E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Rama në një panel, batutat për tangon dhe protestat



Erald Kapri

Prej rreth 40 minutash ishin bashkë në një tavolinë duke lëshuar batuta e sfida për debat, por dy liderët politikë të vendit, Sali Berisha e Edi Rama, refuzuan t'i japin dorën njëri-tjetrit. Kryeministri dhe lideri i opozitës morën dje pjesë në konferencën "Viti 2010, informacioni në kohën e krizës", të moderuar nga gazetari dhe Drejtori i "La Gazzetta del Mezzogiorno" Karlo Bolino dhe ndërsa iu drejtuan njëri-tjetrit direkt në fjalën e tyre, në fund të aktivitetit u larguan pa i hedhur as sytë njëri-tjetrit. Fillimisht erdhi në aktivitet lideri i opozitës Edi Rama, i cili ndonëse kishte një vend të rezervuar në tavolinën kryesore, u ul në sallë bashkë me të ftuarit e tjerë. Kryeministri Berisha erdhi pak minuta më vonë dhe zuri vendin që i ishte rezervuar, ndërsa më pas Rama u ngrit dhe u ul në tavolinë bashkë me Berishën. Teksa Ambasadori italian në Tiranë, Saba D'Elia, mori fjalën dhe vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për median në Shqipëri, të dy liderët dukeshin të zënë me marrjen apo dërgimin e mesazheve nga bashkëpunëtorët e tyre në sallë apo që i ndiqnin direkt nga televizioni.
Kreu i opozitës Edi Rama mori fjalën i pari, i cili që në fillim theksoi vështirësinë në të cilën ndodhet media. Ai iu referua raportit të një organizate spanjolle që, sipas tij, Shqipëria ka humbur pikë në lirinë e fjalës së lirë. "Shqipëria sot renditet në vendin e 88-të, duke pësuar një rënie drastike, krahasuar me vitin 2003, kur renditej e 34-ta, dhe konsiderohej aso kohe vendi me performancën më të mirë në këtë drejtim në Ballkanin Perëndimor", tha Rama, i cili më pas njoftoi se duhej të largohej nga salla pasi në orën 6.00 pasdite e prisnin qytetarët e Elbasanit në një protestë. Kjo ishte arsyeja që Rama mori fjalën më herët, pasi ishte programuar që Berisha të fliste para tij. Ai më pas u largua menjëherë, por këmbëngulja e organizatorëve bëri që Rama të kthehej nga dera, të ulej sërish në vendin e tij dhe të priste të dëgjonte fjalën e Kryeministrit Berisha.
Kreu i Qeverisë nisi fjalën e tij me një batutë ndaj kundërshtarit të tij politik. "Jam sot këtu të falënderoj organizatorët e këtij takimi dhe nuk dua ta fsheh se prania e kundërshtarëve të mi në këtë takim ishte një shtysë e fuqishme për mua që të marr pjesë. Ju garantoj se po më të ftonit për tango nuk do të isha sot këtu, për diversitetin e mendimit në çdo rast", tha Berisha"Unë jam i gatshëm të përballem me ty, në çdo debat televiziv, të moderuar kudo dhe për çdo çështje, për mediat, jo mediat, dhe çfarë t'u interesojnë", tha Berisha. Kreu i opozitës Rama nuk iu përgjigj kësaj sfide, por shtoi se kërkoi të largohet pasi nuk kërkonte të vonohej në protestën e Elbasanit. Rama shtoi se nuk mund t'u kërkonte ndjesë qytetarëve që kishin dalë në protestë për vonesën e tij, ajo ishte shkaktuar nga Sali Berisha. Ndërsa Kryeministri iu përgjigj duke i kërkuar Ramës që t'i përshëndesë në emrin e tij protestuesit në Elbasan.

