Integrimi, Meta takon ambasadorin e Islandës
Islanda shprehet e interesuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të integrimit në BE, si dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dje Ambasadorin e Islandës për Shqipërinë, z. Gudmundur Árni Stefánsson. Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe u diskutua mbi mundësinë e zgjerimit të tyre dhe ecuria e procesit të integrimit në BE. Z. Meta, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Islandës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u shpreh se të dy vendet mund të bashkëpunojnë edhe në kuadrin të integrimit evropian, pasi edhe Islanda po ecën me shumë sukses në rrugën e anëtarësimit në BE. Gjithashtu, zv.kryeministri Meta theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve kryesisht në fushën e energjitikës, financave, peshkimit etj., duke ftuar biznesin islandez të investojë në Shqipëri.