Berisha e Meta: Më shumë investime saudite në Shqipëri
Arabia Saudite synon rritjen e investimeve në Shqipëri përmes skemave të mikrokreditit, veçanërisht në fushat e bujqësisë, turizmit, energjisë dhe infrastrukturës. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pritën dje në takime të veçanta z. Yousef I. Al-Bassam, nënkryetar dhe drejtor ekzekutiv i Fondit të Arabisë Saudite për Zhvillim dhe përfaqësues të tjerë të këtij fondi. Prioritetet e Fondit për kredi të buta kryesisht në arsim dhe shëndetësi. Fondi Saudit për Zhvillim, i cili është aktiv me projekte ambicioze në 74 vende të botës, shprehu interesin për të qenë i pranishëm edhe në Shqipëri, kryesisht në investimet që përfshijnë fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, energjisë dhe bujqësisë. Një vëmendje të veçantë në takimin me Kryeministrin Berisha iu kushtua krijimit të një fondi me hua të buta për financimin e fermerëve me mikrokredi, ku nga Fondi Saudit për Zhvillim do të mund të ftohen edhe Fondi i Kuvajtit, OPEC, IDB e të tjera. Kurse gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Meta, z. Al Bassam vlerësoi klimën e favorshme të krijuar për biznesin në Shqipëri dhe nënvizoi rëndësinë strategjike që vendi ynë ka në rajon, si një vlerë të shtuar për të tërhequr investime të mëtejshme saudite.