E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu kërkon paketën e BE-FMN, lëvizja forcon euron



Euro lulëzoi të premten kundrejt dollarit, ndërsa Greqia vendosi të përdorë paketën e ndihmës financiare dhe Gjermania tha se është e gatshme të përpilojë një plan për të shpëtuar vendin e mbërthyer nga borxhet. Lëvizja e Kryeministrit grek për të kërkuar paketën e ndihmës dhe deklarata mbështetëse e Gjermanisë, e cila ka qenë shumë hezituese mbi ofrimin e ndihmës, i ka siguruar investitorët se problemet e borxheve të Greqisë mund të zgjidhen. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, e kërkoi aktivizimin e paketës ndërkombëtare të ndihmës që të plotësojë nevojat e menjëhershme financiare. Kërkesa e paketës prej 60 miliardë dollarësh, apo 45 miliardë eurosh, e financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar erdhi nga shqetësimi për situatën ekonomike greke. Shifrat e fundit, botuar nga BE-ja, tregojnë se deficiti buxhetor grek vitin e kaluar ishte më i madh se shifrat e parashikuara, duke ngritur shqetësimet në tregun financiar, se vendi mund të mos paguajë dot borxhet. Sipas analistëve, FMN do të kërkojë masa më të forta se ato të menduara deri më tani nga qeveria greke, duke hapur kështu perspektivën për greva të tjera nga punonjësit e sektorit publik. Gjermania sërish ka vendosur kushte për bashkëpunimin e saj. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Greqia do ta fitojë ndihmën financiare vetëm nëse rrezikohet stabiliteti i euros dhe nëse Athina ofron një program të besueshëm ekonomik. “Kur të prezantohet programi, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të duhet të vendosin nëse jemi në situatë që stabiliteti i euros imponon miratimin e ndihmës për Greqinë”, tha Merkel në Berlin. Greqia do ta pranojë shumën e parë të ndihmës financiare nga BE-ja e FMN-ja para 19 majit. Njoftimin e bëri ministri i Financave, Jorgo Papakonstantinu, pas ore pasi Kryeministri Papandreu kërkoi aktivizimin e paketës, duke e quajtur atë “nevojë kombëtare”. Në Uashington, drejtori i FMN-së, Dominik Shtraus-Kan, tha se fondi do të alokohet shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›