Buxheti 2010, kënaqet Drejtësia, në pritje Prokuroria
Institucionet e drejtësisë parashtruan dje në Komisionin e Ligjeve kërkesat e tyre për financime në vitin 2010, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Kryeprokurorja Ina Rama kërkoi në Komision shtesë fondi për institucionin e saj. Ajo kërkoi fonde për punësimin e 40 personave më shumë në këtë institucion, duke e argumentuar me ligjin e ri miratuar një vit më parë në Kuvend. "Gjendemi në të njëjtat kushte, numri i punonjësve është si ai i vitit 2007-2008. Ky numër rritet për shkak të këtyre risive që unë parashtrova, që janë menaxhimi i rasteve, ligji për marrëdhëniet me jashtë, prokuroria e Përmetit, që janë ngjarje të reja që na kërkojnë shtesa të reja në organikë. Mendojmë që numri 40 është një numër i domosdoshëm për të bërë të mundur që këto struktura që ne përmendim të fillojnë nga funksioni", - tha Rama. Drejtorja e Buxhetit në Ministrinë e Financave tha se me hyrjen në fuqi të ligjit për heqjen e makinave të zyrtarëve, kërkesat e Prokurorisë mund të plotësohen. "Nëse do të shihej mundësia që ky shkurtim të mos bëhet realisht për Prokurorinë e Përgjithshme, por të rishihej plotësimi i kërkesave brenda numrit të punonjësve, në total prej 807, duke parë reduktimin e shpenzimeve, të rishikimit të shërbimit të transportit", - deklaroi përfaqësuesja e Ministrisë së Financave.
Në këtë seancë dhanë kërkesat e tyre edhe zyra e buxhetit të administratës gjyqësore. Ata kërkuan më shumë fonde për shpenzimet operative. Ministria e Financave tha se ka rritur me 47 për qind fondin për investime në gjykata, një shifër nga më të lartat në vitet e fundit. Duke parë tavanin e shpenzimeve që ka ofruar buxheti, në tërësi janë plotësuar 200 për qind të kërkesave të administratës gjyqësore.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka shfaqur asnjë ankesë. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha dje në Komisionin e Ligjeve se kërkesat për shpenzime janë plotësuar për këtë institucion. Kështu, KLD do të ketë 11 punonjës më shumë, nga të cilët 5 do të jenë inspektorë.