Të punësuarit, ndryshojnë rregullat për pensionin
Qeveria ndryshon të gjithë sistemin e sigurimeve.
Pas rritjes së pagave më 1 korrik, 30 ditë më vonë, Këshillimi i Ministrave ka vendosur të korrigjojë edhe pagesat për të marrë pension. Vendimi, që mori OK dje, do t’i shtrijë efektet që nga data 1 korrik. Nga kjo datë, ndryshojnë në rritje pagesat e kontributeve për pension dhe sigurim shëndetësor. Qeveria ka vendosur që paga minimale për efekt pensioni, pra paga nga e cila dot mbahen sigurimet, të jetë 14830 lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 74150 lekë. Deri më datë 1 korrik, këto paga kanë qenë, minimalja 13140 lekë, ndërsa maksimalja 65700 lekë. Mbi pagat e ndryshuara do të mbahen 32.9 për qind e parave. Nga kjo, 21.7 për qind do t’i paguajë punëdhënësi, shteti ose pronari i biznesit, ndërsa 11.2 për qind do të paguhen nga i punësuari. Ndryshimi i djeshëm i qeverisë do të prekë në masë pagat e larta mbi 65700 lekë. Këta persona, do të paguajnë më shumë për të siguruar pensionet dhe shërbimet e tjera. Deri dje, të gjithë pagat e larta mbi 65700 lekë në muaj, pavarësisht pagesës, paguanin sigurime, pra 32.9 për qind, mbi këtë limit. Me rritjen e limitit maksimal në 74150 lekë në muaj, rrjedhimisht do të rriten edhe pagesat për pension. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet edhe paga e marrë në dorë. Nisur nga referencat e nxjerra nga tatimet për pagat edhe në biznesin e madh, një pjesë e mirë e të punësuarve në privat, do ta ndjejnë peshën e këtij vendimi në pagesat e tyre. Sidoqoftë, pagesa minimale për pension do të jetë 4879 lekë në muaj.
Por për herë të parë, qeveria ka vendosur të sigurojë me detyrim edhe ambulantët. Sipas vendimit të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante nga 1 korriku 2008 e në vazhdim do të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 mijë lekë në muaj. Por vendimi më i habitshëm është ai që përfshin të papunët, të cilët përfitojnë të ardhura nga prona. Pra, një person që jeton me paratë e qerasë së dyqanit, apo shtëpisë, apo ndonjë prone tjetër është i detyruar të paguajë 7 për qind mbi pagën minimale, për të siguruar shëndetin. “Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 1.7.2008 e në vazhdim, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale”. Kjo pikë shërben për të futur në skemë të gjithë popullsisë, në mënyrë që të përfitojnë nga shërbimet spitalore. Një tjetër pikë gjithëpërfshirëse e vendimit është pagesa e sigurimeve edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes. Sipas vendimit, të vetëpunësuarit, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, duke filluar nga data 1.9.2008 e në vazhdim, paguajnë kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind. Kjo shumë do të ndahet në 26.2%, sigurim shoqëror dhe 7 %, sigurim shëndetësor. Pagesa do të mbahet mbi pagën minimale dhe është e barabartë me 4 924 lekë në muaj. Në fund të vendimit të qeverisë parashikohet që pensioni bazë minimal të jetë 9515 lekë në muaj. Ndërsa pensioni i pjesshëm, pra i atyre që nuk kanë plotësuar të gjithë kushtet për ta përfituar pensionin e plotë të jetë 5200 lekë në muaj. Sipas vendimit të qeverisë, pensioni do të merret vetëm në sportelet e Postës Shqiptare dhe në bankat e nivelit të dytë. “Rregullat dhe procedurat e pagesës përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve.”
