E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Thaçi përurojnë nesër hapjen e njërit tunel të Kalimashit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi do të përurojnë nesër hapjen e njërit tunel të Kalimashit i cili përfundimisht bashkon kombin shqiptar. Ndërkohë galeria e dytë e tunelit po me këto përmasa pritet të përfundojë në shtator të këtij viti. Puna për hapjen e tunelit ka filluar pikërisht më 25 maj të vitit 2007 nga kompania amerikane Bektel dhe kompania nënkontraktuese turke Enka. Kompania Bektel-Enka ka rritur ritmet e punimeve edhe në sektorë të tjerë, si përfundimi i 27 urave me një gjatësi prej më shume se 5 kilometra në gjithë segmentin e rrugës prej 60.4 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Rruga Durrës-Kukës- Morinë, një projekt ky i Qeverise shqiptare është vepra më e madhe inxhinierike në Shqipëri. Një vit me parë, gjatë inspektimit të punimeve në këtë tunel, kryeministri Berisha kishte deklaruar se, mendimi i parë që të vjen në mendje është se malet nuk ndajnë më kombin, nuk i ndajnë më shqiptaret. Sipas tij, udhëtimi tek tuneli të rikujton legjendat e shkrirjes së maleve, pasi këto janë punime të përmasave gjigande, të cilat kanë bërë që aorta e shqiptarëve të mbartë një famë në mbarë Evropën, si kryevepër e njeriut. Me përurimin e njërit tunel, pritet që së shpejti brenda qershorit të bëhet edhe përurimi i rrugës që ka një gjatësi 170 kilometra nga Durrësi deri në Morinë. Rruga do të mundësojë një lidhje të shpejtë mes Prishtinës dhe brigjeve shqiptare për me pak se 3-orë. Ndërkaq, mësohet se gjithçka është gati për ceremoninë e nesërme të hapjes zyrtare të njërit krah të autostradës Durrës - Kukës - Morin, për të vazhduar më pastaj për në Prishtinë. Me rastin e hapjes së kësaj rruge, e cila i ka kushtuar qeverisë shqiptare mbi 1 miliard euro, do të organizohet një ceremoni festive në shenjë të përfundimit të punimeve në shpimin e tunelit të Kalimashit në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›