E Diel, 1 Nëntor 2026

KASHARI

Edison Ypi 

Kasemi dhe Kashari janë si partia dhe populli; Ç’thotë Kasemi bën Kashari. Ç’do Kashari bën Kasemi. Ou! Kaq i rëndë qenka ky Kasemi?!  Edhe për votime vlen kjo?! Po, edhe për votime, dhe për të gjitha. Kasemi vdes për Kasharin; aq fort e do! Kashari merr frymë përmes Kasemit; aq shumë i duhet!Sepse Kasemi nuk është lëngaraq që zvarritet, nuk është llapaqen që qurravitet, nuk është spurdhjak që shitet! Kasemi është madhështor Aga’, serioz Pasha’, i patundur Bej, i urtë Bari. Denbabaden qyshkur s’mahet men; Nga rrënjët në majë, nga porta te sokaku, nga themeli tek Oxhaku. Kasemi në Kashar është parlament, qeveri, gjykatë, ministër, kryeministër, president, radio, gazetë, televizor, hoxhë, prift, kishë, xhami, minare, kambanare, gjithçka.
- Kasem Bej, ma shpife me kët’ hotelin që ma ke bo plot me mermera t’ftohta, vetrata t’acarta, rrugica t’ngushta.
- Javash Edison Bej. Nuk e kom bo as për vete as për Ty, as për xhinsin tim as për xhinsin tënd. E kam bërë për budallenjtë. Të ishte për mua...
- Çfarë, të ishte për Ty?!
- Të ishte për mua, un’ mjes-për-mjes sapo m’del gjumi, e di ça boj?! Iki tek një përrua këtu afër. Ulem diku në rrjedhë të përroit, mbështes këmbët mbi dy gurë mes jeshillliqesh, ndez një cigare. Ohoho, tu nigju përroin si rrjedh dhe gjinkallat si cicrrojn, tu thith cigaren, tu pa tymin e cigares, tu u menu, tu u liru, ohoho. Në fund lahem me ujë përroi thahem me gjethe ferre. Pastaj vi këtu pi kaven e mjesit. Gjithmonë tu u menu gjat e gjat, sidomos për budallallëkun e dynjallëkut. Askush s’guxon me m’fol i fjal mahmur pa maru kaven. Se un’ se qis asi fjal’ pa maru kaven mendimtare t’mjesit me prru’.
-  Shum’ konservativ Kasem Bej. Më modern t’lutem. Jemi në kohën e Internetit. E njeh Ti atë?
- Un’ po t’them lirohem mjes-për-mjes te prroi, ti po m’pyt për Internetin! Internimin po, Internetin jo. Në të vërtetë për Internetin dëgjova për herë të parë dje. Ma tha një nip majtist progresist. Ishte fut thellë nipi. Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve për kryetar komune dolën në përpjesëtim të zhdrejtë me sa e përdorin internetin partitë e secilit kandidat. Pra fitoi më shumë vota kandidati i partisë që e përdor Internetin më pak, dhe fitoi më pak vota kandidati i partisë që e përdor internetin më shumë. Unë nuk e kuptoj në thellësi këtë fakt. Por nipin e besoj. Dhe, meqenëse fitoi kandidati që desha unë, që interneti dhe unë jemi larg, kaq gjë e kam të qartë.
- Mir’. Kurrë mos e pafsh Internetin me sy. Po Edi Ramën e njeh Ti ? T’kujtohet si m’ke thon i her për Edi Ramën ?! Ma thuj cop’ tani ktu ta shkruj n’gazet !
- Shkruje n’gazet ta lexoj gjith’ Shqipëria. Qite ene m’televizor ta shofi gjith’ dynjoja; Shqipëria është tren. Edi Rama është lokomotivë. Të tjerët janë vagona t’ndryshk që tërhiqen zvarrë. Edi Rama osht i çuditshëm. E prita tre vjet rresht t’vite t’hate i pjat grosh kashari ke hoteli im. S’erdh’ që s’erdh’. S’kom ça t’i boj. Por prap’ e pres!
- Je madhështor Kasem Bej. Por, a s’më thua, si ia ke mrrit me e ndërtu gjith’ kët’ derr hotel ?!
- E kam ndërtu këtë, kam për t’ndërtu edhe të tjerë. Ke për t’pa. Nga Tirana në Durrës do ta mush me hotele. Sepse unë udhëtoj “me drita t’gjata”. Kaq po t’them ! Më tepër mos mu afro. Se s’t’shoh dot afër. Un’ shoh vetëm larg. S’t’kapin afër dritat e mia të largëta.
- Si urdhëron Kasem Bej. Megjithëse punën e dritave s’e kuptova fort mir’.
Autostrada në mes, Kashari në veri dhe Domja në jug përballë njëri-tjetrit duken si Romeo dhe Xhulieta me role të përmbysura; Në kodër, pra mbi ballkon, ai që dëgjon, i vëngëri i ashpëri Romeo-Kashari, n’oborr, ajo që lutet, e buta e bukura Xhulieta-Domja.
Komuna e Kasharit është komuna më e pasura në Shqipëri. Fshati është plot me vila gjigande tre-katër kate rrethuar me kopshte.
