Berisha e Thaçi rrëzojnë tezën e Shqipërisë së Madhe
Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe të turizmit. Thaçi: “Në një të ardhme të afërt pres që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”
Eljona Ballhysa
Dy kryeministrat shqiptarë, Sali Berisha e Hashim Thaçi, kanë rrëzuar dje në Tiranë tezën e Shqipërisë së Madhe duke e cilësuar atë si një tezë të krijuar nga fobitë e trashëguara. Kreu i shtetit shqiptarë dhe atij kosovar kanë vlerësuar vendosjen e pavarësisë së Kosovës, si plotësim i aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Të pyetur nëse në të ardhmen mund të mendohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, Thaçi tha se të dy vendet po punojnë për mosndryshimin e kufijve dhe për ecjen përpara drejt një rajoni të integruar. “Shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, kurrë në historinë e tyre politike nuk kanë qenë më të avancuar, më stabël dhe në pozicion më të mirë. Në këtë mënyrë do të ketë vetëm ecje përpara për të gjithë qytetarët e rajonit. Të dyja vendet tona punojnë për mosndryshim të kufijve, por punojnë edhe për hapje, demokratizim dhe për një model e realitet europian, si rajon i bashkëpunimit dhe integrimit”, - është shprehur Thaçi. Ndërsa kryeministri Berisha e ka pritur i çuditur këtë pyetje, pasi sipas tij, teza e Shqipërisë së Madhe është krijuar nga fobitë e trashëguara të së kaluarës.
Vizita
Kryeministri Thaçi viziton për herë të parë Shqipërinë në postin e kreut të qeverisë së Kosovës, tashmë si një shtet i pavarur. Gjatë ditës së parë të vizitës Thaçi është pritur dje nga kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli, nga Presidenti i Republikës Topi dhe nga kryetari i LSI-së, Meta. Thaçi gjithashtu ka mbajtur dhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë takimit me kreun e qeverisë shqiptare Thaçi e Berisha kanë nënshkruar dhe një memorandum bashkëpunimi midis dy vendeve, ku përfshihet bashkëpunimi i shumanshëm në të gjitha fushat, veçanërisht në energjetikë dhe turizëm.
Bashkëpunimi
Kryeministri Berisha bëri të ditur se ka rënë dakord me kryeministrin Thaçi për të bashkëpunuar ngushtësisht në fushën e energjisë. “Të dyja qeveritë do të konsiderojnë seriozisht mundësimin e ndërtimit të një termocentrali të përbashkët për t’u dhënë përgjigje imediate nevojave të tyre energjetike. Kosova C është përgjigje madhore jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonale”, - është shprehur Berisha. Përveç kësaj, Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë dhe në fushën e komunikimit rrugor. “Shqipëria i ofron dhe do t’i ofrojë Kosovës të gjitha lehtësirat portuale të nevojshme. Fatmirësisht jemi vende të vogla dhe Kosova mund të ndjehet një vend me bregdet për shkak të distancës nga Shqipëria dhe vende të tjera, po kështu edhe Maqedonia, sepse me infrastrukturën e re që po ndërtohet aksesi në ujërat e portet e Shqipërisë do të jetë shumë e lehtë”, - është shprehur Berisha. Më tej ai bëri të ditur se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në luftën kundër krimit të organizuar, në fushën e arsimit dhe të kulturës. Edhe kryeministri Thaçi konfirmoi bashkëpunimin në këto fusha dhe shtoi se një projekt madhor midis dy vendeve është dhe ndërtimi i autostradës Vërnicë-Merdare, që është vazhdimësi e projektit Durrës-Kukës-Morinë. Sipas Thaçit, kjo rrugë do t’i afrojë të dyja kryeqytetet dhe do të krijojë lehtësira në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të zhvillimit të biznesit dhe turizmit. “Shqipëria është vend i jashtëzakonshëm, me potenciale të mëdha në turizmin bregdetar, por edhe Kosova është një vend i mrekullueshëm dhe me potenciale të jashtëzakonshme e mundësi për turizmin malor. Prandaj ne po punojmë që të ndodhë sa më shpejt investimi në pjesën shumë të bukur të Rezovicës dhe kjo pjesë, një vend i jashtëzakonshëm i interesimit të njerëzve, i bukur dhe i mundësive, që shtrihet në trekëndëshin Kosovë-Maqedoni-Shqipëri, do të jetë një vend i jashtëzakonshëm në kuptimin e interesimit të qytetarëve për turizmin malor”, - është shprehur Thaçi. Ai gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejt do të hapet në Tiranë dhe Ambasada e Kosovës, e cila do të intensifikojë bashkëpunimin midis dy vendeve. Edhe gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend dhe takimeve me personalitetet e tjera të larta të politikës shqiptare, kryeministri Thaçi theksoi se projekti më madhor i Kosovës dhe i Shqipërisë mbetet integrimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Kryeministri Thaçi do të vazhdojë dhe gjatë ditës së sotme vizitën e tij në Shqipëri, ku pritet të vizitojë qytetin e Vlorës, ku do të marrë titullin “Qytetar Nderi” si dhe do të zhvillojë një takim dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
20 Qershor 2008