E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-themeluesi i PS-së, Luan Rama, bashkohet me LSI-në



Ish-themeluesi i PS-së dhe ish-ministri i Rendit, Luan Rama, bashkohet me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Rama është bashkuar dje publikisht me LSI-në, duke marrë edhe teserën nga vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Meta tha se bashkimi i një themeluesi të PS-së si Luan Rama me LSI-në është një akt shumë i rëndësishëm për të majtën shqiptare. “Zoti Rama është anëtari më i ri themelues i Partisë Socialiste në qershor të 1991-shit. Dhe ne që erdhëm më pas, në krijimin e Forumit Rinor Euro Socialist, të vetmin të ri që shikonim dhe bashkëpunonim në PS ishte Luan Rama. Kështu që pas kaq kohësh ne përsëri ritakohemi, përsëri në një situatë delikate, por sidoqoftë shpresëdhënëse për të majtën, për opozitën pasi Sali Berisha po rrethohet dhe izolohet çdo ditë edhe më shumë. Pasi Sali Berishës i është afruar jo vetëm pensioni i detyruar, por njëkohësisht edhe fundi i tij politik”, - tha Meta, i cili shtoi se LSI është e hapur për të gjithë socialistët dhe progresistët e vërtet në Shqipëri. Ndërkohë ish-deputeti i PS-së, Luan Rama, tha: “Qëndrimi im sot është edhe një reagim politik dhe publik ndaj veprimit absurd dhe tejet komprometues të lidershipit të PS-së, që lidhet me ndërhyrjen dhe dhunimin brutal që iu bë Kushtetutës dhe të gjitha pasojat që sjell ajo ndërhyrje e paprecedent”.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›