“Ke abuzuar me arkën, takohemi në prokurori”
Leonard Karaj
Debate të ashpra, akuza mes palëve dhe në fund gjithçka i është lënë mbledhjes së radhës për zgjedhjen e problemeve te KF Tirana.
Kjo ka qenë pak a shumë ajo çka kanë dhuruar 4 orë diskutim në kryesinë e klubit bardheblu, mbledhur mbrëmjen e së enjtes. Pika kryesore ku janë fokusuar presidenti Refik Halili, shefi, Rauf Dimraj dhe anëtarët e kësaj kryesie ka qenë analiza e vijimësisë së skuadrës, katër javë nga fundi i sezonit. Nga njëra anë Dimraj ka akuzuar Halilin se ka keqmenaxhuar ekipin, i cili aktualisht ndodhet jashtë Kupave të Evropës dhe nga ana tjetër, presidenti ka shpërthyer në kundërakuza ndaj “të dërguarit” të bashkisë, sepsë jo vetëm që nuk ka vënë në dispozicion të skuadrës të gjitha të ardhurat e përfituara në rrugë dytësore gjatë këtij sezoni, por edhe ka abuzuar me arkën e klubit. Për këtë gjë, Halili i ka treguar Dimrajt edhe derën e prokurorisë. Refik Halili ka folur për më shumë se 70 minuta, ku ka treguar të gjitha anët pozitive dhe negative të këtij sezoni. Në ligjëratën e tij, ai ka vënë theksin tek fakti se Tirana e sivjetme në shumë raste ka qenë e pafat, por në po aq të tjera, është sulmuar nga të katra anët: arbitra, dëmtime lojtarësh dhe nga persona nga jashtë klubit, të cilët sipas Halilit, kanë qenë të interesuar për dëmtimin e kësaj skuadre. Presidenti bardheblu ka mbrojtur investimin e tij gjatë këtij sezoni, duke e vënë theksin te fakti se ka mbajtur pak a shumë lojtarët bazë në ekip, duke afruar edhe individë të tjerë të rinj. Por debati është ndezur më shumë tek të ardhurat, ku sipas Halilit, edhe pse ai e ka pasur në kontratë që të menaxhojë resurset që vinin në rrugë dytësore dhe t’i vinte në dobi të klubit, nuk i ka realizuar plotësisht, kjo edhe për faj të Dimrajt. Ky i fundit sipas tij, nuk i ka tërhequr ende paratë e përfituara nga pjesëmarrja në Kupën e Kampioneve. Nga ana tjetër, shefi i klubit, Rauf Dimraj, e ka vënë theksin te keqmenaxhimi i Tiranës gjatë këtij viti si dhe tek vendosja në krye të skuadrës të personave që nuk kanë ditur si të drejtojë. Me këtë të fundit, Dimraj u është referuar edhe debateve të shumta që ka pasur me të gjithë trajnerët e Tiranës, duke filluar që nga Lonçareviçi e duke vazhduar me Tafajn dhe Devi Mukën.
Debati në kryesi Halili-Dimraj
Dimraj: Klubi është menaxhuar shumë keq, ndaj edhe jemi momentalisht jashtë Kupave të Evropës.
Halili: Edhe këtë vit hyra me objektivin që të fitoja titullin kampion. U mundova të mbaj grupin e lojtarëve, duke filluar që nga Nallbani, Lila, Muzaka e deri te Memelli. Mora edhe një trajner, ndër më të mirët, dhe ju e dini këtë, pasi ai ka qenë një nga kandidatët edhe për Kombëtaren shqiptare.
Dimraj: Domethënë kemi harxhuar para kot.
Halili: Unë i qëndroj nga fillimi deri në fund kontratës që kam bërë me klubin e Tiranës. Para dy vitesh kam firmosur një kontratë 4-vjeçare me këtë klub, ku do të jepja për çdo sezon 200 milionë lekë (të vjetra) dhe i qëndroj kësaj kontrate. Në fillim të këtij sezoni tentove të marrësh të ardhura nga bashkia dhe nuk të dhanë, ndaj nënshkrove një kontratë të re me mua, ku më jepje menaxhimin e klubit, çka do të thotë që të gjitha të ardhurat që vinin edhe në rrugë dytësore si e drejta televizive, Kupat e Evropës, fitimi i titullit, biletat, reklamat etj. do të administroheshin nga unë si president në dobi të klubit.
Dimraj: Kontratën e kam edhe unë, por mendoj se do të ishte më mirë që të merrnim dy ekspertë dhe ata ta analizonin si duhej.
Hicka: Vetëm këtu nuk të lë të futesh, se është fusha ime dhe e di shumë herë më mirë se cilido. Kjo është një kontratë mjaft e mirë dhe e lexueshme mjaft qartë nga kushdo, ndërsa eksperti i vetëm, nëse ka kontestime, është gjykata. Nëse do, shkojmë që nesër.
Dimraj: Jo, unë i qëndroj idesë së dy ekspertëve të pavarur.
Halili: Këtu po flitet për keqmenaxhim, ndërkohë që më thoni kur unë si president nuk i jam përgjigjur klubit dhe futbollistëve?
Si është e mundur që mbi 200 mijë euro, para të miat e të fëmijëve të mi, të gjakut tim, rrinë edhe sot në arkën e federatës vetëm se ti nuk do që të shkosh t’i marrësh dhe t’i vësh në shërbim të skuadrës. Si është e mundur që për 65 mijë eurot e titullit kampion të vitit të kaluar unë si president nuk pyetem fare, a nuk kam qenë unë, ai që kontribuova në fitimin e titullit? Nuk paska qoftë edhe një falënderim për çka i kam dhënë unë Tiranës. Për të mos dalë pastaj tej abuzimeve me arkën e klubit, por për këto do përballemi në prokurori. Po, po, në prokurori. Madje po tregohem shumë i mirë me ju, pasi po ju tregoj paraprakisht me qëllim që nëse ke ndonjë letër akoma për të rregulluar, bëje se shumë shpejt.
Dimraj: Nuk kam abuzuar aspak. Unë di të them se skuadra ka nevojë për mbështetje, sidomos ekonomike.
Halili: Profesor, po bëni të pamundurën për të më larguar mua nga Tirana, por po ju them tani një herë e mirë: kur të mbarojnë ujët e detit, do mbarojnë edhe lekët e Rit Halilit, sepse unë di mirë t’i menaxhoj paratë e mia. Gjithsesi, nëse doni, ja ku jeni si kryesi, votoni dhe unë jam gati që tani që të kaloj në rolin që kam pasur si donator. Jap ato 200 milionë lekë sipas kontratës 4-vjeçare dhe kaq. Ju jeni të lirë të gjeni që nesër, nëse doni, një tjetër sponsor që dëshiron të hedhë para më shumë.