E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Topalli bojkotojnë Topin

Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli “bojkotojnë” ceremoninë në Presidencë për betimin e ministrave të rinj. 

ADI SHKEMBI

Kjo u vu re dje në orën 10.00 të paradites kur tre ministrat e rinj, zv/kryeministri Genc Pollo, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ishin në selinë e kreut të shtetit për të formalizuar marrjen e detyrës.  Ndërkohë, burime nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën se, si kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë pasur ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e ditës së djeshme. Pjesëmarrja e krerëve më të lartë të shtetit në një ceremoni të tillë është e parashikuar edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”. Në pikën 8.1 të këtij vendimi thuhet se, krerët e shtetit janë të ftuar në rastin e betimit të qeverisë, ndërkohë që kjo pikë vlen edhe për rastet kur betohen ministra të veçantë. “Ceremonia e betimit të qeverisë së re zhvillohet në selinë e Presidencës së Republikës ose në Pallatin e Brigadave. Në të marrin pjesë gjithashtu të ftuar nga institucionet kryesore të shtetit, përfaqësues të klerit, dekani i trupit diplomatik, përfaqësues të shquar të shkencës, artit dhe kulturës etj. Listën e të ftuarve e përpilon zyra e presidentit në përputhje me pre seancën e Republikës”, citohet në ceremonialin e Kuvendit. Kjo mungesë e dy krerëve më të lartë të maxhorancës në ceremoninë e presidentit vjen në një moment kur u duk se mes tyre ishte arritur një farë akordi. Të hënën në mbrëmje, në një seancë maratonë në Parlament, maxhoranca votoi pro gjashtë kandidatëve të propozuar nga presidenti Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ky votim në bllok i dekreteve për këtë institucion vjen pas rrëzimit të pesë dekreteve të parë të propozuar nga Topi dhe pas kritikave të shumta të ndërkombëtarëve për sjelljen e maxhorancës në Parlament. Ndërkohë, pa kaluar ende 24 orë nga votimi në Kuvend i dekreteve, presidenti duket se i ktheu reston maxhorancës kur dekretoi në bllok 20 ligje të saj, ku më i rëndësishmi ishte ai për verifikimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë. Megjithë kritikat e shumta të opozitës dhe kërkesës së tyre që presidenti të mos e dekretonte këtë ligj, ky i fundit i ka dhënë OK ligjit.

Gratë në Qeveri, Berisha batuta me Bregun
Miratimi i ligjit “Për barazinë gjinore” në Kuvend duket se është reflektuar menjëherë në përbërjen e re të qeverisë, kur tani nuk do të jetë vetëm Majlinda Bregu pjesë e kabinetit, por edhe Anila Godo, e cila do të drejtojë dikasterin e Shëndetësisë. Pikërisht për këtë fenomen, kryeministri ka shkëmbyer dje disa batuta me ministren e Integrimit. Në fund të mbledhjes, teksa mediat ishin duke u larguar, kreu i qeverisë ka pyetur ministren, njëherësh zëdhënëse e qeverisë, se si ndihet pas këtij emërimi të fundit. “Më mirë se asnjë ditë tjetër. Madje, do ndihem mirë po të kemi më shumë”, është shprehur Bregu. “Dhe akoma më mirë kur në krah të kemi shoqe. Kësaj here mbeti, por njëherë tjetër prapë”,- tha Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme, kryeministri Berisha duket se ka shuar çdo shpresë që ministrat të pushojnë gjatë muajit gusht teksa u ka kërkuar atyre që në fund të muajit të ardhshëm të sjellin buxhetin për secilin dikaster. “Duhet të jetë në dinjitetin dhe detyrimin tonë ndaj qytetarëve shqiptarë, që këtë vit ta shndërrojmë në vitin e suksesit kulmor të reformave tona. Asnjë nuk do të mund të falej, nëse ritmi i këtyre reformave jetike për vendin do të dobësohet dhe nëse kufiri i tyre nuk do të ecë çdo ditë e më përpara”, u shpreh kryeministri. Sipas tij, “unë nuk mund të mohoj se është vit elektoral, por do të ishte e pafalshme që ne të mos dyfishonin përpjekjet dhe disiplina buxhetore e fiskale të mos vazhdojnë të jenë të konsoliduara dhe të pacenuara nga klima elektorale. Ky do të jetë zotimi ynë. Qeveria ia ka dalë të ketë sot investime publike 9 për qind të GDP-së, pothuajse 2-fish e qeverive të mëparshme”.

Ndoka i dorëzon detyrën Anila Godos, në ceremoni edhe Pollo

Anila Godo, përfaqësuesja e Partisë Republikane në qeveri ka marrë dje detyrën si ministre e Shëndetësisë. Gjatë paradites së djeshme, zonja Godo ka udhëtuar për në Presidencë ku është betuar para kreut të shtetit, ndërkohë që në orën 11.30 ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar. Në këtë mbledhje kryeministri Berisha garantoi mbështetjen maksimale të qeverisë për të luftuar korrupsionin te bluzat e bardha. “Ne kemi probleme madhore në sistemin shëndetësor. Sërish në këtë sistem, kemi punonjës bluzëbardhë, të cilët shërbimin publik, të garantuar me Kushtetutë e ligj, si shërbim falas e shesin si shërbim privat të tyre për të mbushur xhepat e llogaritë bankare dhe duke ndërtuar mirëqenien e tyre mbi fatkeqësitë e tjetrit. Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë duhet të jetë përparësi për ju”, iu drejtua kreu i qeverisë, ministres më të re të kabinetit. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Anila Godo është drejtuar për te Ministria e Shëndetësisë, ku në hyrje të saj e ka pritur shefja e kabinetit, Erestina Halili dhe në ministri, ish-kreu i këtij dikasteri, Nard Ndoka. Ky i fundit i ka dorëzuar pasardhëses së tij programin e ministrisë lidhur me reformat, që kanë nisur si dhe marrëveshjet që janë nënshkruar. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe zv.kryeministri Genc Pollo, duke improvizuar në këtë ministri një takim mesh aleatësh, ku kishte përfaqësues të PDK-së, PR-së e PDR-së. Në fjalën e saj për mediat, Godo tha se, “Patjetër do të ketë ndryshime por ju siguroj që nuk do të ketë asnjë paragjykim partiak përveçse paragjykimit profesional dhe për një staf sa më profesional”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›