së miratuar dhe vetë kërkesës së PS-së montimi i podiumit do të niste në orën 14:00 të datës 26 qershor. Socialistët e kanë cilësuar ndërhyrjen e policisë me urdhër politik. Kandidati për deputet në Tiranë, Kastriot Islami u shpreh dje se “ky është incidenti i radhës i fushatës, policia ndërhyri me urdhër politik”. Sipas Islamit, kjo ngjarje ka cenuar ndjeshëm imazhin e policisë, duke theksuar se: “Policia e vendit është diskredituar në nivelin e shefave të saj”. “Urdhri politik dëmton imazhin e Shqipërisë si vend i NATO-s. Policia ndërhyn me urdhër politik të fuqishëm. Urdhri politik vjen nga kryeministri Berisha. Ministri Nishani nuk u përgjigjet telefonatave tona”, u shpreh Islami. Drejtoria e Policisë Tiranë, përmes një sqarimi që ka bërë rreth kësaj ngjarje shprehet se i është përmbajtur kërkesës së PS për orën dhe datën e ndërtimit të podiumit, ndërsa ka përcaktuar si vend për zhvillimin e mitingut të PS sheshin “Nënë Tereza” deri tek rruga ‘Ismail Qemali’, me qëllim e shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm me pjesëmarrësit e mitingut të PD-së në sheshin “Skënderbej”. Drejtoi i Policisë Tiranës, sqaron në përgjigjen që i jep Partisë Socialiste se mitingu nuk mund të zhvillohet nga Kryeministria deri tek Galeria e Arteve, për shkak se në të njëjtën orë Partia Demokratike zhvillon mitingun e saj përmbyllës në sheshin “Skënderbej”, duke e bërë turmën e njerëzve të pakontrollueshme. Në këtë mënyrë, ai ka lejuar zhvillimin e mitingut të PS-së vetëm në gjatësinë e bulevardit nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek Kryeministria. Por policia sqaron se ka vepruar gjithnjë sipas orareve që ka përcaktuar vetë PS-ja për mitingun dhe përgatitjet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›