Berisha reagon ndaj deklaratës së Uidhers: “Procesi, transparent”
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan Uidhers, sipas të cilit rrëzimi i dekreteve të presidentit është një veprim i padenjë për një institucion të pavarur. Berisha është shprehur se presidenti, në bazë të Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetute, ka të drejtë të konsultojë emrat e kandidatëve me ligjvënësit. Ndërkohë, sipas kreut të qeverisë, asnjë institucion nuk ka të drejtë t’i propozojë emra presidentit, pasi ku është ekskluzivitet i kreut të shtetit.
“Në mënyrë të padiskutueshme, propozimet janë ekskluzivitet i Presidentit të Republikës dhe nuk gjykoj se ndonjë instancë ka të drejtë t’i dërgojë emra presidentit. Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka parashikuar këtë formë plurale të ndërtimit të institucionit. Ka vende që e kanë, por Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon këtë formë. Por Shqipëria ka një praktikë 18-vjeçare dhe, në rast se presidenti, duke ruajtur tërësisht ekskluzivitetin, do të konsultonte emrat, mendoj se kjo do ta bënte shumë më transparent procesin. Mendimi im është i qartë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka theksuar dhe njëherë domosdoshmërinë e konsultimit të emrave të kandidatëve të Gjykatës së Lartë me Kuvendin. “Konsultimi i emrave me ata, të cilët do t’i votojnë dhe shqyrtojnë me ata të cilët Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese u ka dhënë të drejtën e shqyrtimit dhe meritës, nuk do të përbënte, në mënyrë absolute, asnjë cenim të ekskluzivitetit. Edhe njëherë e theksoj se asnjë institucion apo forum nuk ka të drejtë që t’i diktojë presidentit emrat që dekreton. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti”, - është shprehur kreu i qeverisë.
20 Qershor 2008