Sigurim jete i detyrueshëm për të gjithë minatorët
Pas aksidenteve të shumta në miniera, qeveria ka vendosur të sigurojë me detyrim jetën dhe aksidentet e minatorëve. Në vendimin e djeshëm përcaktohet se, të gjithë të punësuarit në miniera do të sigurohen për jetën, plagosjet apo paaftësinë e shkaktuar prej tyre. Tarifa e sigurimit do të paguhet nga punëdhënësi, pra nga pronarët. Sipas vendimit, sigurimi i jetës nuk duhet të jetë më pak se 6 milionë lekë. Pra, në rast se një punëtor humb jetën aksidentalisht në minierë, familja e tij do të marrë jo më pak se 6 milionë lekë. Nga ana tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 për qind e shumës së siguruar. Sipas vendimit, të gjithë firmat që kanë marrë miniera në përdorim, do të sigurojnë punonjësit e tyre për të gjithë periudhën e koncesionit. Ky sigurim, mund të bëhet i përhershëm, pra për të gjithë periudhën, ose vjetor dhe i rinovueshëm. “Subjektet minerare, të pajisura me leje minerare e që sot zhvillojnë veprimtari minerare, brenda një periudhe 90-ditore nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të realizojnë sigurimin e punonjësve të punësuar ndaj aksidenteve”. Shoqëria nuk do ta ushtrojë veprimtarinë minerare deri në çastin e paraqitjes dhe të miratimit të këtij dokumenti në organin, që ka lëshuar lejen minerare. Kush nuk përmbush këto kushte do të gjobitet me vlerën e gjobës maksimale dhe do t’i hiqet e drejta minerare.
Qeveria, pension të posaçëm Dritëro Agollit
Qeveria ka marrë dje vendim për t’i akorduar pension të posaçëm shkrimtarit dhe politikanit të njohur Dritëro Agolli. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë është miratuar propozimi i kryeministrit Berisha, sipas të cilit Agolli përfiton pension të posaçëm, por shuma e këtij pensioni plus pensionit që Agolli përfiton falë ligjit të vitit 1993, nuk duhet t’i kalojë dy pensione maksimale. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien shtesë pensioni të posaçëm shtetëror z.Dritëro Agolli, në masën e pensionit maksimal, por shuma e pensionit që i takon sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Një vendim të ngjashëm qeveria e mori edhe një javë më parë kur i akordoi pension të posaçëm politikanit Sabri Godo.
Vendimi për ndryshimin e skemës së pensioneve
I. MBROJTJA DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM
1. Në mbështetje të neneve 2, 7 e 9, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 8, të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, quhen persona të mbrojtur:
a) të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për më shumë se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor.
b) të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe në sigurimin shëndetësor.
c) të punësuarit me kontratë pune, me afat më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivelin minimal, për aksidente në punë, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor.
ç) pronarët e personave juridikë, që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët, si të punësuar pranë shoqërisë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor.
d) personat fizikë, të vetëpunësuar, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor.
dh) të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pension, sipas nenit 92, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur:
i) nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në të njëjtin nënqark ku kanë tokën në pronësi ose në përdorim, dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.
ii) nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë, në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në nënqarkun fqinj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.
e) pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal, për barrëlindje, për pensione dhe sigurim shëndetësor.
ë) personat mbi 16 vjeç, që punojnë në ndërtime të ulëta vetjake, sipas përcaktimeve në paragrafin e fundit, të nenit 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për të cilat jepet leje nga komuna ose bashkia, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor.
f) personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, kur nuk janë të siguruar si punëmarrës a si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, vetëm për degën e pensioneve. Si persona të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, janë personat, që vetëpunësohen në veprimtari:
i) të përkohshme e të vijueshme, por pa një vend, qëndrimi apo shërbimi, të përcaktuar;
ii) të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi, të përcaktuar;
iii) të vijueshme, në veprimtari tregtare në tezga, pa vendqëndrim të përhershëm ose në mjete, që lëvizin;
iv) të vijueshme, në veprimtari transporti, me ndërprerje gjatë javës.
2. Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, të cilët paguajnë kontribut të detyrueshëm vetëm për sigurimin shëndetësor.
3. Nxënësit e shkollave, të mesme apo profesionale, dhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore, të cilët sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet subjektit dhe institucionit përgjegjës.
4. Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar, në subjekte të regjistruara për efekte fiskale në Republikën e Shqipërisë, mbrohen dhe sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, sipas përcaktimeve të këtij kreu.
