E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni në gjyqësor dhe lejet e ndërtimit nuk varen nga qeveria



Në raportin e fundit të Transparency International për korrupsionin në vend vihej theksi tek dy pikat e dobëta që çojnë në këtë korrupsion e që ishin gjyqësori dhe lejet e ndërtimit. I pari, një pushtet i pavarur prej qeverisë qendrore dhe problemi i dytë, një sektor që është tërësisht në varësi të qeverisjes vendore dhe bëhet fjalë për lejet e ndërtimit në kryeqytet, një çështje që ka ngritur gjithmonë pikëpyetje në vitet e fundit kur kryeqyteti po zhvillohet me shpejtësi në infrastrukturë. Për gjyqësorin kanë mbetur pezull disa projektligje me anë të cilëve kjo mazhorancë kërkon ta reformojë sistemin e drejtësisë e ndërsa në rastin e korrupsionit në lejet e ndërtimit plani urbanistik që Bashkia e Tiranës nuk e ka bërë akoma realitet ka krijuar një ngërç në vetvete. Ndërkaq, janë bërë disa hapa konkretë nga ana e qeverisë për të shmangur korrupsionin në hallkat që varen prej saj, siç është vendosja e prokurimeve online, projekti one-stop-shop për regjistrimin e bizneseve, duke hequr të gjitha procedurat burokratike, si dhe one-stop-shop për licencimin, taksa e sheshtë 10 për qind e të tjera reforma. Ndërkaq, është e kuptueshme që qytetarët perceptojnë korrupsion të madh kur shohin që Tirana është në vendin e 174-t në botë për korrupsionin në lejet e ndërtimit (raporti “Doing Business” i Bankës Botërore) dhe mosrealizimin e një premtimi që u bë para 10 vitesh për planin rregullues dhe vetëm tani vonë po vjen një draft që ka ngritur shumë pikëpyetje. Ndërkohë, 70 për qind e lejeve të ndërtimit në Tiranë vetëm në vitin 2009 i marrin vetëm dy studio nga 500 të licencuara. Mesatarja e marrjes së lejes së ndërtimit është 390 ditë, por u deshën vetëm 60 ditë për të dhënë lejen për qytezën “Delijorgji” apo për Fidelin, Tom Doshin etj. Gjithashtu, janë dhënë leje mbi rrugë publike, duke shkelur në mënyrë flagrante një rregull bazë urbanistik dhe ai që e mori lejen, është miku dhe deputeti i Ramës, Dashamir Peza. Nuk ka mbetur lulishte në Tiranë, pasi po kthehen të gjitha në sheshe për pallate, që nga lulishtja pas Ministrisë së Mbrojtjes, tek sheshi “Italia” e ndërsa lulishtja anash PD-së u kthye në një 30-katësh për Fidelin, një tjetër lulishte përballë PD-së u dha për pallat. Si mund të mos ketë korrupsion, kur reklamat në billborde në Tiranë janë monopol i vetëm një kompanie, asaj të Koço Kokëdhimës, mikut të kryebashkiakut Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›