E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri na pandeh shtetas idiot!!



Nga Armando Meta

Për kryeministrin Sali Berisha, por edhe për ndonjë drejtues të lartë të shtetit, të Kuvendit dhe të politikës, duket se është krijuar ideja se janë aq gjenialë, makiavelistë të talentuar, sa lojërat e tyre në kurriz të qytetarëve dhe të ligjit, është vështirë që t’i kapin qytetarët e këtij vendi. Ideja që duket se u është krijuar në mëndje kësaj race politikanësh dhe qeveritarësh është se kanë të bëjnë me një popull idiot dhe injorant. Kjo ka bërë që ata çdo ditë të dalin e të gënjejnë pa pik turpi. Gënjejnë për rritjen ekonomike, gënjejnë për vendosjen e shtetit ligjor, gënjejnë për Gërdecin, gënjejnë për fluksin e turistëve, gënjejnë se po luftojnë monopolet, gënjejnë për tenderat, gënjejnë për rrjetin nepotik, gënjejnë për luftën kundër krimit etj. Gënjejnë thuajse për gjithshka. Dhe pas çdo gënjeshtre thojnë një gënjeshtër akoma më të madhe, duke pandehur se qytetarët e këtij vendi janë idiotë dhe gëlltisin pa bërë gëk çdo gënjeshtër. Mjafton të dëgjosh monologjet e tyre të mërzitshme në mbledhje qeverie apo grupi parlamentarë, në turet politike në fshatra dhe qytete nën sloganë bombastikë, për të kuptuar realisht trajtimin e qytetarëve nga politika si injorant që po tu thohet se “edhe gomari fluturon” ato e besojnë. Kryeministri Berisha është kampion në këtë drejtim. Kreu i qeverisë, në përpjekje për të larë duart nga ai poshtërim spektakolar që i bëri Presidentit të Republikës Bamir Topi në Kuvend doli dje dhe tha se e drejta ekskluzive e propozimeve të emrave për anëtarë të gjykatës së lartë është e presidentit, duke shtuar se po të ishin zhvilluar konsultime procesi do kishte qenë transparent. Thënë thjeshtë nëse Topi do të kishte pyetur Berishën për emrat e anëtarëve atëhere sdo të kishte problem votimi në Kuvend. Në fakt asnjë qytetarë i këtij vendi nuk është aq idiot dhe injorant për të mos kuptuar se e vërteta e rrëzimit të 5 kandidatëve për në Gjykatën e Lartë kishte të bënte vetëm me faktin se kundër tyre ishte vetë kryeministri. Përpjekja për të na e shitur poshtërimin në Kuvend të Presidentit si çështje parimesh kushtetuese, ndërkohë që kreu i shtetit kishte vepruar në përputhje me frymën kushtetuese, thjeshtë është një përpjekje për të na fyer intiligjencën.
Për të gjithë është e qartë se ekonomia prej shumë kohësh është zhytur në krizë. Çmimet janë rritur thuajse në të gjitha produktet bazë të jetesës. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare varfërohet çdo ditë. Rritja e pagave dhe e pensioneve që deklaron çdo 6 muaj qeveria është vetëm një lëmoshë, pasi këto rritje nuk arrijnë të sigurojë minimalisht një jetesë dinjitoze për qytetarët. Ndërkohë monopolet e shokëve, fisit dhe miqve të qeverisë vijojnë tia marrin shpirtin ekonomisë së varfër shqiptare. Ndërkaq qeveria ka ngritur në këmbë një sistem taksash dhe tatimesh jo për të zhvilluar biznesin, por për ta rrjepur atë duke e çuar në prag të egzistencës. Papunësia sa vjen dhe shtohet. Po kështu shtohet dhe numëri i vetvrasjeve ndikuar nga shkaqe ekonomike. Kjo është Shqipëria që shohin 95% e qytetarëve të këtij vendi. Por kryeministri ynë ka në mëndje një realitet krejt tjetër, i cili realisht s’ka të bëjë fare me problemet reale të këtij vendi. Ai flet për rritje ekonomike, për bum ekonomik, për një Shqipëri që përbën mrekullinë ballkanase të rritjes ekonomike. E vetmja pyetje që mund ti bëjmë vetes si qytetarë shqiptarë, pasi kemi kruar mirë xhepat për të paguar kafenë e mëngjesit është se: ku ndodhet ky vend me emrin Shqipëri? Prej 3 vitesh flitet për banesa sociale për strehimin e të pastrehëve dhe të familjeve në nevojë. Por deri më tani asnjë familje ska mundur të fusë kokën në këto banesa. Asnjë rresht nuk ka në monologjet e kryeministrit për këtë problem, e aq më keq të pres shiritin diku për këto apartamente. Ai mendon se ne nuk ja kemi haberin për këto probleme dhe thur vargje për NATO-n e na jep leksione për nevojën e reformave në fjalimet e tij. Ka disa ditë që spitalet qëndrore të kryeqytetit është krijuar një situatë dramatike si pasojë e mungesës së medikamenteve. Mjekët nuk zhvillojnë dot operacione, ndërsa pacientët tërhiqen zvarrë nëpër korridoret e spitaleve duke pritur deri sa qeveria të zgjidhë së pari problemet politike që janë shkaktuar pas kërkesës për shkarkimin e drejtorit të QSUT-së. Pacientët, mes dhimbjeve, duhet të durojnë se këtu luhen lojëra të thella politike sa mëndja e tyre nuk arrin dot t’i kap. Në fakt këtë absurditet që ndodh në mes të Tiranës as vetë Jonesko s’do të mund ta kapte e jo më ta shkruante. Çdo ditë, dalngadalë, ndjejmë si na grabiten të drejtat tona. Aktualisht të gjitha instuitucionet e pavarura janë vendosur nën thundrën politike të qeverisë dhe të kryemninistrit. Si qytetarë të këtij vendi duket se na është lënë e drejta vetëm për të llapur por nuk mund të ndikojmë apo të themi fjalën në asnjë vendimarrje që ka të bëjë me jetën tonë. Kjo vetëm për faktin se qeveria pandeh se nuk jemi popull intelektualisht në nivelin e duhur. Në fakt, bëmat e kësaj qeverie të zhytur në korrupsion dhe afera, që ka marrë peng mirqënien sociale, që gënjeshtrën e ka zbritur nga niveli artistik në nivel banal, që vijon të qeverisë a thua se është në fushatë elektorale, që ka shtënë në dorë të gjitha institucionet e pavarura duke i politizuar deri në palcë, nuk do ndonjë arsimim specifik për ti kuptuar. Nëse Makiaveli do të ishte gjallë vlerësimi maksimal që do të jepte për kryeministrin Berisha dhe qeveritarët e tij, lidhur me përpjekjet e tyre për të përdorur artin e mashtrimit si politikë qeverisëse, do të ishte nota 4.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›