Pranë hotelit të Kasemit ndodhet një lavazh. Çunat e lavazhit nuk janë as kashariota, as kasharxhinj, as kasharsa, por kashari’. Punojnë tmerrësisht shumë. Dhe lodhen shumë. Por s’ndalen kurrë.
Ja një zotëri që ka ardhur të lajë Benz-in. Zotëriu që ka padurim të flasë m’i ngul sytë dhe më drejtohet mua;
- A e kupton o njeri?! Un’ vdes të vi këtu. Un’ harxhoj karburant që vi nga Tirana ta laj makinën këtu. Ky vend më del në ëndërr çdo natë. Këta janë llahtari. Kjo që shoh dhe dëgjoj këtu është një spektakël-simfoni e gjallë e mahnitshme me skenografi natyrore dhe vegla frymore. Ata punojnë sikur këndojnë. Këta, secili prej tyre, janë nota muzikore. Nota të hallakatura në erë po të them, pa letër pa pentagram. I kam miq. Nuk e ke idenë sa të fantaksur janë. Njëri prej tyre një ditë duke ma larë makinën më tha; Po ta laj Benz-in te disa brima që edhe vet Benz-i nuk e di ku i ka. Jan’ aq të lirë sa mendja s’ta merr. Dhe çmendesh fare po të mendosh se kaq të lirë jetojnë dhe punojnë të rrethuar me korrupsion dhe hajdutllëk. Se, që ta dish, për shembull, këtu truajt janë të gjithë me nga disa pronarë, dhe të gjithë pronarët me dokumente të rregullta! Të jetosh i lirë rrethuar me kaos hajdutllëku! Kur e mendoj më ikën truri! Një ditë arrita në këtë përfundim; Këta duan, madje të luten, t’i vjedhësh. Mos u habit. Nuk them se duan të vidhen dosido. Aspak! Vetëm me mënyra të mprehta për qëllime të larta. Si vidhen librat nga një bibliotekë, për shembull. Pra, shoqëruar me pakëz dinakëri dhe brejtje të lehtë të ndërgjegjes nga ana e vjedhësit dhe me një ndjenjë të heshtur triumfi nga ana e të vjedhurit. Pse?! Për t’i bërë të njohura turbullimet e tyre të brendshme! Kaq! Prandaj i lënë të vidhen edhe votat. Nuk them për këtë herë, por në përgjithësi. E ke lexuar te “Panorama” një shkrim me titull Sula? Për Sulën, atë që u shkulte hekurin bunkerëve për 1 euro në ditë. Sula pra, “Biri i pasionit të errësirës” sepse babai e kishte ngjizur “gjatë verbërisë atërore”, pra pasi ishte verbuar në minierë. Jeton këtu afër. Është rritur Sula. Thonë ka nxjerrë biçakun. Vjen ndonjëherë në mbrëmje këtu. Për tu dehur. Por nuk mundet. Dhe qefi i prishet. Sepse këta mbajnë birrë pa alkool. Janë myslimanë. Falen disa herë në ditë. Kur vjen vakti për tu falur, flakin stekat, marrin nga një qilim të vogël të posaçëm, ikin në një qoshe, e shtrojnë aty qilimin, përmbysur i falen Muhametit. Lexojnë libra të thellë. Për Allahun, njeriun, jetën, vdekjen, qytetërimin, degjenerimin e qytetërimit, shpagimin e Allahut etj., etj. Njëri prej tyre u deprimua për ca kohë. Hoqi keq. Por pastaj e mori veten. Një tjetri i vranë babain. Po shtrëngon dhëmbët duke pritur Drejtësi. Një mikun e tij që punon edhe ai këtu, ka ca kohë e shoh të mrrylët. E pyeta pse. Tha se para disa muajsh kishte parë një ëndërr të jashtëzakonshme. Por ëndrra për kiamet se i vjen në hatër e tëra, vetëm copa-copa. I thashë të m’i rrëfente mua disa copa që t’ia rendisja sa të mundja. Jo, tha, ëndrra o mbahet mënd dhe rrëfehet dhe realizohet e gjitha, o hiç. Një ditë tjetër një moshatar i tij mu ankua se babai pesëdhjetë e kusur vjeç kishte zënë një dashnore nja njëzet vjeçe. Këto këtu mund t’i shohësh edhe si tragjedi, edhe si komedi, edhe si dramë, edhe si të duash. Por nuk është as tragjedi, as komedi, as dramë, kjo e Kasharit. Është diçka që funksionarët ende nuk e kanë shpikur. Ore, a e merr vesh ti, un shoh tërë këtë mrekulli këtu prandaj më vjen për të qeshur me budallenjt e Tiranës që bëjnë polla dhe exit-a me klika dhe nika...
- Mir’ o mir’, mjaft me poezira. Kasemin e njeh ti?
- Ah e shoh që ta bëra kokën dhallë. Kasemin?! Hmmmm! Sa t’ia gjejë kashariu brimat misterioze Benz-it, dhe ti ta kesh’ marrë veten nga këto që të thashë, un’ po iki t’boj i dor’ muhabet me kryestrategun, kryemendimtarin, kryezotin e këtyre trevave, madhështorin Kasemin.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›