E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi dekorohet me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Berisha mungon në ceremoni



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u dekorua dje nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në shenjë vlerësimi për rolin e rëndësishëm për vendosjen e pavarësisë së Kosovës. Ceremonia e dekorimit është zhvilluar dje në Presidencë, pas takimit që kryeministri Thaçi zhvilloi me presidentin shqiptar, Bamir Topi. Në ceremoninë solemne me këtë rast, pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit, Presidenti Topi i dorëzoi kryeministrit Thaçi urdhrin e lartë së bashku me dekretin përkatës. Në ceremoninë e votimit është vënë re mungesa e kryeministrit Berisha. Zakonisht në protokoll kryeministri i ftuar shoqërohet në takimin e tij me Presidentin e Republikës dhe nga homologu i vendit pritës. Megjithatë kjo dispozitë nuk është detyruese, por thjesht ceremoniale. Por duket se protokolli i ceremonisë së dekretimit të kryeministrit Thaçi është hartuar në ditët e marrëdhënieve të “ngrira” midis kryeministrit dhe presidentit për shkak të debatit për dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në ceremoninë e dekretimit të Thaçit kanë marrë pjesë të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Pas dekorimit kryeministri Thaçi e falënderoi presidentin Topi duke e cilësuar këtë akt si një nderim që i bëhet atij si kryeministër i Kosovës. “Është një nder që më bëhet mua si kryeministër i Kosovës, që i bëhet Kosovës dhe popullit të saj. Për Kosovën ky nder është një përgjegjësi e re, për mua që ne si vend që kaluam nga një luftë e tmerrshme në një fitore e madhe, në fitoren e tranzicionit demokratik në të njëjtën kohë, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe tani në një përgjegjësi të re për integrim në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Edhe një herë krenohem me Shqipërinë, krenohem me shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës”, - është shprehur Thaçi.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›