Pollo: Pas rrugës Durrës - Kukës, do të ndërtojmë Boshtin e Jugut
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, gjatë një takimi me banorët e Beratit, premtoi se pas përfundimit të rrugës Durrës - Kukës, radha do t’i vijë Boshtit të Jugut, një rrugë e cila do të afrojë me orë Tiranën me Sarandën si dhe do të kthejë Beratin në një qytet kyç. “Veprën konkrete ju e keni, e keni në formën e një ure të madhe dhe të bukur, me vlerë 2 milionë euro tashmë të ngritur mbi lumin Osum, pranë Velabishtit dhe të inauguruar nga Kryeministri Berisha 2 muaj më parë. Kjo urë është një pjesë e vogël e atij segmenti të madh, që quhet Boshti i Jugut, që është një autostradë e standardeve evropiane. Një rrugë që do të lidhë Tiranën, Shqipërinë e Mesme, përmes Cërrikut, Kuçovës, Velabishtit dhe më tutje në Jug, Tepelenën dhe Gjirokastrën, të tërë krahinën tuaj”, - deklaroi Pollo. Sipas Pollos, kjo punë e madhe publike, kjo vepër e madhe investimi, kushton afro gjysmë miliardi euro, por qeveria është e vendosur ta vazhdojë. Ai vijoi se duke realizuar këtë rrugë, në vitet e ardhshme, Berati nuk do të jetë më xhep, siç e gjetën dhe e mbajtën socialistët. Pollo sulmoi opozitën e drejtuar nga Rama. “Çfarë ofron opozita? Çfarë ofron Edi Rama? A kanë ata një alternativë, a keni dëgjuar çfarë do të bëjnë ata për dritat, çfarë do të bëjnë ata për rrugët, çfarë do të bëjnë ata për arsimin, përveçse të hedhin baltë mbi arritjet e kësaj qeverie. Ata nuk kanë alternativë. Bashkia është modeli i korrupsionit, i taksave të larta dhe i çdo projekti tjetër, që ka realizuar në mënyrë të qartë të dështuar Edi Rama”, - deklaroi Pollo.