E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hetimi ndërkombëtar, një manovër e Sali Berishës

 

Kreu i Partisë Socialiste e cilësoi manovër kërkesën, që kryeministri Berisha bëri për hetim ndërkombëtar ndaj biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. "Hetimi ndërkombëtar është manovër për të penguar hetimin kushtetues, që është e drejtë ligjore e prokurorisë. Hetimin ndërkombëtar nuk mund ta vendosë as Berisha as klani i tij, që është i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë hetim dhe as forcat qeveritare të cilat bëjnë mirë t'i mbajnë duart larg nga prokuroria", tha Rama dje gjatë një komunikimi me gazetarët. Kreu socialist u shpreh se hetimi kushtetues është detyrim kushtetues i Prokurorisë shqiptare. "Hetimi ndërkombëtar që kërkon Sali Berisha është një manovër për të penguar hetimin kushtetues, që është një e drejtë kushtetuese, ligjore dhe një detyrim i Prokurorisë së Republikës", tha Rama. Sipas tij, kryeministri Berisha duhet të marrë avokat për veten e tij pasi akuzat ndaj tij janë shumë të rënda. "Unë personalisht Sali Berishës do t'i këshilloja të gjejë avokat për sekserin e tij dhe për klanin e tij e të mos humbasë kohën tonë, energjitë tona të të gjithëve ne, duke na treguar se sa djalë i mirë është sekseri i tij serb, se sa transparente është kasta e tij, e cila i ka futur duart kudo në mënyrë të paligjshme dhe se sa i hapur është ai në kërkim të së vërtetës", tha Rama. Lideri i Partisë më të madhe në opozitë beson se dëshmia e kryeministrit për ngjarjet e fundit do të ndihmonte më shumë, sesa një hetim ndërkombëtar. "Kryeministri të shkojë në prokurori dhe të dëshmojë ato që di. Kjo do të ishte një ndihmë shumë më e madhe, sesa një hetim nga prokurorë ndërkombëtarë". Rama kujtoi se opozita do të vazhdojë të mbështesë Prokurorinë dhe i bëri thirrje që të mos mbrapset dhe të mos ndalojë procesin e hetimit për tragjedinë e Gërdecit, vdekjes së Kosta Trebickës dhe së fundmi biznesmenit serbo- boshnjak Damir Fazlliç.                      a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›