E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasi peshku në Kashar

Andis Harasani 

Kurdoherë ngjan si një mision i pamundur të arsyetosh një humbje. Sidomos kur bëhet fjalë për një humbje elektorale, qoftë kjo edhe për një komunë me pak mijëra banorë si Kashari në periferi të Tiranës. Ngjan si mision i pamundur që të shpjegosh qetë dhe me durim atë çfarë ka ngjarë në Kashar, të argumentosh largësinë e projektimit të çfarëdollojshëm të tij në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, aq më tepër, kur boritë e “fitimtarëve” e konsiderojnë këtë gjysmë betejë si luftën e vërtetë. Eshtë mision i pamundur kur me aritmetikën e Kasharit kërkohet të zgjidhet gjithë ekuacioni elektoral, jo shumë i panjohur tashmë i verës së vitit tjetër. Ka shumë shpjegime për të dielën e periferisë së Tiranës, por rreshtimi i të gjitha atyre, më shumë se sa sqarimi, do ta bënte edhe më të mjegullt të vërtetën. Që si gjithë të vërtetat është shumë më e thjeshtë se ndërlikimi mes të cilës do ta paraqesë, kundërshtari ynë politik Berisha. Përtej ngazëllimit dukshëm të pakontrolluar, Berisha e shet rezultatin si një fitore të tij, por jo për komunën në fjalë, por si një parathënieje për gjithë atë që do të ndodhë nesër. Me shumë se kushdo, Berisha e di se gjithçka thotë është një pjatë e ftohtë që ju serviret militantëve dhe nëpërmjet komunikimit masiv të medias, kërkon të krijojë një realitet të gënjeshtërt, iluziv dhe të dëmshëm para së gjithash për ata vetë. Njëlloj si mitet e verës për këngëtare “VIP”, që bëjnë të këndojë kompjuteri dhe që shuhen sa vijnë shirat e parë të vjeshtës.
Tregojnë se dikur, i ndjeri Tef Palushi hapi fjalë për t´u tallur me miletin se në sheshin kryesor në Shkodër kishte plasur krapi mbi asfalt. E dëgjoi i pari dhe ndonëse me rezervë e besoi. E dëgjoi dhe i dyti e po kështu u bënë me qindra njerëz që vrapuan në shtëpi me grepa dhe rrjeta për të gjuajtur peshkun e asfaltit. I fundit, Tefa, kur pa që gjithë bashkëqytetarët e tij vraponin me thirrjen “tek sheshi, tek sheshi”, shkoi dhe ai në shtëpi të merrte grepin e peshkimit për peshkun e plasur mbi asfalt.
Kjo histori qesharake e gënjeshtrës kolektive, kjo teknologji e autosugjestionit politik, nuk merr parasysh disa të vërteta të thjeshta. Njëlloj si rezultati i turpshëm i një viti më parë në Shijak, kur kandidati i Partisë Demokratike fitonte me të njëjtin rezultat që fitonin dikur edhe deputetët e ish-Partisë Komuniste të kryetarit të vet komunist. Edhe atëherë, ndonëse i pari Berisha nuk e besonte gënjeshtrën e tij, e nxori për konsum publik një fitore të tillë duke treguar jo që nuk ka kuptuar asgjë nga politika në 18 vitet që ai i bie në qafë asaj, por për të dëshmuar se mund të qëndrojë në qafë të këtij populli me gënjeshtra banale që të kujtojnë qëndrueshmërinë e gjurmës lëngshme të pulës në rërë. Si e tillë, duke e shitur votimin individual dhe konkurrimin po të tillë të së dielës në Kashar si një test politik, Berisha kërkon të ngopë me lugë të zbrazur së pari, dëshpërimin e militantëve të tij, që shohin dhe ndjejnë ditë mbas dite shijen e aventurës politike ku ai i ka futur, dheun që u rreshket nën këmbët e pushtetit, kërkon të shantazhojë opozitën me rezultate fiktive e kështu me radhë. Dhe e fundit, kërkon të injektojë drogën e harresës që ta kthejë atë në mjetin e mbijetesës së tij politike. Njëlloj si fantazitë e tij me centrale atomike për njerëzit, që e marrin bukën me listë dhe pinë qumësht të ndotur, apo me moshën e internetit për një popull që vazhdon të numërojë me stres dhe nën stres orët e territ. 
Një garë lokale, një “sherr” familjesh, me rreth 6 mijë vota në lojë, nuk ka mundësi praktike që të konsiderohet jo më si një test elektoral, por as nuk ka lidhje me reformat dhe nuk reflekton suksesin apo dështimin e tyre. E kundërta, përqendrimi i gjithë pushtetit aty, me ministra dhe deputetë, është një tjetër provë që Berishës i duhej si një provë force për të treguar se asgjë nuk ka ndryshuar nga 3 korriku. Dhe në fakt, ka vetëm një gjë që nuk ndryshon në këtë vend dhe ky është vetë Berisha: njëlloj si më parë, demagog dhe i paaftë, komunist ortodoks dhe lakmitar pushteti. Po aq mirë se kushdo tjetër, kryeministri ynë ironik që për ironi të fatit e kemi të gjithë në qafë, e di se gara në Kashar, për dhjetëra e dhjetëra motive ishte një garë mes fiseve të kësaj komune, ishte një garë për tokën dhe të drejtën e “hipotekimit” të saj tek firmat e ndërtimit, ishte një garë e paragjykuar dhe e paravendosur që ka shumë pak të bëjë me të gjithë Shqipërinë, por ka shumë të bëjë me ca pazare të bëra shkoqur me lekë dhe premtime për të qepur këtë kostum letre propagande.
Duke thënë këto, nuk kërkoj të bëj avokatinë e humbësit, që në fakt mungon realisht, por të them se ajo çka ndodhi në Kashar nuk ishte një ballafaqim mes PS-së e PD-së, ishte beteja për një vend pune që deri më tani u ka kushtuar burgun “punëmarrësve” paraardhës. Eshtë e diskutueshme nëse indiferenca me të cilën PS-ja ndoqi të dielën në Kashar është apo jo një veprim i drejtë, por është e padiskutueshme që tamtamet për këtë komunë nuk mund të shuajnë gjëmimin e kambanave të mortit që ranë në Gërdec, fare pranë saj.
Edhe fare pak ditë të tjera do të vazhdojë histeria dhe historia me Kashar. PS-ja humbi një betejë sepse nuk u pjesmor në të, kurse lufta e vërtetë do të jetë mbas një viti. Atëherë kur PS-ja e PD-ja, kur të gjithë shqiptarët edhe përtej PS-së dhe PD-së do të gjykojnë se e nesërmja e tyre nuk mund të lihet më në dorën e një aventurieri politik si Berisha, këtij gënjeshtari proverbial që na bezdis veshët ditë mbas dite se, falë qeverisjes së tij nëpër rrugët anembanë Shqipërisë ka plasur peshku. Që kërkon të na bindë se jemi të lumtur edhe kur vetëvritemi, që na tregon se jemi të sigurt edhe kur shtypemi mbi asfalt, që na premton se do të na japë karta identiteti edhe kur na shkel identitetin, që na tregon me gisht dritën e hënës që sipas tij, na e sjell KESH-i.
Ironia e kësaj komedie është se edhe vetë kryeministri ka dalë me grepa dhe rrjeta për peshk, duke e konsideruar edhe shqiptarin më krenar jo më të mençur se një peshk që përpëlitet në asfalt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›