5. Nga mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm përjashtohen shtetasit:
a) që punojnë në subjekte, të cilat në bazë të një akti qeveritar, nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare.
b) pjesëtarë të subjekteve të huaja, që nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët vijnë në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të caktuar, sipas një kontrate shërbimi, të lidhur me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktues.
c) me rezidencë të përhershme jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët kanë veprimtari të regjistruara në emrin e tyre, në të dyja shtetet, do të jenë subjekt i mbrojtjes dhe sigurimit të detyrueshëm në atë vend ku kanë rezidencën, vetëm nëse shteti i tyre ka një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetin shqiptar.
ç) që janë të përjashtuar nga pagimi i kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje, të lidhur me shtetin shqiptar.
II. PAGA BRUTO DHE PAGA MINIMALE
1. Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune, dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.
Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk përfshihen:
a) përfitimet që punëmarrësi merr, në mënyrë të përhershme, nga fondet e sigurimeve shoqërore;
b) kompensimet nga rritja e çmimeve;
c) dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
ç) të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;
d) vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundje të gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, e për veprimtari të shquara;
e) vlera e shpenzimeve, për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit;
ë) honorarët apo shpërblimet e tjera, të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.
2. Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 14830 ( katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 74150 (shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë.
Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1966, «Kodi i punës në Republikën e Shqipërisë», të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.11, të ligjit të sipërpërmendur, e cila nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale, e përcaktuar në paragrafin e parë, të kësaj pike.
III. LLOJET, SHUMA DHE SHPËRNDARJA E KONTRIBUTEVE
Në mbështetje të neneve 9, 10, 14 e 90, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, 9, 10, 11 e 12, të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, llojet dhe masa e kontributeve përcaktohen, si më poshtë vijon:
1. Shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 4 879 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë.
Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, të jetë:
Dega e sigurimit të sëmundjeve
0.8 për qind 119 lekë
Dega e sigurimit të barrëlindjeve
2.3 për qind 341 lekë
Dega e sigurimit të pensioneve
23.9 për qind 3544 lekë
Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale
0.5 për qind 74 lekë
Dega e sigurimit të papunësisë
2.0 për qind 297 lekë
Sigurimet shëndetësore
3.4 për qind 504 lekë
2. Në ndryshim nga pika 1, e kreut III, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes, të pa trajtuar me pagë, të jetë 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1038 lekë.
3. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarin, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 32.9 për qind e pagës bruto mujore, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 21.7 për qind dhe pjesa e të punësuarit 11.2 për qind. Kontributet të llogariten nga punëdhënësi, mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5% për sigurim shoqëror, dhe 1.7%, për sigurim shëndetësor, dhe së bashku me pjesën e tij 20 % të pagës, për sigurim shoqëror, dhe 1.7 % të pagës, për sigurim shëndetësor, e deklaron dhe e paguan në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.
4. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 30.1 % të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 19.1 për qind dhe pjesa e të punësuarit 11 për qind, por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.
5. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se një javë, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 3.9 % të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 2.2 për qind dhe pjesa e të punësuarit 1.7 për qind, por jo më pak se niveli minimal i pagës mujore, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.
6. I vetëpunësuar, i vetëpunësuar në ortakëri, i vetëpunësuar që punëson të tretë (me përjashtim të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind ( 26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7 %, sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, të barabartë me 4 924 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e katër) lekë në muaj. Këta persona llogaritin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.
7. I vetëpunësuari për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.9.2008 e në vazhdim, paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind ( 26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7 %, sigurim shëndetësor), të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, e barabartë me 4 924 lekë në muaj.
8. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për personat, që kryejnë ndërtimet e ulëta vetjake të të tretëve, sipas përcaktimeve në paragrafin e fundit, të nenit 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, do të jetë i njëjtë si edhe për të punësuarit e tjerë. Kontributet llogariten dhe paguhen në komunë ose bashki nga personi, i cili ka marrë lejen e ndërtimit.
9. Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, sipas përcaktimeve në këtë vendim, nga data 1.7.2008 e në vazhdim të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 000 ( një mijë) lekë.
10. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 1.7.2008 e në vazhdim, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë ) lekësh.
11. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 7 800 (shtatë mijë e tetëqind) lekë.
12. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të derdhin kontribut mujor, për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, në masën 5 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj, për zonat fushore, ndërsa në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, kontributi është në masën 3 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj.
IV. PROCEDURAT PËR REGJISTRIM
1. Subjektet, përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike edhe për efekte të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore shëndetësore, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, në organet tatimore apo në organet e pushtetit vendor, në përputhje me detyrimin për regjistrim, të përcaktuar në aktet, ligjore dhe nënligjore, në fuqi.
2. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar, që e fillojnë veprimtarinë për herë të parë, brenda 20 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu duhet të paraqesin në agjencitë e sigurimeve shoqërore një kërkesë për pajisjen e të punësuarve me numrin e sigurimit shoqëror. Numri i sigurimit shoqëror jepet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pas paraqitjes së kërkesës, sipas formularit tip.
3. Bashkitë ose komunat, që japin lejen për një ndërtim të ulët vetjak, në çastin e dhënies së lejes dhe në bazë të dokumentacionit të paraqitur, regjistrojnë veprimtarinë në emër të marrësit të lejes, i cili me fillimin e punimeve, detyrohet të deklarojë punëmarrësit, të paraqesë listëpagesën mujore dhe të paguajë kontributet.
4. Personat e vetëpunësuar për herë të parë, në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, paraqesin, në agjencitë e sigurimeve shoqërore, kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm dhe kërkesën për t’u pajisur me numrin e sigurimit shoqëror. Regjistrimi bëhet sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave.
5. Të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në agjencitë e sigurimeve shoqërore, pas paraqitjes së certifikatës së gjendjes civile dhe të njërit nga aktet e mëposhtme:
- Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, të komunës ose bashkisë;
- Aktin noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje, etj.).
Në çdo rast, aktet e mësipërme duhet të jenë të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale.
6. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet, për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.
7. Nuk është i detyrueshëm sigurimi dhe nuk mund të llogariten detyrimet e kontributeve e të kamatëvonesave për pjesëtarët e familjeve bujqësore, të vetëpunësuar në bujqësi, për periudhën që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas ligjit nr.7710, datë 18.5.1995, “ Për ndihmat dhe përkujdesjen shoqërore”. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.
V. PAGESA E KONTRIBUTEVE
1. Pagesa e kontributeve dhe e interesave të lidhura me to kryhet nga punëdhënësit dhe nga të vetëpunësuarit, sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokument bazë për pagesën e tyre është deklarata, njoftim i rivlerësimit dhe çdo dokument tjetër ligjor, i miratuar për këtë qëllim.
2. Punëdhënësi bën sigurimin e punëmarrësit, duke filluar nga dita e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës apo në aktin e emërimit dhe vazhdon të paguajë kontribute gjatë të gjithë kohës, që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. Kur fillimi dhe ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës bëhen gjatë muajit, kontributet llogariten e paguhen në bazë të pagës së realizuar gjatë ditëve të punës.
3. Për rastet kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose me shumë subjekte, pagesa e kontributit është e detyrueshme në çdo subjekt, sipas pagës, por jo më shumë se kontributi maksimal. Rregullat e llogaritjes së pagesës dhe të rimbursimeve të kontributit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
4. Të vetëpunësuarit në bujqësi i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore individualisht, një herë në tre muaj. Afati i pagesës së kontributeve është jo me vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
5. Të vetëpunësuarit në bujqësi mund t‘i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore, pavarësisht nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
6. Instituti i Sigurimeve Shoqërore furnizon punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit me librezat e sigurimeve, shoqërore e shëndetësore. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, të cilën e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore. Për të vetëpunësuarit dhe pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, libreza e kontributeve plotësohet dhe vërtetohet nga strukturat vendore, të autorizuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
7. Për personat e përcaktuar në pikën 8, të kreut III, të këtij vendimi, kontributet e sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, vilen dhe transferohen në llogaritë bankare, të përcaktuara për kontributet, nga bashkitë ose komunat, të cilat administrojnë edhe dokumentacionin përkatës. Procedurat caktohen me udhëzim të ministrit Financave.
8. Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante pajisen me librezën e kontributit të sigurimit shoqërore, nga struktura e sigurimeve shoqërore, e cila është e detyruar ta plotësojë atë në bazë të kontributeve të paguara. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, në bazë të të njëjtave rregulla si pagesa e kontributeve nga personat e tjerë, të vetëpunësuar në biznesin e vogël.
9. Në tremujorin pasardhës, të vetëpunësuarit, pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante dhe të vetëpunësuarit në bujqësi vlerësohen të siguruar, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës.
VI. PROCEDURAT E KALIMIT TË KONTRIBUTEVE DHE MBLEDHJA E BORXHEVE
10. Kontributet paguhen në llogaritë bankare, të përcaktuara për këtë qëllim, të çelura në bankat e nivelit të dytë, apo edhe nëpërmjet Postës Shqiptare, sha, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila është përgjegjëse për administrimin e këtyre llogarive si për të gjitha llogaritë e tjera për të ardhurat tatimore.
11. Bankat e nivelit të dytë, në fund të çdo dite, raportojnë, në mënyrë të hollësishme, në Bankën e Shqipërisë, për gjendjen progresive të këtyre llogarive, për të cilën njoftohet, nëpërmjet Drejtorisë se Përgjithshme të Thesarit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Procedurat e evidentimit, të njoftimit dhe të kalimit të kontributeve në llogaritë e fondit të sigurimeve shoqërore dhe në fondin e sigurimeve shëndetësore përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
12. Kontributet e sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, nga të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, paguhen në llogaritë bankare apo në zyrat e Postës Shqiptare, sha, sipas marrëveshjeve ndërmjet tyre dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
13. Kontributet e papaguara në afatet e përcaktuara vlerësohen detyrim ndaj fondit të sigurimeve shoqërore.
14. Për subjektet, juridike dhe fizike, përveç personave të vetëpunësuar në bujqësi, shuma e detyrimit kontribuues dhe e interesave llogaritet, evidentohet dhe administrohet nga administrata tatimore, e cila është përgjegjëse edhe për vjeljen e detyrimeve të prapambetura, që këto subjekte kanë ndaj sigurimeve shoqërore. Procedurat e evidentimit dhe të administrimit të detyrimeve të kontributeve të papaguara në aftat, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
15. Për personat e vetëpunësuar në bujqësi, shuma e detyrimit kontribuues dhe e kamatëvonesave llogaritet nga administrata e sigurimeve shoqërore. Dokument bazë për llogaritjen dhe evidentimin e tij është aktdetyrimi tip, ku, përveç të dhënave të tjera, shënohet edhe pronësia mbi tokën, sipas zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Aktdetyrimi hartohet nga administrata e sigurimeve shoqërore, jo më vonë se një muaj nga kalimi i afatit ligjor për pagesën e kontributeve. Shuma e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesat evidentohet në kontabilitetin e sigurimeve shoqërore.
VII. RAPORTIMI DHE EVIDENTIMI I KONTRIBUTEVE INDIVIDUALE
1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe degët e saj dërgojnë, çdo muaj, në strukturat përkatëse të sigurimeve shoqërore, në strukturat e sigurimeve shëndetësore dhe në Institutin e Statistikave(INSTAT):
a) Për sigurimet shoqërore:
i. Të dhënat për kontributet dhe interesat e paguara, deri në datën 10, të muajit pasardhës, të muajit kur janë kryer, zyrtarisht dhe në format elektronik, pagesat në llogaritë bankare.
ii. Formularin përmbledhës të listëpagesave, sipas subjekteve, deri në datën 25, të muajit pasardhës, të muajit kur është realizuar, zyrtarisht dhe në format elektronik, pagesa e kontributit.
iii. Listëpagesat origjinale, sipas formatit të përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave, deri në datën 28 të muajit pasardhës, të muajit kur është paraqitur deklarata. Për subjektet fizike, për afatin e depozitimit të listëpagesave, shtohen 10 ditë.
iv. Listëpagesat, në format elektronik, dhe përmbledhësja për deklarimin e të dhënave të listëpagesës, sipas afateve dhe përcaktimeve në udhëzimin e ministrit të Financave.
