E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rriten tarifat e parkimit për makinat e bllokuara"

Rriten tarifat që duhet të paguajnë pronarët e makinave të bllokuara, për mbajtjen e automjeteve në parkim në ambientet e policisë deri në momentin e zhbllokimit. 

Dashamir Biçaku

 Policia lajmëroi dje ndryshimin e tarifave të parkimit për makinat e bllokuara, që mbahen në ambientet e saj duke pohuar se e njëjta gjë ndodh edhe me tarifat e transportimit të automjeteve nga vendi i bllokimit deri në parkingun ku mbahet e bllokuar. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Tiranës, sipas të cilës, tarifat e parkimit të mjeteve të ndryshme motorike, në ambientet e Policisë Rrugore, do të jenë të kategorizuara sipas tonazhit të mjeteve dhe sipas llojit e madhësisë së tyre. Kategorizimi i mjeteve dhe përcaktimi i çmimeve është kryer sipas llojit të mjetit dhe sipas tonazhit, që nga motoçikletat, autoveturat, furgonët, kamionët e autobusët e deri tek mjetet mbi 10 tonë. Secila prej mjeteve të përcaktuara nga policia do të ketë një tarifë parkimi ditor, sipas kategorisë që do t'i përkasë mjetit.
Tarifat e parkimit
Shuma më e vogël është caktuar për motoçikletat, tarifat për do kapin shumën e 200 lekëve për parkim ditor, ndërsa shumën maksimale e kapin mjetet kamionë mbi 10 tonë, si dhe autobusë me kapacitet me 50+1 vende e sipër. Kjo kategori mjetesh sipas njoftimit të policisë, do të ketë një kuotë pagese prej 1500 lekësh në ditë. Këto tarifa të reja të vendosura nga Policia Rrugore e Tiranës, kanë nisur të zbatohen që prej tre ditësh, duke kryer një ndryshim të çmimeve bazuar në kategorizimin e mjeteve. Ndryshimet e mësipërme, janë kryer në bazë të urdhrit të ministrit të Brendshëm, të nxjerrë në nëntor të vitit 2006 dhe të plotësuar me një urdhër tjetër të ministrit të Brendshëm. Çdo mjet i bllokuar në ambientet e policisë që nuk do të merret nga pronarët përkatës, ose nuk do të paguhet veç gjobës, edhe parkimi për ditët e qëndruara në ambientet e policisë, do të sekuestrohet.
Sekuestrimi
Sekuestrimi i një mjeti të tillë sipas policisë, do të kryhet në momentin kur të kenë përfunduar të gjithë afatet e mundshme. Sipas Kodit Rrugor, afati është deri në tre muaj pas kohës që vendimi i bllokimit dhe gjobës së mjetit ka marrë formë të prerë. Më pas, sipas urdhrit të ministrit të Brendshëm, për të ardhurat që krijohen nga Policia, automjetet do të kalojë në llogari të kësaj të fundit. Në fund ato do të shiten sipas një ankandi të përcaktuar me një vlerë fillestare të vendosur prej ekspertëve përkatës. Vjelja e gjobave administrative, duhen paguar nga kundërvajtësi, brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet me 2 për qind kamatë deri në 1 (një muaj). Sipas urdhrit përkatës kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në 3 muaj dhe pas këtij afati kryhet shitja e mjetit në ankand. Në rastet kur vlera e marrë është më e madhe nga detyrimi i pronarit, diferenca i kthehet të zotit.

Policia: Tarifat e parkimit

Për parking motori,            200 lekë në ditë
Për parking veture,            500 lekë në ditë
Parking kamioni ose furgon        (më pak se 3.5 ton),
                   700 lekë në ditë
Parking kamioni, autobusi        (12 +1 vendesh)
(3.5 ton deri në 10 ton),            1000 lekë në ditë
Parking kamioni dhe autobusi        (50 +1 vendesh)
(mbi 10 ton),                1500 në ditë lekë
Tarifë transporti me karrotrec        4 mijë lekë

Tiranë, rrugorët ashpërsojnë masat e kontrollet

TIRANE- Gjatë javëve të fundit, policia rrugore e kryeqytetit, ka shtrënguar masat e kontrollit, ndaj kundërvajtësve të ndryshëm, për të parandaluar aksidentet. Sipas policisë, masat më të ashpra janë marrë kryesisht në aksin e autostradës Tiranës-Durrës e anasjelltas, si dhe në akset Fushë Krujë-Vorë e Fushë Krujë-Tiranë. Këto segmente sipas policisë, janë më të ngarkuara për shkak të sezonit turistik, duke qenë se mjaft pushues lëvizin në këto akse. Kontrollet më të mëdha kanë qenë për drejtim të mjeteve në gjendje të dehur, si dhe ecjes me shpejtësi tej normave të lejuara. Gjatë kësaj kohe, sipas burimeve të policisë statistikat tregojnë për një rënie të drejtuesve të mjeteve me shpejtësi, ndërsa ndëshkimet nuk kanë njohur ulje. Blutë e rrugores, kanë instaluar në pikat hyrës dhe në qytetin e Tiranës, radarë të ndryshëm me qëllim kontrollin e mjeteve që ecin me shpejtësi dhe bllokimin e patentave. Gjatë javës së kaluar, policia ka bllokuar më tepër se 40 patenta drejtuesve të mjeteve të ndryshme, që janë gjetur me shkelje të natyrave të ndryshme.                                                                   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›