Batutat Berisha-Rama

Karlo Bolino: Unë ju falënderoj zoti Kryemimistër dhe zoti Rama për prezencën tuaj këtu. Të gjithë ne urojmë që t'i shikojmë bashkë dhe t'i zgjidhim të gjitha problemet që kanë shqiptarët.
Ambasadori Saba D'Elia: Dua të vlerësoj prezencën në këtë tavolinë të Kryeministrit Berisha dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Rama, duke uruar që kjo të jetë nisja e një dialogu të ri mes forcave më të mëdha të vendit për integrimin e vendit.
Karlo Bolino: Faleminderit zoti Ambasador dhe kjo është edhe dëshira e të gjithëve, që në këtë kohë krize duhet bashkimi dhe mirëkuptimi reciprok. Kjo nuk është një interpretim politik, por një kërkesë gazetareske.
Edi Rama: Së pari dua të komplimentoj Karlo Bolinon për ushtrimin e suksesshëm, për herë të parë të paktën për mua, në publik të gjuhës shqipe. Dhe më vjen mirë që në fjalët e gjuhës shqipe përdore fjalën bashkim dhe bashkëpunim, po kjo ngaqë e ke për herë të parë. Për shkak të një impenjimi tjetër duhet të largohem, për çështje kohore në orën 18:00 duhet të jem në Elbasan, në një aktivitet pikërisht për këto çështje dhe për çështje të tjera të demokracisë dhe shtetit të së drejtës e ekonomisë, dua që ta mbyll me kaq. Mendoj se duhet ta mbyll këtu dhe duke iu kërkuar ndjesë kujto në këtë sallë, që priste nga unë të flisja për informacionin në kohën e krizës si nocion global sepse realisht po më dukej si ajo historia e atyre që flisnin për seksin e engjëjve, ndërkohë që po binin muret nga të gjitha anët. Më duhet të largohem.
Karlo Bolino: Zoti Rama, unë shpresova që ju të rrinit në sallë të paktën edhe 10 minuta, kohë për të dëgjuar fjalën e Kryeministrit. (Rama kthehet)
Sali Berisha: Së pari dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, jam sot këtu të falënderoj organizatorët e këtij takimi dhe nuk dua ta fsheh se prania e kundërshtarëve të mi në këtë takim ishte një shtysë e fuqishme për mua që të marr pjesë. I tillë është shpirti i mediave, e tillë është fjala e lirë, i tillë është detyrimi i qëndrimit ndaj saj. Ju garantoj se po të më ftonit për tango nuk do të isha sot këtu, për diversitetin e mendimit në çdo rast. Dua t'i them dy fjalë për të mbyllur këtë ekspoze zotit Rama. Nuk ka gjë më të trishtuar, thotë Dante Alighieri, se të kujtosh kohërat e lumtura në hidhërim. Por për ne politikanët nuk ka gjë më të trishtuar se të lexojmë dhe të besojmë raportet e vartësve tanë. I nderuar zotëri, unë jam Kryeministri i vendit, ju jeni kryetari i Partisë Socialiste. Unë jam i gatshëm të përballem me ty, në çdo debat televiziv të moderuar kudo dhe për çdo çështje, për mediat, jo mediat, dhe çfarë t'u interesojnë.
Edi Rama: Dua vetëm të sqaroj të gjithë të pranishmit me largimin tim të parakohshëmm sepse ishte një ndjesë që ua kërkova paraprakisht organizatorëve dhe nuk doja të ngrihesha, ndërkohë që fliste pasfolësi. Për më tepër, nuk doja të vonohesha atje sepse merreni me mend që të shkosh atje (Elbasan) me vonesë dhe t'u thuash: Më falni që u vonova se isha atje, dhe u vonova me Sali Berishën.
Sali Berisha: Të lutem përshëndeti edhe nga unë
Edi Rama: Meqë këtu është edhe buzagazi i menjëhershëm pas çdo fjale që thotë i pari i Qeverisë...
Sali Berisha: Jo nuk e kanë aty
Edi Rama: Jo nuk e kanë nga ajo, por megjithatë e kanë edhe nga ajo. Dua të them edhe njëherë se këtu nuk është vendi të bëjmë as replika as akuza. Këtu është vendi për të respektuar miqtë që na ftuan dhe për të folur secili në këndvështrimin e vet, në një çështje që është shumë madhore. Pastaj nëse dikush di të kërcejë tango dhe dikush nuk di, kjo është çështje individuale. (çohet të largohet)
Sali Berisha: Unë po e vijoj edhe pjesën e dytë.
Karlo Bolino: Dëgjova nga zoti Kryeministër një propozim për një ballafaqim televiziv. Ne jemi gati si televizion dhe mikrofonat tona janë hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›