E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, “Mjaft”-i kërkon njohjen me provat e Prokurorisë



Lëvizja “Mjaft” duket se ka kryer një “manovër” tejet të hollë për të pasur mundësinë e njohjes me materialet hetimore të dosjes “Gërdeci”. Kjo lëvizje dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën për t'u bërë pjesë në procedimin penal për tragjedinë e Gërdecit. Mjaft përfaqëson 11 familje për 16 viktima të shpërthimit. Me anë të këtij akti, “Mjaft”-i deklarohet se synon të nisë veprimet për dëmshpërblimin material dhe fizik të familjeve të viktimave dhe mbi të gjitha, vendosjen e drejtësisë. “Meqenëse pozita jonë juridike ngërthen dy elementë atë: të së drejtës për të kërkuar procedimin e fajtorëve, si dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit e duke qenë se Prokuroria ka filluar hetimin ndaj disa prej atyre personave të dyshuar, do të kërkonim që t’i mundësonit avokatëve tanë të njihen me aktet e dosjes hetimore, si dhe të marrin kopje të tyre. Kjo njohje paraprake me ecurinë e hetimeve është e domosdoshme, pasi në vijim të saj ne do të përpunojmë qëndrimin tonë, në lidhje me provat që do të kërkojmë të merren, me cilësimin që mund t’i japim fakteve, si dhe me përpilimin e një padie civile në procesin penal, duke përcaktuar dhe çfarë nenesh kanë shkelur më tej në aspektin civil personat e akuzuar”-shkruhet në kërkesën e 11 familjeve të përfaqësuara nga “Mjaft”-i. Më tej këto njëmbëdhjetë familje shprehen se duke darë tragjizmin e kësaj ngjarjeje kriminale, si dhe dëmtimet e shumta në njerëz dhe në dëme materiale, për të mos ndërlikuar hetimet, si dhe po ashtu për të nxitur një hetim të shpejtë dhe cilësor “ne kemi autorizuar organizatën “Mjaft”, që të na përfaqësojë duke i dhënë tagër të caktojë dhe avokatët tanë mbrojtës, të cilët do të jenë në numër të vogël, për të mos rënduar procesin hetimor dhe atë gjyqësor në të ardhmen”.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›