v. Të dhënat statistikore për numrin e subjekteve aktive, numrin e kontribuuesve dhe shumën e kontributeve, mujore dhe progresive, sipas formatit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
b) Për sigurimet shëndetësore:

iii. Të dhënat për kontributet individuale, të paguara nga personat e siguruar. Procedurat e identifikimit të personave të siguruar dhe të pagesave të kontributeve gjatë periudhës caktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
iv. Të dhënat statistikore për numrin e subjekteve të regjistruara dhe numrin e kontribuuesve.
c) Për Institutin e Statistikave (INSTAT): Të dhënat statistikore për numrin e subjekteve të regjistruara dhe numrin e kontribuuesve, sipas veprimtarisë që ushtrojnë.
2. Strukturat, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dërgojnë në strukturat përkatëse të sigurimeve shëndetësore, zyrtarisht dhe në format elektronik, të dhënat për kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe interesat e paguara nga personat e vetëpunësuar ne bujqësi, deri në datën 10 të muajit pasardhës, të muajit kur është derdhur kontributi.
3. Kur nuk ka të dhëna, për shkak të mosdorëzimit nga tatimpaguesit, të deklaratave apo të listëpagesave, administrimi bëhet në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” .
VIII. SHUMA BAZË E PËRFITIMEVE
1. Në mbështetje të neneve 2, 32, 36, e 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 9515 (nëntë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë në muaj.
2. Në mbështetje të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11. 5. 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma e përfitimit, për personat, që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit, të përcaktuar në paragrafin e parë, të këtij neni, nga data 1.7. 2008 e në vazhdim, është 5200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj.
3. Në mbështetje të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, është 5 200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj .
IX. PAGESA E PERFITIMEVE
1. Përfitimet afatshkurtra për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë e sëmundje profesionale, në favor të të punësuarit, llogariten nga punëdhënësi, ndërsa për personat fizikë, nga strukturat vendore të sigurimeve shoqërore. Fondet për mbulimin e këtyre pagesave transferohen nga llogaritë e sigurimeve shoqërore në llogarinë e personit, juridik apo fizik, ose në llogarinë individuale të përfituesit, pranë bankave të nivelit të dytë, një herë në muaj, pas miratimit nga administrata e sigurimeve shoqërore të listëpagesës. Procedura e kontrollit dhe e miratimit të llogaritjeve përcaktohet me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
2. Përfitimet mujore afatgjata u paguhen përfituesve, nëpërmjet Postës Shqiptare sh.a., dhe bankave të nivelit të dytë. Rregullat dhe procedurat e pagesës përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve.
3. Këstet mujore të pensioneve dhe të përfitimeve të tjera, që llogariten nga administrata e sigurimeve shoqërore, u paguhen përfituesve, në total, në shuma të plota dhjetëlekëshe, duke bërë rrumbullakimin vetëm për shifrën e fundit. Kur shifra e fundit është mbi 5, bëhet 10 dhe kur shifra e fundit është më e vogël se 5, bëhet zero. Rrumbullakimi, sipas rastit, zbatohet në kolonën, ku evidentohet shuma e pensionit.
X. BASHKËPUNIMI NDËRMJET INSTITUCIONEVE
1. Marrëdhëniet, administrative e financiare, ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Bankës së Shqipërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bankave të nivelit të dytë dhe Postës Shqiptare, sha, rregullohen me akte nënligjore dhe me marrëveshje të përbashkëta.
2. Procedurat e regjistrimit dhe të pagesës së kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, për kategori të veçanta personash, realizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila, në varësi të veprimtarisë, ambulatore apo të veçantë, lidh marrëveshje bashkëpunimi edhe me organe të tjera shtetërore.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kontrollon edhe dokumentacionin, që vërteton pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga personat, e punësuar dhe të vetëpunësuar në veprimtari transporti. Kjo drejtori nuk do të ofrojë asnjë shërbim, nëse drejtuesit e mjeteve nuk kanë shlyer detyrimet për sigurimet shoqërore dhe ato tatimore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1.7.2008.