Braçe akuzon Berishën: “Mashtron me rritjen e pensioneve dhe pagave”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar dje në Kuvend kryeministrin Berisha për mashtrime me rritjen e pagave e pensioneve. Vetëm një ditë më parë qeveria mori vendimin për rritje e pagave dhe pensioneve me synim realizimin e premtimit elektoral të vitit 2005 për dyfishimin e tyre brenda mandatit katërvjeçar qeverisës. Duke iu referuar shifrave, Braçe faktoi në Kuvend se kryeministri nuk ka arritur në dyfishojë asnjë kategori pensionesh dhe pagash. “Kryeministri ynë pohoi se të ardhurat minimale nga pensionet në qytet në 2005-n ishin 8350 lekë. Nëse ai do ta mbante premtimin, nga 1 korriku i këtij viti ato duhet të ishin dyfish, pra 16 700 lekë. Por që nga 1 korriku ato do të jenë 11 275 lekë. Kryeministri ynë tha se ai i ka rritur ato me 35%, ose me 2925 lekë, shtrirë në katër vite, pra me 731.2 lekë në vit, ose me 24.3 lekë në ditë”, - është shprehur Braçe. Po kështu ai ka krahasuar dhe të ardhurat nga pensioni maksimal në qytet. Sipas Braçes, pensioni maksimal në qytet në vitin 2005 ishte 16 200 lekë. Nëse sipas Braçes Berisha do të mbante premtimin, nga 1 korriku i këtij viti ato duhet të ishin dyfish, pra 32 400 lekë. Por deputeti i PS-së bën të ditur se pensioni maksimal në qytet që nga 1 korriku do të jetë 19 530 lekë. “Pra jemi të qartë se premtimi i tij, qoftë në përqindje, qoftë në të ardhura në vlerë absolute, nuk është mbajtur për asnjë kategori pensioni. Askush sot, as në qytet, as në fshat, nuk merr pension dyfish”, - është shprehur Braçe. Ai gjithashtu e akuzon Berishën se ka gënjyer dhe për kompensimin e rritjes së çmimeve. Braçe solli në Kuvend deklaratën e Berishës, sipas së cilës pensionet në qytetet do rriten 10%, pra 865 lekë/muaj, ose 28,8 lekë/ditë.
Sipas Braçes “këto qindarka mbulojnë vetëm rritjen e çmimit të bukës dhe asgjë nga vaji, sheqeri, orizi, mielli, veza, mishi, gjalpi, djathi, makaronat, qumështi, energjia, të domosdoshme për të jetuar”.
20 Qershor 2008