E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: “Topalli falsifikoi procesverbalin e votimit”

Debate në seancë për rezultatin e votimit për Zamir Podën. Mustafaj mbështet opozitën: “Të mos lejohen falsifikime të fjalimeve”

Eljona Ballhysa
Dekretet e presidentit Topi për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë qenë sërish në qendër të debatit të seancës së djeshme parlamentare. Deputetët e opozitës e kanë akuzuar kryetaren e Kuvendit se ka falsifikuar procesverbalin e seancës së votimit të dekreteve. Sipas kryetares së Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj, në seancën e votimit të ditës së hënë kryetari i komisionit të numërimit të votave, Arian Madhi, është shprehur se Kuvendi ka dhënë pëlqimin për kandidatin Zamir Poda për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që në procesverbalin e Kuvendit kjo fjali e Madhit është zbardhur që Kuvendi nuk e dha pëlqimin për Zamir Podën. Pikërisht ky detaj ka sjellë dhe debatin e radhës gjatë seancës së djeshme parlamentare, që solli shtyrjen e votimit të procesverbalit.
Debati
“Procesverbali është një dokument që paraqet të zbardhur të gjithë debatin dhe diskutimet e seancave parlamentare. Por ky dokument duket qartë se është i falsifikuar. Nuk po them që në këtë procesverbal nuk janë shkruar ngatërrimet e zotit Madhi, i cili e tha të paktën pesë herë Bamir Poda e jo Zamir Poda, por ky procesverbal ka ndryshuar rezultatin e votimit. Këtu mungon fjalia e Madhit në përfundim të votimit, duke thënë që Kuvendi dha pëlqimin për Zamir Podën”, - është shprehur deputeti i PS-së, Erion Braçe. Kryetari i seancës, Fatos Beja, i kërkoi opozitës që ta verifikojnë këtë “gabim” duke ridëgjuar kasetat e regjistrimit të seancës së kaluar. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Aldo Bumçi, sqaroi se rezultati i votimit nuk është ndryshuar. Sipas tij, kandidati Zamir Poda ka fituar 65 vota pro dhe 62 kundër, ndaj dhe ai nuk është fitues, pasi në votim morën pjesë 130 deputetë. Sipas rregullores së Kuvendit, që kandidati të ishte fitues, duhej të merrte shumicën e votave të deputetëve që ishin në sallë, ndërkohë që 65 vota përbëjnë gjysmën e votave të deputetëve që ishin se sallë dhe jo shumicën. Sipas Bumçit, në procesverbal nuk është ndryshuar asnjë shifër nga rezultati i votimit. Nga ana tjetër, opozita ka këmbëngulur që në procesverbal të shënohet fjalia e Madhit, sipas të cilit Kuvendi dha pëlqimin për kandidatin Poda. Burime bënë të ditur se opozita kërkoi këtë korrigjim në mënyrë që t’i japë një mundësi kandidatit Poda që të paraqesë ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke pasur dhe një provë materiale siç është procesverbali i Kuvendit. Por kjo kërkesë e opozitës nuk është pranuar nga kryetari i seancës së djeshme, Beja, i cili këmbëngulte që ta hidhte në votim procesverbalin e seancës së kaluar.
Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, nga ana e tij propozoi ngritjen e një grupi pune të përbërë nga deputetë të maxhorancës dhe opozitës për verifikimin e kasetave të regjistrimit të seancës së votimit. Ky propozim u mbështet dhe nga deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, i cili tha se nuk duhet të tolerohet asnjë falsifikim i fjalimeve të deputetëve. “Mbështes propozimin e Brahos për ngritjen e një grupi pune, ose kjo mund të realizohet nga Këshilli i Rregullores, ose nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Nëse konstatohet se gabimi ka qenë thjesht teknik, unë them ta mbyllim këtë debat këtu, por nëse gabimi është i qëllimshëm, mendoj se nuk duhet të tolerohet në mënyrë që të mos bëhet e rrugës për herë të tjera”, - është shprehur Mustafaj.
Ndërsa deputetja e PS-së, Rajmonda Stefa, e ka cilësuar të qëllimshëm këtë “gabim” dhe për këtë ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Korrigjimi është bërë me urdhër të kryetares së Kuvendit. Ju kërkoni ta ktheni Kuvendin në një organizatë të PD-së”, - është shprehur Stefa. Me propozim të deputetit Gjini debati për procesverbalin u shty për seancën e radhës.
Procesi
Pritet që gjatë ditëve në vazhdim kjo çështje të jetë në qendër të debatit politik. Pritet që opozita të vazhdojë të kërkojë korrigjimin e procesverbalit të Kuvendit duke përfshirë në të deklaratën e Arian Madhit, sipas së cilës Kuvendi ka dhënë pëlqimin për kandidatin Zamir Poda. Në përfundim të votimit të dekreteve të presidentit gjatë seancës së ditës së hënë, Arian Madhi tha në sallën e Kuvendit se duke u bazuar në rezultatin e votimit, Kuvendi dha pëlqimin për kandidatin Poda. Ndërsa në një prononcim për mediat, Madhi ndryshoi qëndrim duke kërkuar ndjesë për gabimin për shkak të lodhjes. Madhi shpjegoi për mediat se kandidati Poda nuk është fitues, pasi nuk kishte marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›