“Doing Business”, Berisha: Ligje ekonomike në funksion të integrimit
Një mbështetës i taksave të ulëta, falë të cilave, në kushtet e një krize globale, Shqipëria është vend me rritje të lartë ekonomike. Kryeministri Sali Berisha ka bindjen e plotë se përballë një krize botërore ekonomiko-financiare stimuli më i mirë që mund të jepte dhe që e ka dhënë qeveria shqiptare, është krijimi i klimës së favorshme për biznesin. Kreu i qeverisë mori pjesë dje në konferencën e organizuar nga IFC-ja, pjesë e Bankës Botërore në lidhje me reformat për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit në rajonin e Evropës Juglindore. Z. Berisha u bëri me dije investitorëve dhe ekspertëve rajonalë të ekonomisë politikat reformuese të ndërmarra në mbështetje të sipërmarrësve, të cilat, sipas tij, kanë rezultuar të suksesshme. “Isha thellësisht i bindur se për vendet tona, me mundësi të kufizuara, stimuluesi më i mirë ishte të punonim për klimën e biznesit. Zgjerimi i lirisë së tregjeve dhe konkurrencës në ekonomi mendoj se është politika e duhur. Ekonomia jonë u përball me pasojat e krizës, por ajo po rritet me 5.3 për qind. Investimet e huaja u rritën me 59 për qind dhe kreditimi i ekonomisë u rrit në rreth 50 për qind. Ne po implementojmë principin “heshtja është miratim”, - deklaroi z. Berisha. Në muajt e ardhshëm do të miratohet një ligj për urbanistikën, i cili do të sigurojë standarde të reja. Sipas tij, “Shqipëria është mbrapa me kohën e kërkuar për lejet e ndërtimit. Është 399 ditë; do të bëhet 45 ditë. Ligji ka kaluar në Parlament dhe po pret të miratohet. Berisha vuri në dukje se qëllimi ynë kryesor është të integrojmë vendin në Bashkimin Evropian, kjo është një detyrë e vështirë dhe kërkon reforma universale në të dyja anët: sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut. “Për përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri kriza të tilla ekonomike janë një mundësi e mirë për vendet e rajonit për të thelluar reformat në përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në fjalën e vet u ka bërë thirrje sipërmarrësve të huaj të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar ata për mbështetje maksimale nga ana e qeverisë”, - theksoi Kryeministri i vendit.